Në Vatikan ""Book! Boom!", ekspozita e parë e grafistes Irma Boom
R.SH. - Vatikan
Për herë të parë në Vatikan do të hapet një ekspozitë e Irma Boom, grafiste holandeze, një nga më të njohurat në botë. Ekspozita, e realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës pranë Selisë së Shenjtë, do të përurohet më 18 nëntor, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Do të nisë në shkallët e hyrjes, ku do të mund të soditen disa nga krijimet më emblematike të artistes. "Galeri e vërtetë futuriste", e quajnë organizatorët ekspozitës, duke e propozuar si një nga ekspozitata ku për herë të parë shfaqen posterat dhe disa nga produktet më domethënëse të librit nga koleksioni i Don Giuseppe De Luca, prift dhe studiues, figurë e shquar e Nëntëqindes Italiane
Brenda hapësirës së ekspozitës mund të admirohen, vendosur krah për krah, nga njëra anë librat e krijuar nga stilisti holandez, nga ana tjetër, shembuj të shkëlqyer të kaligrameve të lashta dhe moderne, greke, latine dhe arabe. Të pranishme edhe krijime nga prodhimi grafik i Bruno Munarit, i cili, duke u nisur nga futurizmi i parë, gjurmoi një trajektore që i afrohet saktësisht prodhimit të kaluar dhe aktual të artistit nga Holanda.
Një dritare e hapur drejt botës bashkëkohore
“U çudita kur mbërrita në Bibliotekën e Vatikanit e zbulova traditën ende të re dhe plot gjallëri të ekspozitave, që vulosin takimin e një artisteje bashkëkohore - në këtë rast libërlidhsja Irma Boom – me trashëgiminë tonë historike”, shpjegon bibliotekari, Imzot Angelo Vincenzo Zani. “Është një mundësi e jashtëzakonshme që ia hap mëtej botës bashkëkohore dyert e institucionit tonë, ku sot po inaugurojmë edicionin e tretë, të cilin personalisht jam i lumtur ta shoqëroj”.
Dialog magjepsës
“Jam e kënaqur që Ambasada kontribuoi në këtë bashkëpunim inovativ me Bibliotekën e Vatikanit”- pohon Annemieke Ruigrok, ambasadore e Mbretërisë së Holandës pranë Selinë e Shenjtë. "Ky dialog ndërmjet lidhjes moderne holandeze të librave dhe dokumenteve të Bibliotekës së Vatikanit është magjepsës. Shpresoj të bëhet e qartë për të gjithë se sa shumë u frymëzua Irma Boom nga veprat e koleksionit të Bibliotekës së Vatikanit".
Ekspozita u përgatit nga Don Giacomo Cardinali, Simona De Crescenzo dhe Delio Proverbio, punonjës të Bibliotekës Apostolike. “Çdo ekspozitë është mundësi për ne që të eksplorojmë zonat e lëna pas dore të trashëgimisë sonë: takimi me Irma Boom na lejoi të bëhemi të vetëdijshëm për një koleksion mahnitës posterash dhe librash futuristë, të ‘fshehur’ në fondin e librave të shtypur nga Don Giuseppe De Luca - nënvizon Don Giacomo Cardinali, i cili është edhe komisioner i Hapësirës së Ekspozitës.
Libri, çelësi për të kuptuar të kaluarën
Ekspozita është mundësi edhe për të paraqitur donacionin e madh të Irma Boom për Bibliotekën e Vatikanit. Siç nënvizon artistja: "Në epokën e fluksit të internetit, libri mbetet një nga mjetet më të qëndrueshme të komunikimit gjatë gjashtëqind viteve të fundit. Është jetik, pjesë integrale dhe themelore e traditës dhe e kulturës sonë, burim dije dhe urtie, çelës për të kuptuar të kaluarën e për të hapur dritaret drejt së ardhmes. E dëshmon këtë Biblioteka e Vatikanit!”.
Projektet dhe punimet
Ndër veprat e ekspozuara nga Irma Boom, mund të përmendim disa projekte të porositura nga shtëpitë e famshme: “Renault = Présent” (2016), një libër me peshë 1,5 kg, sepse i printuar në letër shumë të hollë alumini me shkëlqim, në të cilën pasqyrohen faqet njëra mbi tjetrën me ngjyra monokromatike, që të kujtojnë ato të karrocerive. Ose “N°5 culture Chanel” (2013), në të cilin padukshmëria e parfumit dhe gjurmët e tij të shpejta dhe të vazhdueshme, shndërrohen në një vëllim krejtësisht të bardhë, pa më të voglin gjurmë boje, pasi ajo që është shkruar dhe ilustruar aty është e stampuar duke përdorur kopje matriçeje.
Përvoja shqisore e një lloji krejtësisht tjetër është ajo që lejon "Mutilaties" (2017), një vëllim në të cilin janë prerë tridhjetë gjysmërrethe në secilën faqe për t'u siguruar që kur ta shfletojmë, të hapen dhe të lëshojnë një tingull, sikur të ishim duke e dëmtuar. Një metaforë, për të trajtuar çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes së origjinaleve të letrës dhe digjitalizimit. Shtylla e ekspozitës janë - vendosur për herë të parë pranë njëri-tjetrit – “Elementet e Arkitekturës” (2018) dhe “Depero futurista 1913‐1927”, i njohur më mirë si libri me bulona.
Në vend të kësaj, nga depozitat e Vatikanit vjen një dëshmi e jashtëzakonshme e De laudibus Sanctae Crucis, e shkruar me dorë nga Rabanus Maurus, e shënuar në shekullin e 11-të, e pasur me kaligrame shumëngjyrshe, vepër e stilistit Tsukishita Miki, i cili e përktheu fjalimin e Gjon Palit II mbajtur më 25 shkurt 1981 në Hiroshima, në poemë figurative, si dhe një përzgjedhje e vogël e prodhimit grafik të Bruno Munarit. Veçanërisht i rëndësishëm, "Libri i tij i palexueshëm bardh e kuq", i cili në vend që të mbështesë një rrëfim, është paraqitet si një tregim shfaqjeje, me të cilin lexuesi thirret të ndërveprojë drejtpërdrejt.
Ekspozita, që do të jetë e hapur deri më 25 shkurt 2023, mund të vizitohet me kërkesën e biletës, në faqen e internetit të Bibliotekës.