Kardinali Pietro Parolin në OKB Kardinali Pietro Parolin në OKB

Ukrainë: kard. Parolin, “armëpushim urgjent”

Në një intervistë për revistën kishtare italiane “Famiglia Cristiana” (Familja e Krishterë), Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, komenton thirrjet e fundit të Papës Françeskut për luftën në Ukrainë: "Vetëm 'skemat e paqes' mund të garantojnë një të ardhme për njerëzimin".

R.SH. – Vatikan

 "Jo vetëm që e konsideroj armëpushimin të mundshëm, por e gjykoj të domosdoshëm dhe urgjent”. Në një intervistë që revista kishtare italiane “Famiglia Cristiana” (Familja e Krishterë) e boton në numrin e nesërm, 13 tetor, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, komenton thirrjet e fundit të Papës Françeskut për luftën në Ukrainë: "Vetëm 'skemat e paqes' mund të garantojnë një të ardhme për njerëzimin. Nëse do të mbizotërojnë interesat partiake, dhuna, mbizotërimi, kolonizimi ekonomik dhe ideologjik, ligji i më të fortëve - pra 'skemat e luftës' - jemi të destinuar të mos kemi të ardhme”.

“Paqja arrihet mbi bazën e drejtësisë e të ligjit”, vijon kardinali. "Nuk ka paqe pa drejtësi, por nuk ka drejtësi pa falje, siç thoshte Shën Gjon Pali II në fillim të këtij mijëvjeçari të ri. E është po aq e vërtetë që falja kërkon kthesë, domethënë ndryshimin e qëndrimit, që pasqyrohet në veprime. Nuk jam në gjendje t'ju them se cila paqe është e mundur. Di vetëm se pa hapa konkrete nga ana e të gjithëve, ka rrezik të biem në një spirale pa kthim, me pasoja katastrofike".

“Armëpushimi për të ndalur armët, bombardimet e shkatërrimet, është hapi i parë i domosdoshëm”, thekson Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë. "Ky hap, megjithatë, duhet të shoqërohet dhe të inkurajohet edhe me gjeste jo kërcënuese, por me gjeste besimi dhe vullneti të mirë, të cilat krijojnë kushtet për dialog dhe u hapin rrugën bisedimeve. Papa ka qenë i qartë për këtë. Fatkeqësisht, ne pothuajse u mësuam me lajmet për luftën: jo vetëm që e konsideroj armëpushimin të mundshëm, por e gjykoj të nevojshëm dhe urgjent. Shpresojmë dhe lutemi që thirrja e Françeskut të dëgjohet!”. Sa i përket takimit ndërmjet Papës dhe Patriarkut ortodoks të Moskës Kirill, “megjithë vështirësitë, dyert mbeten të hapura dhe dialogu nuk ndërpritet, edhe nëse has në keqkuptime”, përgjigjet kardinali Parolin. “Nga ana e Selisë së Shenjtë, nuk ka munguar kurrë dëshira, megjithëse rrethanat e penguan takimin të bëhet realitet. Ne e kuptojmë se edhe nga ana e Kishës Ortodokse ekziston kjo dëshirë”.

Kardinali Parolin e hedh më tej vështrimin e tij në zonat e tjera të gjakosura të planetit: "Të mos harrojmë tragjedinë e Sirisë, Jemenit, Tigray-t, shkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Largët... Edhe kur flitet më pak për disa konflikte, nuk ka ndonjë luftë më pak të dhimbshme se të tjerat, nuk ka jetë që vlejnë më pak”.

12 tetor 2022, 15:03