Kërko

St Thérèse de Lisieux St Thérèse de Lisieux

Papa Françesku dhe Shën Tereza e Lisieux

Më 1 tetor Kisha kujton Pajtoren Qiellore të misioneve, Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, lindur në Francë më 1873 në një familje thellësisht katolike. Është Shenjtorja më e dashur e Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

“Kur udhëtoj, e marr me vete”. Po ç’ka brenda?  Ka librin e lutjeve të ditës, briskun e rrojës, bllokun e shënimeve dhe një një libër për të lexuar - librin e Shën Terezinës, Pajtores sime”. Kështu iu përgjigj Papa Françesku pyetjes që i bënë gjatë konferencës për shtyp në fluturimin e kthimit nga Rio de Zhaneiro, më 2013, për çanten e tij të zezë, të cilën e mban gjithnjë me vete në shtegtimet e afërme e të largëta!

Tereza është Pajtorja Qiellore e Papës. E zgjodhi që kur ishte i ri e Ajo vijoi ta shoqërojë hap pas hapi edhe në çaste të tjera të Papnisë. Gjatë një bisede, gazetari i revistës Paris Match i bëri këtë pyetje Papës: “Pse ju, që jeni argjentinas, keni kaq devocion për njërën nga shenjtoret tona më të njohura, Tereza e Lisieux?” Përgjigjja e Papës: “Është një nga shenjtorët që na flet më shumë për hirin e Zotit dhe mënyrën se si Zoti kujdeset për ne, na merr për dore dhe na ndihmon të ngjitemi lehtësisht në malin e jetës, nëse e lëshojmë plotësisht veten në duart e Tij e  duke ecur në gjurmët e “Terezës së vogël që e kishte kuptuar gjatë jetës së saj të këputur, si këputen lulet për t’u vendosur mbi altar, se është dashuria Jezusit, ajo që i vë në lëvizje anëtarët e Kishës. Këtë më mëson Tereza e Lisieux! Më pëlqejnë edhe fjalët e saj kundër kureshtjes së tepruar. Edhe kundër llafeve të pakripë. Asaj, që e lëshoi plotësisht veten në krahët e Zotit, i kërkoj shpesh të më ndihmojë për të zgjidhur ndonjë problem të vështirë, për t’iu gjegjur ndonjë pyetjeje të vështirë a për të nisur një shtegtim të vështirë! Dhe i kërkoj, nëse  pranon ta marrë përsipër kërkesën time, të më dërgojë një trëndafil, si shenjë pranimi. Shumë herë më ndodh që ta marr një”...

Përpara shtatores së Shën Terezës

Shën Tereza e shoqëroi hap pas hapi Françekun. E ai i përgjigjet me të njëjtën dashuri. Kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajres, Kardinali Bergoglio  vinte shpesh në Romë me shërbim. Zakonisht ndalohej për t’u lutur në kishën e vogël të “Santa Maria Annunziata in Borgo", disa hapa larg Bazilikës së Shën Pjetrit. Fretërit françeskanë të Zojës së Papërlyer, kujdestarë të Kishës, nisën ta vërejnë praninë e këtij meshtari. Përpikmërisht, në orën nëntë të mëngjesit, ai ndalohej për t'u lutur me shumë nderim e përkushtim përpara shtatores të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Një ditë sakrestani iu afrua dhe e pyeti shtegtarin e devoçëm kush ishte e prej nga vinte. Mori menjëherë përgjigjen: “Jam Kardinali Jorge Mario Bergoglio, kryeipeshkëv i Buenos Aires”. Frati e kishte dëgjuar shpesh këtë emër, por pa i shkuar kurrë në mendje se shumë shpejt  do shikonte të ulur në fronmin e Shën Pjetrit. Rrugët e Zotit janë të pashqyrtueshme!

Një familje plot fe

Prindërit e Marie-Françoise Thérèse Martin ishin - siç i quante Ajo – “më të denjë për qiellin sesa për tokën”. U shpallën shenjtorë nga Papa Françesku më 18 tetor 2015. Bashkëshortët Ludovico Martin dhe Maria Azelia Guérin - pati nënvizuar Papa gjatë predikimit, “e jetuan shërbimin e krishterë në familje, duke ndërtuar ditë për ditë një ambient plot me fe e me dashuri”. “Në këtë klimë mungulluan thirrjet e vajzave, ndërmjet të cilave, edhe Shën Tereza e Krishtit Fëmijë”!

Fëmijë, e re, kundruese

Thérèse Françoise Marie Martin lindi në Alençon të Francës, më 2 janar 1873, në gjirin e një familjeje tregtarësh, besimtarë shembullorë. Hyri në Karmelin e Lisieux 15-vjeçare, falë një lejeje të veçantë nga Papa Leoni XIII. Dëshira e saj ishte të “shpëtojë shpirtrat” e, sidomos, “t’i lutet Zotit që t’i ndihmojë meshtarët”. Kur bëri kushtet e përjetshme, mori emrin Motra Tereze e Krishtit Fëmijë.  Pata hirin - shkroi më 1895 - ta kuptoj më mirë se kurrë dëshirën e pakufishme të Jezusit për dashurinë tonë! “Po ne mund të bëjmë vetëm një gjë: mund t’i dhurojmë Jezusit lulet e flijimeve tona të vogla, të përditshme”.

Zoti im, të dua

Pas nëntë vitesh jete rregulltare, Tereza vdiq në moshën 24 vjeçare, më 30 shtator 1897, nga tuberkulozi. Në buzët e irnuara nga vdekja, fjalët e fundit: “Zoti im, të dua!”. Në duar, Kryqi. Pas vdekjes dhe botimit të shkrimeve të saj, u bë një nga shenjtorët më të njohura dhe më të dashura. Në vitin 1923 u lumnua nga Papa Piu XI, i cili e quajti “ylli i  Papnisë së tij”. Më 17 maj 1925  u shpall shenjtore.

Në kremtimin eukaristik, Piu XI theksoi se Tereza “duke i shtuar emrin e Krishtit Fëmijë emrit të saj, u bë shprehje e gjallë e figurës së Jezusit; prandaj duhet thënë se kushdo që nderon Terezën, nderon dhe lavdëron shembullin hyjnor”. Më 19 tetor 1997, në njëqindvjetorin e vdekjes së saj, Shën Tereza e Lisieux u shpall doktore e Kishës. Gjatë predikimit Gjon Pali II e kujtoi si shenjtore që mbetet gjithnjë e re, edhe pse vitet kalojnë". “Tereza jo vetëm e përshkroi të vërtetën e thellë të Dashurisë, si qendër dhe zemër e Kishës, por edhe e jetoi  gjatë gjithë jetës së saj të shkurtër”.

"Nuk mund t'i frikësohem Zotit që e ka bërë veten kaq të vogël për mua! Unë e dua atë! Në fakt, ai nuk është gjë tjetër veçse dashuri dhe mëshirë". (Shën Tereza e Fëmijës Jezus). Në Lisieux vizituam vendet e shenjtores sonë mbrojtëse Therese. Ishte emocionuese të lutesh para trupit të tij dhe të shihje objektet që përdorte në jetën e tij.

Lutja e Shën Terezës

Dëshiroj të bëj përsosurisht vullnetin tënd dhe të arrij shkallën e lumnisë, që e përgatite për mua në mbretërinë tënde; me një fjalë dua të jem e shenjtë, por e ndjej ligshtinë dhe të kërkoj Ty, o Zot, të jesh shenjtëria ime! Nuk dua Fron tjetër, as kurorë tjetër, përveç Teje, i dashuri im!

01 tetor 2022, 15:07