Kardinali Ayuso: bota ka nevojë për dialog ndërfetar për paqen
R. SH. - Vatikan
Rikthehemi te vizita e Papës në Bahrein ku Ati i Shenjtë, ndërmjet tjerash, foli edhe në mbylljen e “Forumit të Bahreinit për Dialog: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore”. Në këtë drejtim, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot nënvizon rëndësinë e ngjarjeve të ngjashme, që e forcojnë vëllazërinë njerëzore në një planet, që është teatri i konflikteve.
Dialogu, sipas kardinalit Miguel Ángel Ayuso Guixot, është “qëndrim ekzistencial” që duhet ta mbajë çdo qenie njerëzore në jetën e tij, për të promovuar paqen në botë. Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar e bëri këtë vërejtje duke kujtuar "Forumin e Bahreinit për Dialog: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore", i cili përfundoi të premten me ndërhyrjen e Papës Françesku, në ditën e dytë të udhëtimit të tij apostolik në Bahrein.
Forumi i Bahreinit për Dialog
Veprimtaria dyditore u sponsorizua nga Mbreti Hamad bin Isa Al-Khalifa për të nxitur frymën e vëllazërisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet ndjekësve të besimeve të ndryshme, që të punojnë së bashku për përballimin e sfidave dhe të problemeve aktuale të botës, që kërcënojnë shtëpinë e përbashkët dhe paqen, në frymën e Dokumentit historik për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën botërore. Kjo thirrje u nënshkrua më 4 shkurt 2019 në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Papa Françesku dhe Sheikh Ahmed Al-Tayeb, Imami i Madh i xhamisë egjiptiane të Al-Azhar.
Forumi ndërfetar, i cili mblodhi së bashku rreth 200 udhëheqës fetarë dhe studiues të shquar nga e gjithë bota, është i fundit në rendin kronologjik të një sërë ngjarjesh që synojnë të promovojnë bashkëjetesën vëllazërore dhe paqësore ndërmjet njerëzve të feve dhe kulturave të ndryshme për të mirën e njerëzimit, nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, gjithashtu në përputhje me enciklikën Fratelli tutti të Françeskut dhe me Frymën e Asizit të Papës Gjon Palit II.
Ngjarja vjen më pak se dy muaj pas Kongresit të shtatë të liderëve të feve botërore dhe tradicionale, në Nur-Sulltan, në të cilin Papa mori pjesë në shtator të këtij viti gjatë udhëtimit të tij apostolik në Kazakistan, së bashku me Imamin e Madh Al-Tayeb - autoriteti më i lartë i islamit sunit - dhe Patriarkun Ekumenik të Konstandinopojës Batholomeo.
Në gjurmët e Papës dhe Imamit të Madh
Në intervistën e dhënë për Vatican News në përfundim të "Forumit të Bahreinit", kardinali Ayuso Guixot nënvizoi rëndësinë e këtyre takimeve ndërfetare e, në veçanti, të këtij takimi për paqen në një botë të rrënuar nga lufta.
“Në këtë kontekst, takimi i Bahrein-it është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse përmes tij po vijojmë sërisht rrugën e ndjekur nga Papa Françesku dhe Imami i Madh (Al-Tayeb) i Al-Azharit”.
Forumi - tha ai - është ftesë drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ta jetuar këtë vëllazërim njerëzor, aq të nevojshëm për mbarë botën”. Duhet, prandaj “të bashkohemi për ta promovuar këtë projekt të bukur të dinjitetit njerëzor”, përballë konflikteve në vijim dhe shqetësimeve, që vijojnë të krijojnë.
Së bashku për paqen
Duke i bërë jehonë fjalëve të Papës Françesku gjatë fjalimit mbajtur në Forum të premten, kardinali Ayuso këmbënguli më pas për nevojën që liderët fetarë, në veçanti, të bashkojnë dhe të shpeshojnë marrëdhëniet e tyre, duke iu kundërvënë, kështu, logjikës së ndeshjes, për të ndihmuar në arritjen e qëllimit të paqes, aq të dëshiruar nga mbarë njerëzimi!