Kryeipeshkvi Paglia: kujdesi paliativ e mbron njeriun përballë eutanazisë
R. SH. - Vatikan
“Mjekimet paliative i përkasin përmasës kulturore. Kanë të bëjnë me shoqërimin e të sëmurit dhe kujdesin për çastet e tij të fundit në nivel mjekësor dhe shpirtëror”. Këtë pohon imzot Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, me rastin e Ditës kombëtare të mjekimeve paliative, e cila festohet çdo 11 nëntor në përkim me festën liturgjike të Shën Martinit të Tours.
Manteli i Shën Martinit
Ditën e festës së Shën Martinit kujtohet edhe episodi kur Shenjti, ushtar i ri, e ndau përgjysmë mantelin e tij (nga latinishtja, pallium) për të mbuluar me të një lypës gjysëm lakuriq, që takoi në rrugë; prandaj termi paliativ lidhet pikërisht me mantelin e ngrohtë dhe bujarinë e Shenjtit, prej nga pastaj, promovimi i së drejtës për mjekimet paliative u lidh me këtë festë.
Imzot Paglia: mjekimi paliativ, kundër eutanazisë
Në deklaratën për shtyp lëshuar me këtë rast, Imzot Paglia kujton se “Italia e ka kuptuar rëndësinë e mjekimit paliativ edhe falë Ligjit 38 të vitit 2010 për Mjekimin Paliativ dhe Terapinë e Dhimbjes”. Prej një viti, pastaj – vijon Ipeshkvi - hyri plotësisht në mësimdhënien universitare të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Kirurgjisë.” Më pas Imzot Paglia e shikon mjekimin paliativ si një nga përgjigjet më të suksesshme për ta ndaluar eutanazinë, përmes kujdesit ndaj njeriut në fazën e shuarjes së jetës: “Mjekimi paliativ - vazhdon Prelati – është përpjekje për mbrojtjen e jetës dhe të qenies njerëzore, refuzim kundër kokëfortësisë së praktikimit të eutanazisë. Kurat paliative na lejojnë t’i kundërvihemi vetmisë së të sëmurit, që numëron orët e fundit të jetës pacientit dhe heshtjes së shoqërisë në këto orë të jashtëzakonshme! Ndërsa për ne besimtarët vdekja është Porta e madhe që hapet për jetën, fund i pritjes për ta jetuar premtimin e Jezusit”.
Akademia i mbështet mjekimet paliative në mbarë botën
Nota e Akademisë Papnore për Jetën ndalohet më pas tek projekti i saj specifik, i nisur në vitin 2017, kushtuar nxitjes për përdorimin e mjekimeve paliative në botë. Në këtë kuadër u realizua “Libri i Bardhë” (i shkruar anglisht nga një grup ndërkombëtar specialistësh, përkthyer në italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe së shpejti në spanjisht dhe portugalisht) dhe u mbajtën disa konferenca ndërkombëtare. Më 28 tetor 2019 në skenarin e Shtëpizës Piu IV, në Vatikan, u nënshkrua nga përfaqësuesit e tri feve abrahamike dokumenti i përbashkët për problemet e fundit të jetës dhe përhapjen e mjekimeve paliative.
Më 1 dhjetor, një webinar mbi kujdesin paliativ perinatal
“Projekti - kujton Imzot Renzo Pegoraro, kancelar i Akademisë Papnore për Jetën – vazhdon më 1 dhjetorin e ardhshëm me një webinar, kushtuar temës “Mjekimet Paliative Perinatal”. Disa nga ekspertët më të njohur ndërkombëtarë do të marrin pjesë në punimet e pasdites për një bilanc të kësaj çështjeje lidhur dhe me shoqërimin sa më të mirë në çastin e lindjes, në rast sëmundjesh shumë të rënda, të papajtueshme me jetën. “Në këtë mënyrë, u ofrohet mbështetje dhe ndihmë e paçmuar prindërve për të pranuar gjendjen e paaftësisë së rëndë të fëmijës së palindur dhe për të ofruar një ndihmë të mirë, duke shmangur format e trajtimit të vazhdueshëm apo të rënies drejt eutanazisë”, shpjegon Imzot Pegoraro.
Mesazhi i Françeskut
Në vitin 2015, gjatë fjalimit mbajtur në Plenaren e Akademisë Papnore për Jetën, Papa Françesku theksoi:
“I inkurajoj profesionistët dhe studentët të specializohen në këtë lloj ndihme, me shumë vlerë, edhe pse ‘nuk e shpëton jetën’. Kurat paliative realizojnë diçka po aq të rëndësishme: vlerësojne njeriun (…). Kjo aftësi për t’i shërbyer jetës dhe dinjitetit të të sëmurit, edhe kur është i moshuar, është masë për përparimin e vërtetë të mjekësisë dhe të shoqërisë në tërësi”.
Në vitin 2018, në Mesazhin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit gjatë Kongresit kushtuar mjekimeve paliative, kardinali Pietro Parolin vuri në dukje se “kur të gjitha burimet që mund të përdoren duken të shteruara”, pikërisht atëherë shfaqet aspekti më i rëndësishëm në marrëdhëniet njerëzore: prania! Të jesh i pranishëm, pranë njeriut që numëron çastet e fundit”.