Klima, Vatikani merr pjesë në Marrëveshjet e OKB-së dhe të Parisit

Selia e Shenjtë i paraqiti më 4 tetor Sekretarisë së Kombeve të Bashkuara kërkesën për pjesëmarrje në Konventën e OKB-së së vitit 1992 dhe në Marrëveshjen e Parisit, nënshkruar në vitin 2015. Në takimin e Casina Pio IV, organizuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit dhe nga Akademitë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, ishte i pranishëm kardinali Parolin e përfaqësues të tjerë vatikanas, së bashku me ministra të jashtëm e ekspertë të OKB-së

R.SH. – Vatikan

“Në këtë çast të veçantë të historisë, shënuar nga konflikte gjithnjë e më shqetësuese, që vënë në rrezik multilateralizmin, duhet t’i konsolidojmë përpjekjet në favor të ekologjisë së gjithanshme. Çështje që, ashtu si ndryshimi i klimës, mund të lihet në hije”. Në ditën e festës së Shën Françeskut të Asizit, i cili, përveç emrit, e frymëzoi Papën në përkushtimin për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, njoftoi se Selia e Shenjtë, në emër të Shtet-Qytetit të Vatikanit, iu bashkua Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), miratuar më 1992, si edhe Marrëveshjes së Parisit të nënshkruar më 2015.

Thirrja e Papës, e krerëve fetarë dhe e shkencëtarëve

 Kardinali Parolin foli pasditen e djeshme (4 tetor) në takimin “Kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”, organizuar nga Sekretaria e Shtetit, në bashkëpunim me Akademitë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, në Shtëpinë Piu IV, në kopshtet e Vatikanit. Çast i rëndësishëm reflektimi në përgatitje të samitit Cop27 mbi klimën, që do të mbahet në Sharm el-Sheikh, nga 6 deri më 18 nëntor, por sidomos në përvjetorin e takimit “Feja dhe shkenca: drejt COP26”, që u mbajt në Pallatin Apostolik më 4 tetor 2021. Në përfundim të tij, Papa Françesku, krerët fetarë dhe shkencëtarët nënshkruan një thirrje për të kaluar nga "kultura përdor-e-hidh" në "kulturën e kujdesit" për planetin.

Emetime zero brenda vitit 2050

 Me këtë këndvështrim për të ardhmen, Papa, kujtoi kardinali Parolin, siguroi se Vatikani do t’i reduktojë në zero emetimet e gazeve të dëmshme për ambientin para vitit 2050 dhe, njëkohësisht, do të promovojë “edukimin në ekologjinë e gjithanshme”, për ta ndryshuar mënyrën e jetesës, që ajo të bazohet në zhvillimin e qëndrueshëm, vëllazërimin dhe bashkëpunimin ndërmjet njeriut e ambientit”. Shkenca është e qartë, vërejti kardinali Parolin: "Ka gjithnjë e më pak kohë për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimatike dhe për t'iu përshtatur atyre”. Ndikimi është "i thellë" dhe nuk ka të bëjë vetëm me natyrën, por edhe me ekonominë e shoqërinë.

Të papranueshme, projektet e reja me lëndë djegëse fosile

“Gjendja globale është më e dëshpëruar se disa vite më parë – denoncoi kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor. – Pavarësisht nga Marrëveshja e Parisit, objektivi për ta rritur temperaturën vetëm me 1,5 gradë Celcius është praktikisht, i paarritshëm”. Planeti ka aktualisht një temperaturë të shtuar me 1,2 gradë Celcius, por nuk ndalet financimi i projekteve, që shfrytëzojnë energjitë fosile. Enciklika e Papës “Laudato si’”, që tashmë mbushi 7 vite, “vazhdon t’i frymëzojë njerëzit vullnetmirë drejt zgjidhjeve ekologjike, gjithnjë e më të gjithanshme”, vijoi kardinali Czerny, duke dhënë si pikë referimi për informacione e shkëmbime Platformën Laudato si’, e cila mbledh 6 mijë pjesëmarrës: shkolla, familje, bashkësi fetare në Amerikë, Evropë, Azi dhe Afrikë.

Projektet ambientale të Vatikanit

Vatikani ka projekte të shumta në favor të ambientit, për të arritur objektivat e enciklikës. Kardinali i ri Fernando Vérgez Alzaga, president i Guvernatoratit, vuri në pah procedurat për diferencimin e mbetjeve në gjithë territorin vatikanas, për racionalizimin e burimeve, si edhe për teknikat e reja të ujitjes, që kursejnë ujin. Ndërhyrje të tjera në Vatikan kanë të bëjnë me kontrollin e energjisë, uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit, instalimin e paneleve diellore, zbatimin e sistemeve të automatizimit për ambiente të ndryshme, të cilat për shembull, në mungesë të personelit, fikin dritat. "O fitojmë, o humbim të gjithë bashkë", nënvizoi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Rruga për plotësimin e objektivave të Marrëveshjes së Parisit "është e gjatë", pohoi ai. Ka ende shumë për të bërë në favor të emigrantëve klimatikë, të cilëve u mungon mbrojtja ndërkombëtare, në përballimin e ngjarjeve të rënda klimatike, në marrjen e masave për t’iu përshtatur ndryshimeve të klimës. Shpresohet që takimi i ardhshëm COP27 do të çojë në "zbutjen e humbjeve dhe të dëmeve, siç kërkohet nga shumë vende në zhvillim".

05 tetor 2022, 12:44