Kërko

2022.11.22 2022.11.22

Papa emëron një Komisioner të jashtëzakonshëm për t’i dhënë hov shërbimit të Caritas Internationalis

Me një dekret të bërë publik sot, Papa Françesku ka emëruar Pier Francesco Pinelli në postin e komisionerit të jashtëzakonshëm për Caritas Internationalis, federatën e të gjitha Caritaseve kombëtare që veprojnë në botë, “me të gjitha kompetencat e qeverisjes”. Pushojnë nga detyrat e tyre, anëtarët e Këshillit Përfaqësues dhe Këshillit Ekzekutiv, presidenti dhe nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm arkëtari dhe ndihmësi kishtar

R.SH. - Vatikan

Pas vlerësimit të punës nga një komision i pavarur, menaxhmenti i Caritas Internationalis (CI) i është nënshtruar një komisioneri të përkohshëm me qëllim të përmirësimit të rregullave dhe procedurave të menaxhimit - megjithëse menaxhimi financiar është i saktë dhe synimet për mbledhjen e fondeve janë përmbushur - me qëllim pë r t'u shërbyer sa më mirë organizatave anëtare të konfederatës së Caritas Internationalis në mbarë botën.

Papa Françesku ka emëruar sot zotin Pier Francesco Pinelli Komisioner të jashtëzakonshëm të Caritas Internationalis, emërimi tij hyn në fuqi nga 22 nëntori 2022. Pinelli është një konsulent i njohur profesional dhe organizativ. Atij do t'i bashkohet znj. Maria Amparo Alonso Escobar, drejtuese aktuale e avokimit të Caritas Internationalis, dhe nga At Manuel Morujão S.J. për shoqërimin personal e shpirtëror të stafit.

Gjatë periudhës së komisionerit pushojnë të gjitha emërimet aktuale ekzekutive brenda Caritas Internationalis. Me hyrjen në fuqi të këtij dekreti pushojnë nga detyrat e tyre, anëtarët e Këshillit Përfaqësues dhe Këshillit Ekzekutiv, presidenti, kardinali Luis Antonio Tagle, dhe nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm Aloysius John, arkëtari dhe asistenti kishtar. Emërimi i një Komisioneri të jashtëzakonshëm për Caritas Internationalis nuk do të ketë ndikim në funksionimin e organizatave anëtare dhe në shërbimin e solidaritetit global të promovuar prej Caritaseve, por do të shërbejë për forcimin e misionit dhe të shërbimit.

"Caritas Internationalis ndihmon Papën dhe Ipeshkvijtë në ushtrimin e shërbesës së tyre ndaj më të varfërve dhe më nevojtarëve, duke marrë pjesë në menaxhimin e emergjencave humanitare dhe duke bashkëpunuar në përhapjen e bamirësisë e të drejtësisë në botë në dritën e Ungjillit dhe të mësimeve të Kishës Katolike”, thuhet në dekretin e nënshkruar dje nga Papa Françesku.

“Për të përmirësuar shërbimin dhe misionin e këtij organizmi të Kishës, duket i nevojshëm rishikimi i kuadrit rregullator aktual për ta bërë atë më të përshtatshëm me funksionet statutore të Entit, si dhe për përgatitjen e këtij të fundit për zgjedhjet që do të zhvillohen gjatë Asamblesë së ardhshme të Përgjithshme”, thuhet akoma në dekretin papnor.

22 nëntor 2022, 15:06