U paraqit dokufilmi “Letra”, frymëzuar nga “Laudato si’”
R.SH. – Vatikan
Në ditën e festës së Shën Françeskut të Asizit, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit dokufilmi me titull “Letra”, që përqendrohet në aftësinë e njerëzimit për t’i vënë fre krizës ekologjike. Dialogu ekskluziv me Atin e Shenjtë, në këtë dokumentar, që i ngjan mjaft filmit, i jep shikuesit informacione mbi historinë personale të Papës Françesku, duke shfrytëzuar edhe pamje të papublikuara të ngjitjes së tij në fronin e Shën Pjetrit.
Protagonistët e këtij dokumentari, premiera e të cilit në nivelin botëror fillon në orën 18.30, në sallën e re të Sinodit, në Vatikan, janë një indigjen nga Amazona, një refugjat nga Senegali, një aktiviste e re indiane dhe dy shkencëtarë amerikanë. Zëra, që përfaqësojnë edhe njerëz të tjerë, shpesh të padëgjuar, për çështjet kritike, që lidhen me ndryshimet klimatike. Disa çaste në dokumentar i lihen kardinalit Raniero Cantalamessa, i cili kujton rrënjët françeskane në bazën e mesazhit të enciklikës “Laudato si’”. Dokufilmi “Letra”, që i referohet letrës qarkore, pra, enciklikës së Papës kushtuar ekologjisë së gjithanshme, mund të shihet falas në kanalin YouTube Originals. U prodhua nga ekipi fitues i çmimit Oskar, “Off the Fence” (Jashtë gardhit), në bashkëpunim me lëvizjen “Laudato si’” dhe me Dikasteret vatikanase për Komunikimin dhe për Zhvillim e Gjithanshëm Njerëzor.
Kriza ekologjike i prek të gjithë
Konferenca për shtyp u hap me ndërhyrjen e kardinalit Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Kardinali nënvizoi se “në enciklikën ‘Laudato si’’, Papa Françesku dëshiron të hyjë në dialog me të gjithë njerëzit e planetit, të shtëpisë sonë të përbashkët. Kriza mjedisore nuk është problem, që shqetëson vetëm katolikët. Ajo i prek të gjithë, si njerëzit e sotëm, ashtu edhe brezat e ardhshëm. Ky film është një britmë alarmi për njerëzit e mbarë botës: duhet të veprojmë së bashku e, duhet të fillojmë tani”, që sot, pa pritur të nesërmen.
Në paraqitjen e dokumentarit foli edhe Hoesung Lee, president i Grupit Ndërqeveritar të Ekspertëve për Ndryshimet Klimatike, i cili u ndal në rëndësinë e aleancës ndërmjet fesë dhe shkencës për t’u vënë fre rreziqeve të shumta, që lidhen me ndryshimet klimatike. Bashkësia shkencore është gati të bashkëpunojë me artistë e me njerëz të fesë. Si feja, ashtu edhe arti, shpjegoi Lee, mund të frymëzojnë ndërhyrjen kolektive në favor të klimës. Për regjisorin Nicolas Brown, i cili shpjegoi strukturën e dokumentarit, sfida më serioze për njerëzimin është trajtimi i problemit të dyfishtë të ndryshimit të klimës dhe të humbjes së biolarmisë.
Të veprojmë së bashku për të frenuar pasojat e ndryshimeve klimatike
Kryetarja e Këshillit Administrativ të Lëvizjes “Laudato Si’”, Lorna Gold, kujtoi se mesazhi i Françeskut u drejtohet të gjithëve: çdo qenie njerëzore mund të japë kontributin e tij ose të saj në mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. Shenjat e katastrofës ekologjike, vuri në dukje ajo, janë kudo. Ky film nxjerr në pah pasojat tragjike të mosveprimit, por tregon edhe rrugën për t’u ndjekur.
Në konferencën për shtyp foli edhe një nga protagonistët e filmit. Ishte Cacique Odair "Dadá" Borari, kreu i përgjithshëm i Territorit Indigjen Maró, në Pará (Brazil), që vuri në dukje përparësinë e mbrojtjes së territorit të Amazonës. “Unë flas në emër të pyllit dhe të popullsisë indigjene, që lufton për drejtësi”. “Shpresoj që presidentët e të gjitha vendeve të bashkojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe për ta mbrojtur Amazonën”. Urojmë, shtoi ai, që presidenti i ri i Brazilit të jetë në gjendje të zbatojë një "politikë të re", në të cilën nuk do të ketë vend për shkatërrimin e pyjeve.