Grech: në Indi, një “Kishë plot gjallëri”; edhe indutë e myslimanët në Sinod
R.SH. - Vatikan
Një Kishë e “gjallë” me “shumë ngjyra” e cila, pavarësisht distancave – fizike, por edhe pamjesh – ka nisur rrugën sinodale, të dëshiruar dhe të nxitur nga Papa, duke përfshirë, në disa raste, edhe besimtarë të feve të tjera. Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, kujton se u kthye “i pasuruar” nga udhëtimi i tij i fundit më 6-9 nëntor në Indi, ku u takua me Konferencën e Ipeshkvijve mbledhur në asamblenë e 35-të plenare në Bangalore dhe me bashkësitë vendase, duke përfshirë edhe ata myslimane, që e pritën në Xhaminë Masjid.
“Nuk shkova si turist, por doja të njihja mirë kishën vendase. U ktheva kishtarisht më i pasuruar, se kur u largova, mbasi takova një Kishë me shumë ngjyra, si për faktin se në Indi kemi tre rite, ashtu edhe sepse është një kishë që jeton në një kontekst shumëfetar. Ka të krishterë, hindu, myslimanë dhe besime të tjera të krishtera - kujton Kardinali në një intervistë për mediat e Vatikanit. Po, është një kishë e gjallë, plot entuziazëm, pavarësisht se pakicë (katolikët janë rreth 2%), por ka vizion”.
Çfarë vizioni?
“Vizion ungjillëzues. Kisha e Indisë është fryt i shpirtit misionar, është një nga gjërat që më ka prekur më shumë, sepse unë, duke ardhur nga Malta, nuk e dija që isha pranë disa ipeshkvijve - jo një, jo dy, por disa - e dikush më tha se ishin priftërinj ose ipeshkvij, sepse gjetën mbështetje nga dioqeza ime. Nuk e prisja”.
Mes gjithë këtyre “ngjyrave”, si u prit ftesa për sinodalitet dhe si u jetua rrugëtimi sinodal? Duke pasur parasysh dallimet e shumta dhe shumëllojshmërinë e pikëpamjeve, që ndoshta mund të përfaqësojnë një pengesë për udhëtimin së bashku ...
“Para takimit me Konferencën e Ipeshkvijve, kalova dy ditë me kryeipeshkvin e Bangalores. Pranë tij ishte një bari tjetër, i cili më tha se kishte arritur të aktivizonte shumë e shumë njerëz, duke përfshirë myslimanë dhe hindu. Kjo më gëzon, sepse një nga orientimet e rrugës sinodale ishte të dëgjoheshin jo vetëm njerëzit e tyre, por të hapeshin disa rrugë për të përfshirë edhe të tjerët. Sigurisht ka sfida, por duke parë sesi janë angazhuar dhe po angazhohen ipeshkvijtë, bindemi se po përpiqen të ndërtojnë ura, në mënyrë që bashkimi të jetë më i gjerë. Ndërsa secili prej nesh respekton identitetin e vet, ne do të jemi në gjendje të ecim së bashku dhe të gjejmë mënyra për të përmbushur qëllimin e përbashkët të të gjithëve: të shpallim Krishtin në botën e sotme”.
Çfarë përvojash dolën nga ana e këtyre besimtarëve myslimanë dhe hindu?
“Për shembull, kur vizitova xhaminë në Bangalores, u mahnita nga mënyra se si myslimanët na pritën dhe sa të interesuar ishin për të kuptuar çfarë do të thotë ky proces sinodal në Kishën katolike. Shpresoj se vizita do ta ndihmojë kishën vendase për të mbështetur dialogun me vëllezërit myslimanë. Për më tepër, udhëtimi im përkoi me atë të Atit të Shenjtë në Bahrein e ata shprehën admirim dhe vlerësim për afërsinë e Papës me Islamin, për të krijuar ura. Një nga pyetjet që më bënë, ishte se si fetë mund ta ndihmojnë njeriun të kapërcejë luftërat, konfliktet, dhunën. Kur më kërkuan të firmosja Librin e Vizitave, u përpoqa të përgjigjem duke shkruar se ata që besojnë në një Zot nuk mund të mos nisin rrugën drejt një bote që respekton më shumë dinjitetin njerëzor, një bote që e dëshiron vërtet paqen dhe prandaj do të jetë në gjendje të kapërcejë padrejtësitë, dhunën, konfliktet”.
Në fazën e parë të rrugëtimit sinodal, fazën këshilluese, çfarë reagimi pati nga India?
“Kisha Latine ka 132 dioqeza; prej tyre u përgjigjën 129. Pothuajse 100% e kishave të veçanta morën pjesë, e po ashtu edhe kishat dhe heparkitë e tjera. E di se ata kanë punuar shumë mirë, kanë krijuar grupe për të planifikuar këshillime apo edhe për të propozuar programe formimi për njerëzit dhe veprimtarët baritorë, pavarësisht nga vështirësitë krijuar nga Covidi dhe distancave të mëdha. Kështu këshillimet mbërritën jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra”.