Vatikani dhe presidenti i Komitetit Olimpik nënshkruajnë një apel për paqe
R.SH. - Vatikan
Edhe organi suprem botëror i sportit pranon se: në planet ka një luftë copë-copë, siç do të thoshte Papa Françesku. "Një luftë botërore qё po zhvillohet në mënyrë të fragmentuar", me më shumë se 100 milionë njerëz qё janё "tё detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, me familje të ndara dhe “nëna, baballarë, bij e vajza të panumërta” që “jetojnë me frikë, pa mundur të praktikojnë fenë e tyre, pa mundur t’i ndjekin ëndrrat e tyre për një jetë më të mirë apo edhe thjesht të praktikojnë sportin”.
Goditjet dhe solidariteti "i fuqishëm".
Apeli me një zë të titulluar "Ndiq rrugën e paqes" dhe i nënshkruar nga IOC, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, nga presidenti i tij Thomas Bach dhe nga tre krerët e Dikastereve të Kuries Romake, kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekti i Dikasterit tё Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin, Kardinali Kevin Farrell prefekt i Dikasterit pёr Laikët, Familjen e Jetën dhe Kardinali Michael Czerny prefekt i Dikasterit për Zhvillimin Njerëzor.
Tema e apelit - që pason audiencën e Papa Françeskut me presidentin e IOC Thomas Bach në fund të shtatorit të kaluar me rastin e Samitit "Sport for All” - është nxitja për të gjetur një harmoni ndërkombëtare që lufta në Ukrainë dhe krizat e tjera të armatosura të përhapura në të gjithë globin e kanë shkatërruar, së bashku me ngjarje të tjera duke filluar me pandeminë.
“Shuplaka e luftës, ndryshimet klimatike dhe vështirësitë ekonomike kanë sjellë dhimbje dhe vuajtje të patregueshme për miliona njerëz në mbarë botën”, thuhet në tekstin e deklaratës. Një "tragjedi njerëzore" nga e cila bota "ende po rikuperohet ende nga një pandemi globale që na kujtoi se sa të prekshme mund të jenë të gjitha qeniet njerëzore". Por ka një mësim që nënshkruesit theksojnë, "ndjenja e fuqishme e solidaritetit të ndërsjellët që doli nga kriza shëndetësore" mbi të cilën mund të mbështetet përgjigja ndaj "sfidave të shumta që sot e kërcënojnë njerëzimin dhe planetin tonë".
Sporti, një mjet gjithëpërfshirës
Prandaj apeli drejtuar liderëve botërorë pёr “të kërkuar zgjidhje të drejta e paqësore për të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet. Ne i ftojmë ata – kërkojnë nënshkruesit e apelit – të promovojnë dialogun, mirëkuptimin dhe vëllazërinë ndёrmjet popujve dhe të ruajnë dinjitetin e çdo burri, gruaje dhe fëmije, veçanërisht të tё varfërve, të të mënjanuarve dhe tё gjithë atyre që vuajnë nga dhuna e luftës dhe e konflikteve të armatosura”.
"Zoti - përfundon apeli - dëshiron paqen dhe unitetin e familjes sonë njerëzore" e kёshtu edhe nga sporti vjen një mësim i dobishëm "për të mirën e çdo kombi dhe çdo populli". "Lojërat Olimpike e Paraolimpike - thuhet në tekstin e apelit - janë një simbol i madh i këtij uniteti, sepse ato bashkojnë individë e popuj në një konkurrencë të shëndetshme dhe inkurajojnë botën tonë që ta shohë konkurrencën atletike si një mënyrë autentike drejt paqes", themeluar në disiplinën personale dhe përkushtimin ndaj punës në grup, në kërkimin e një përsosmërie”.