Sinodi, hartohet dhe i dorëzohet Papës Dokumenti i fazës kontinentale
R.SH. - Vatikan
Rreth 50 pjesëmarrës nga e gjithë bota u takuan ditët e fundit në Frascati, në Qendrën Gjoni XXIII, për të dëgjuar, për të dialoguar dhe për të shqyrtuar, duke u nisur nga Sintezat Sinodale, pas këshillimit me popullin e Zotit. Duke ndjekur metodën e bisedës shpirtërore, gjatë dymbëdhjetë ditëve të punës “specialistët” shkruan Dokumentin për etapën kontinentale. Në përfundim të takimit, Papa Françesku takoi të dielën, më 2 tetor, pjesëmarrësit në një audiencë private në Pallatin Apostolik.
Grech: Kisha, shtëpi për të gjithë
“Vijmë tek Ju, në fund të një përvoje kishtare të pashembullt, të jashtëzakonshme, që na ndihmoi të njohim pasurinë e fryteve të Shpirtit Shenjt në Popullin e Zotit. Habitemi për mrekullitë që bën Zoti në kishën e tij!” - pohoi kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, në përshëndetjen e tij drejtuar Papës. “Pasi ndenjëm ulur për shumë ditë, për të dëgjuar sa më gjatë e sa më mirë zërat e Popullit të Zotit, rifillojmë ecjen përkrah vëllezërive, me gëzim të shumëfishuar. Do të jemi, secili në rolin e vet, në gjirin e Popullit të Perëndisë me të cilin ecim, dëshmitarë të mrekullive që po bën Zoti. Mund të themi se Kisha është shtëpi e hapur për të gjithë, sepse përvoja e sinodalitetit, që po e jetojmë, na shtyn të ‘zgjerojmë hapësirën e çadrës’ për t'i mirëpritur vërtet të gjithë”.
Përgatitet Dokumenti
Takimi i Papës me specialistët - thuhet në shënimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve, u zhvillua në atmosferë vëllazërimi, në përfundim të një pune, që zgjati dymbëdhjetë ditë. Gjatë këtyre ditëve grupi i ekspertëve përpunoi dokumentin që do të shqyrtohet nga Populli i Zotit për fazën e dytë të procesit sinodal 2021-2023.
Në qendër të punimeve, sintezat e 112 Konferencave Ipeshkvnore (nga 114), por edhe ato të Kishave Katolike Lindore, të Kongregatave Rregulltare, të Shoqatave, të Lëvizjeve Kishtare, të Dikastereve të Vatikanit dhe kontributet individuale të marra nga Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit. Pati edhe përgjigje të jashtëzakonshme nga kishat vendase!
Takimi në Frascati
Në Frascati - njofton akoma nota - pjesëmarrësit u përpoqën të realizonin një shqyrtim komunitar përmes metodës së bisedës shpirtërore, siç u provua nga grupe të shumta në fazën e parë të procesit sinodal. Përmes kohëve të dëgjimit dhe të dialogut, takimeve plenare ose grupeve të punës sipas përkatësisë gjeografike, statusit kishtar ose gjinisë, pjesëmarrësit fillimisht prekën problemet më të mprehta, siç u pasqyruan në sintezë, për të arritur më pas në përpunimin e mirëfilltë të Dokumentit, në fillim me bocën e parë e më pas me të dytën, me lexime, diskutime dhe korrigjime.
Përgatitja shpirtërore
Vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjes shpirtërore të pjesëmarrësve përmes kremtimit të Meshës së përditshme dhe liturgjisë me çaste të ndryshme lutjeje, për të hapur dhe për të shoqëruar procesin. I koordinuar nga At Giacomo Costa S.J, anëtar i Komitetit Koordinues të Sekretariatit të Sinodit, takimi u kryesua nga Kardinali Mario Grech dhe Kardinali Jean-Claude Hollerich, relator kryesor i Asamblesë XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve.
Këtij grupi burrash e grash, ipeshkvijsh, meshtarësh, rregulltarësh e laikësh, më 30 shtator iu shtuan edhe anëtarët e Këshillit XV të Zakonshëm të Sinodit të Ipeshkvijve. Shqyrtimi i kryer, si për numrin e madh të pjesëmarrësve, ashtu edhe për metodën e miratuar, është një unicum – rast i pashoq - për Sekretariatin e Përgjithshëm të Sinodit.
Dokumenti për Etapën Kontinentale, i shkruar njëkohësisht në italisht dhe anglisht, u miratua nga Këshilli dhe iu dorëzua Atit të Shenjtë. Do të bëhet publik nga gjysma e tetorit dhe do t’u dërgohet njëkohësisht të gjithë ipeshkvijve, si akt që do t’i rikthehet popullit të Zotit.