#RiseandGo, ftesë për të rinjtë që të ngrihen e të shkojnë drejt të varfërve
R.SH. - Vatikan
Që nga viti i kaluar, Dita Botërore e Rinisë ndër Kishat e veçanta festohet në Solemnitetin e Krishtit Mbret, në përkim me të dielën pas Ditës Botërore të të Varfërve. Në udhëzimet baritore për kremtimin e DBR-së në Kisha të veçanta, Dikasteri të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën vë në dukje përkimin providencial në kohë, si mundësi për të promovuar nisma, në të cilat të rinjtë dhurojnë kohën e tyre, forcën e tyre në favor të më varfërve, më të lënët pas dore, më të mohuarit nga shoqëria. Në këtë mënyrë, të rinjve u ofrohet mundësia të bëhen “protagonistë të revolucionit të bamirësisë dhe të shërbimit, të aftë për t’i bërë ballë patologjive të individualizmit konsumist dhe sipërfaqësor”.
Nisma të ndryshme, në mbarë botën
“Për ju Krishti u bë i varfër" (2 Kor 8,9) dhe "Maria u ngrit dhe shkoi shpejt" (Lk 1,39) janë temat e Ditës Botërore të të Varfërve dhe të Ditës Botërore të Rinisë sivjet. Prandaj, në javën që vijon, nga e diela 13 - deri të diel, 20 nëntor, Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën promovon dhe mbështet një sërë nismash, që do të zhvillohen në pjesë të ndryshme të botës duke i shoqëruar të rinjtë ta jetojnë plotësisht thirrjen e Papës për t’u ngritur dhe për të ecur me shpejtësi drejt atyre që, të varfër si Krishti, kanë nevojë për përqafimin e “një vëllazërie të re misionare".
Programi i veprimtarisë dhe reflektimi i Caritas Internationalis
Ndër nismat, më domethënëse është ajo e Caritas Internationalis, e cila do të vnë jetë një program reflektimi dhe veprimi, që zgjat një javë, titulluar “Kultivimi i solidaritetit: nga lutja në veprim". Do të nisë me një meshë në internet për Ditën Botërore të të Varfërve - dhe do të përfundojë më 20 nëntor me një Rruzare në internet, për të festuar Ditën Botërore të Rinisë në Kishat e veçanta. Çdo ditë, në faqen e internetit të Caritas Internationalis, do të mund të ndiqen lutjet dhe sugjerimet e bazuara mbi metodologjinë “të shikosh/të gjykosh/të veprosh”, që do të nxisë reflektimin mbi temën e varfërisë dhe do të frymëzojnë veprime të thjeshta, por të dobishme, për t'i shërbyer, për t’i shoqëruar dhe për t’i mbrojtur të varfërit. Ky program u krijua dhe do të vihet në jetë nga vullnetarë të rinj dhe anëtarë të stafit të Caritas-it, por ka për qëllim që të gjithë të rinjtë të mund të bashkohen edhe përmes rrjeteve sociale duke përdorur hashtagun #PrayActCaritas. Rruzarja në internet, pjesë e propozimeve të Caritas-it për të rinjtë, do të hapet nga reflektimet e Atë João Chagas, kreut të Zyrës Rinore të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën.
Nga Roma në Lisbonë
Çdo të shtunë pasdite të rinjtë e Qendrës Ndërkombëtare Rinore të Shën Lorencit, jo larg nga Shën Pjetri, i ftojnë më të varfërit dhe më të harruarit në një çast vëllazërimi dhe lutjeje. Në datat 19 dhe 20, në Lisbonë, vendi i Ditës Botërore të Rinisë që do të organizohet gusht 2023, kremtimi do t'i kushtohet si adoleshentëve, ashtu edhe të rinjve universitarë, me synimin për t’u ofruar përvojën e bashkimit kishtar dhe për t’i dërguar në mision, në bashkësitë e famullisë. Në Romë, Baritoria e Rinisë së Dioqezës i fton të rinjtë në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore, ku fillimisht do të organizohet një festë dhe më pas, një natë pa gjumë, që do të përfundojë me Meshën shenjte, kryesuar nga kardinali Angelo de Donatis.
Hashtagu
Për të ndarë së bashku dhe për të krijuar një rrjet dëshmish, veprimtarish konkrete, historish dhe bashkimi shpirtëror, Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, Caritas Internationalis dhe Komiteti Organizativ Lokal i DBR-së në Lisbonë 2023, paraqet hashtagun #AriseandGo, me temën e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Rinisë 2022-2023: “Maria u ngrit dhe shkoi shpejt" (Lk 1,39). Në dispozicion të Konferencave Ipeshkvnore, të Sinodeve, të Kishave patriarkale dhe Kryeipeshkvijve të mëdhenj, të dioqezave, heparkive, lëvizjeve dhe shoqatave kishtare është vënë një video promovuese për kremtimin e 20 Nëntorit.