Kërko

OKB, në New York, takimi Parolin-Lavrov

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin bisedon me Ministrin e Jashtëm rus Lavrov, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

R.SH. - Vatikan

Dialog! Gjithmonë. “Sepse duke dialoguar, gjithçka mund të ndryshojë”. Në avionin  që  fluturonte nga Kazakistani, drejt Romës, Papa u foli përsëri gazetarëve me të cilët bisedonte, për rrugën diplomatike që ndjek zakonisht Selia e Shenjtë, veçanërisht muajt e fundit, në rrethanat e luftës ruso-ukrainase. Orientim ky, i ndjekur nga të gjithë bashkëpunëtorët e Françeskut, duke nisur nga Sekretari i Shtetit i cili dje, ndërmjet seancave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, bisedoi me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Parolin, të ndalohen provat bërthamore

Dje, duke folur në takimin e dhjetë të Miqve të CTBT - grup i krijuar në vitin 2002 nga Australia, Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Japonia dhe Holanda - Sekretari i Shtetit, ripohoi se "me rritjen e tensioneve globale dhe retorikës, që kërcënon përdorimin e armëve atomike, është më e rëndësishme se kurrë të vihet në fuqi Traktati për ndalimin e plotë të armëve bërthamore (CTBT).

Paqja fillon kur heshtin armët

Deklarata e kardinalit Parolin i bën jehonë thirrjeve të panumërta të Papës për të çarmatosur arsenalet e të gjitha llojeve dhe për t’i dhënë fund tregtisë tragjike të armëve. Jo më vonë se pardje, në fund të audiencës së përgjithshme, duke përsëritur afërsinë dhe mbështetjen e popullit “fisnik dhe martir” ukrainas, Françesku theksoi se në këtë “luftë tragjike” disa “mendojnë për armë bërthamore, një çmenduri e vërtetë”. E më pas u kujtoi të pranishmëve historinë e kardinalit Krajewski, i sapo kthyer nga misioni i tij i fundit në skenën ku luhet tragjedia e luftës. “Ai – kujtoi Papa - më foli për dhimbjen e këtij populli, veprimet e egra, monstruozitetet, kufomat e torturuara, ndër gropa të pambuluara! E më pas kujtoi, ashtu si gjatë lutjes së Engjëllit, të dielën e kaluar, rrugën e vetme, në të cilën mund e duhet ecur: “Të mos harrojmë - ngulmoi - paqja është e mundur vetëm kur armët heshtin dhe fillon dialogu!”.

23 shtator 2022, 11:16