Krajewski me një furgon në Ukrainë për të çuar gjeneratorë dhe bluza termike
R.SH. – Vatikan
Mbërriti në Lviv, me një furgon të madh të Vatikanit (“më i madhi, për të cilin kisha patentën”) me një dritë si ajo e policisë mbi të, huazuar nga xhandarmëria e Vatikanit. Brenda, rreth 40 gjeneratorë elektrikë dhe shumë bluza termike, mbledhur nga Dikasteri vatikanas për Bamirësinë për ukrainasit, që përballen me temperatura deri në 15 gradë nën zero. Lëmoshtari apostolik, kardinali Konrad Krajewski ndodhet edhe një herë në Ukrainë për t’i çuar bamirësinë e Papës popullatës së rraskapitur nga konflikti dhe pasojat e tij, por që s’ka reshtur së përgatituri për Krishtlindjen.
Nga Polonia në Lviv
Kardinali - në telefon nga Ukraina me Vatican News, me gulçim, për shkak të të ftohtit të madh – tregon se orët e fundit, ka qenë në qytetin polak kufitar, Przemyśl, ku mbërritën dy kamionë me bluza dhe gjeneratorë të tjerë. Ato iu dorëzuan Karitasit lokal, i cili për më se nëntë muaj, është aktivizuar në mikpritjen dhe në ndihmën e refugjatëve, veçanërisht të grave me fëmijë, shumë prej të cilave kanë ikur nga rajonet e Donbasit.
Radhë të gjata dhe rrugë të bllokuara
Sot, kardinali polak kaloi kufirin: “Nuk është e lehtë – pohon ai – ka radhë, që zgjasin nga 8 deri në 15 orë. Procedura është e gjatë, por kryesisht, për shkak të sasisë së borës që nuk është hequr, rrugët në hyrje e në dalje janë bllokuar të gjitha. Një vargan 30 km me kamionë të ndalur, që bllokonin tre të katërtat e rrugës”. Falë pasaportës së tij diplomatike dhe makinës me targa të Selisë së Shenjtë, kardinali Krajewski arriti të kalonte shpejt: “Pesë minuta në Poloni, pesë minuta në Ukrainë. Vetëm koha për kontrollet… Ata janë shumë të sjellshëm kur shohin makinën e Vatikanit, që transporton ndihma”.
Shpejtësia, që shpëton jetë
Për kardinalin, faktori kohë është element themelor: duke mbërritur shpejt në zonat e luftës me bluza termike dhe gjeneratorë, mund të “shpëtohen jetë”. I ftohti dhe pamundësia për të pasur energji elektrike të vazhdueshme për ngrohjen, gatimin dhe ndriçimin e apartamenteve është sfida me të cilën duhet të përballen ukrainasit në këto muaj dimri, pas shkatërrimit të infrastrukturave të shumta. E fundit, të premten e kaluar, bombarduar me raketa. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi dje se gjatë 24 orëve të fundit është rikthyer energjia elektrike për pothuajse 6 milionë banorë në Ukrainë, por ka ende shumë për të bërë që të plotësohen nevojat e popullsisë. “Lëmoshtaria Apostolike garanton që të gjitha gjërat të mbërrijnë në destinacion, sepse arrijmë ta kapërcejmë problemin e kufirit ukrainas”, thotë Krajewski.
Në udhëtim, i vetëm
Nesër ai do të udhëtojë “i vetëm” për të vizituar qytete të ndryshme si Zaporizhzhia, Odessa dhe kryeqyteti Kiev. “Do të bëj 4-5 udhëtime për të sjellë sidomos gjeneratorët, sepse këtu, nga Lvivi, mund të shkosh në vende të ndryshme me makina të vogla. E kështu, e vazhdojmë këtë shërbim të Atit të Shenjtë për njerëzit. Në fakt, nuk mjafton t'i kesh bluzat apo gjeneratorët, duhet të jesh në gjendje t'i çosh në vende të ndryshme dhe, siç thashë, nuk është aspak e lehtë. Sidomos me këto temperatura”.
Kamionë të tjerë janë për udhë
Nesër do të vijnë kamionë të tjerë: “Unë marr përsipër t'i bëj kalimet”, pohon kardinali. “Do të bëj shoferin pikërisht për t’i nisur kamionët sa më shpejt. Ka vështirësi që as ne nuk i dimë, por kur duam gjithçka bëhet e mundur. Dua të falënderoj donatorët dhe t’i siguroj se të gjitha dhuratat do të arrijnë shpejt dhe drejtpërdrejt”.