Parolin: marrëveshje mbi mjetet themelore për jetën e Kishës në Kinë
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
“Selia e Shenjtë dhe Republika Popullore e Kinës, pas konsultimeve dhe vlerësimeve të duhura, ranë dakord ta zgjasin edhe për dy vite të tjera vlefshmërinë e Marrëveshjes së Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve, nënshkruar më 22 shtator 2018 dhe rinovuar për herë të parë më 22 tetor 2020”. Ky njoftim u dha sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
"Pala e Vatikanit - vijon njoftimi për shtyp - synon të vazhdojë dialogun e respektueshëm dhe konstruktiv me Palën kineze, për një zbatim të frytshëm të Marrëveshjes së lartpërmendur dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me synimin për të favorizuar misionin e Kishës Katolike dhe të mirën e popullit kinez”.
Intervista me kardinalin Pietro Parolin
“Thelbi i Marrëveshjes sigurisht që ka të bëjë me konsolidimin e dialogut të frytshëm institucional dhe kulturor, por kryesisht merret me mjetet thelbësore për jetën e përditshme të Kishës në Kinë”. Me këto fjalë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i intervistuar nga gazeta vatikanase “L'Osservatore Romano” dhe nga Radio Vatikani-Vatican News, shpjegon arsyet, që e shtynë Selinë e Shenjtë të nënshkruajë dhe të rinovojë për herë të dytë Marrëveshjen e Përkohshme me Republikën Popullore të Kinës. E pyetëm cila është udha e përshkuar për këtë…
Për t'u përgjigjur, duhet kujtuar një fakt: më 22 shtator 2018, Selia e Shenjtë dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës nënshkruan një Marrëveshje të Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve. Kjo Marrëveshje është "e përkohshme", sepse ende përjetojmë një periudhë prove. Siç ndodh gjithmonë, situata kaq të vështira dhe delikate kërkojnë kohët e duhura të zbatimit, për të verifikuar më pas, efikasitetin e rezultatit dhe për të propozuar ndonjë përmirësim. Përveç kësaj, siç dihet, pandemia COVID-19 krijoi pengesa të kuptueshme për takimet ndërmjet delegacioneve, të cilat po ndjekin dhe vlerësojnë me kujdes zbatimin e vetë Marrëveshjes. Për këto arsye, vlefshmëria e Marrëveshjes u zgjat për herë të parë në vitin 2020 dhe tashmë zgjatet edhe për dy vite të tjera. Papa Françesku, me vendosmëri dhe largpamësi plot durim, vendosi ta vazhdojë këtë rrugë, jo me iluzionin se do të gjejë përsosmërinë në rregullat njerëzore, por me shpresën konkrete se mund t'u sigurojë bashkësive katolike kineze, edhe në një kuadër kaq të ndërlikuar, udhëheqjen nga ipeshkvij të denjë dhe të përshtatshëm për detyrën, që u është besuar.
Për të emëruar ipeshkvijtë e rinj në Kinë ndiqen procedura të veçanta, në marrëveshje me qeverinë e Pekinit. Ç’mund të na thoni për këtë?
Historia na mëson se Selia e Shenjtë, përsa i përket çështjes delikate dhe të rëndësishme të emërimit të ipeshkvijve, ka arritur shpesh marrëveshje mbi procedurat, që marrin parasysh kushtet e veçanta të një vendi, pa lënë mënjanë atë, që është thelbësore dhe themelore për Kishën: emërimin e barinjve të mirë dhe të denjë. Procedura e parashikuar nga kjo Marrëveshje u shqyrtua me kujdes, duke marrë parasysh karakteristikat e veçanta të historisë dhe të shoqërisë kineze, si edhe zhvillimet e Kishës në Kinë, që rrjedhin prej tyre. Në këtë drejtim, nuk mund të mos përmend edhe gjendjet e shpeshta të vështira e, nganjëherë, edhe konfliktet, që kanë kaluar bashkësitë katolike dekadat e fundit. Prandaj, na u duk e kujdesshme dhe e urtë të merreshin parasysh si kërkesat e shprehura nga autoritetet e vendit, ashtu edhe nevojat e bashkësive katolike.
Duke parë katër vitet e para nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Përkohshme, cilat janë frytet e saj?
Tani për tani, mendoj se frytet kryesore janë tre, por shpresoj që të tjera do të vijnë në të ardhmen. I pari është se, njëkohësisht me Marrëveshjen, që nga shtatori 2018, të gjithë ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Kinë janë bashkuar plotësisht me Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe nuk ka më shugurime ipeshkvnore të paligjshme. Për besimtarët e thjeshtë, kjo shihet çdo ditë në meshën shenjte, që kremtohet nga çdo meshtar kinez: vërtet, Papa përmendet shprehimisht në lutjen eukaristike, gjë e pamendueshme vite më parë. Fryti i dytë janë 6 shugurimet e para ipeshkvnore, në frymën e Marrëveshjes dhe në përputhje me procedurën, që ia lë fjalën e fundit dhe vendimtare Papës. Fryti i tretë është se edhe 6 ipeshkvijtë e parë "klandestinë" janë regjistruar dhe pozita e tyre është zyrtarizuar, duke u njohur si ipeshkvij nga institucionet publike. Këto mund të duken rezultate të vogla, por për ata që e shikojnë historinë me sytë e fesë, janë hapa të rëndësishëm drejt shërimit progresiv të plagëve të shkaktuara në bashkimin kishtar nga ngjarjet e së shkuarës. Prandaj, duhet theksuar edhe një herë - nëse ka nevojë – se thelbi i Marrëveshjes sigurisht që ka të bëjë me konsolidimin e dialogut të duhur institucional dhe kulturor, por kryesisht merret me mjetet thelbësore për jetën e përditshme të Kishës në Kinë. Po mendoj, për shembull, për vlefshmërinë e sakramenteve të kremtuara dhe për sigurinë që miliona besimtarë kinezë ta jetojnë fenë në bashkimin e plotë katolik, pa u dyshuar se nuk janë qytetarë besnikë të vendit të tyre.
Në këto katër vite, duke ndjekur procedurën e Marrëveshjes së Përkoshme, janë shuguruar 6 ipeshkvij. Nuk ju duken pak?
Janë të parët, ndërsa po mendohen procedura të tjera. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë dioqeza pa ipeshkëv, ose me ipeshkvij shumë të moshuar. Ka dioqeza në të cilat rruga drejt pajtimit, aq e dëshiruar nga Papa Françesku, realizohet mirë, ndërsa në të tjera, me gjithë përpjekjet dhe vullnetin e mirë, dialogu me autoritetet nuk është i mundur. Shpresojmë sinqerisht që në dy vitet e ardhshme të vazhdojmë identifikimin e kandidatëve të duhur për episkopatin e Kishës në Kinë, sipas procedurës së vendosur. Natyrisht, nuk i fshehim vështirësitë e shumta, që ndikojnë në jetën konkrete të bashkësive katolike, të cilave u kushtojmë vëmendjen maksimale. Zgjidhja më e mirë ka nevojë për hapa të reja përpara, me një bashkëpunim, që ka protagonistë të shumtë: Selinë e Shenjtë, autoritetet qendrore, ipeshkvijtë me bashkësitë e tyre, autoritetet lokale. Në dritën e besimit të madh në Provaninë e Zotit, të ngushëlluar nga dëshmitë e vuajtura, por të ndritshme, të shumë të krishterëve kinezë, Papët e kohëve tona (Shën Gjon Pali II, Benedikti XVI, Papa Françesku) kanë vendosur të ndërmarrin dhe të vazhdojnë, pavarësisht nga kundërshtimet, rrugën e dialogut konstruktiv me Kinën. Marrëveshja e Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve zë në të një vend të kufizuar, por domethënës. Qëllimi përfundimtar i kësaj udhe është që "grigja e vogël" e katolikëve kinezë ta jetojë gjithnjë e më paqësisht e lirisht fenë e krishterë, të përbërë nga shpallja e Ungjillit, formimi i qëndrueshëm, kremtimi i gëzueshëm i Eukaristisë si dhe dëshmia aktive e bamirësisë, për t’u qëndruar afër atyre që nuk e kanë të lehtë ta përballojnë jetën, siç ndodhi në kohët e vështira të pandemisë.