Parolin ndërmjet të sëmurëve të “Bambino Gesù”: dhimbja e të vegjëlve nuk ka përgjigje

Si çdo Krishtlindje, Kardinali sekretar i Shtetit të Papës, çon bekimin e Françeskut për pacientët e spitalit të Vatikanit. Vizita e parë, ajo në departamentin e sëmundjeve metabolike, ku takohet me Çeçilien, Sofinë dhe fëmijë të tjerë të shtruar në spital, më pas dialogu me mjekët dhe stafin, lidhur përmes transmetimit dhe nxitja: "Ta ndjeni veten si bashkëpunëtorë të Papës në bamirësi. Në një botë në luftë, puna juaj është kontribut i vogël për ndërtimin e paqes"

R. SH. - Vatikan

"Po, sipas jush, a ka kuptim e gjithë kjo?" Konçeta i afrohet kardinalit Pietro Parolin dhe, nga poshtë maskës, pëshpërit pyetjen që çdo prind nuk duhet ta bëjë kurrë kur sheh fëmijën e tij duke kaluar Krishtlindjet jo në shtëpi, me dritat e krevatit dhe aromën e ushqimit, por të ngjitur në një tub, mes dritave neoni dhe erës së dezinfektuesit. “Pse vuan fëmija im?”. Në rastin e Sofisë, është një sëmundje e rrallë neurologjike, nga e cila fëmija vuan që në lindje. Në fjalët e gruas, e cila erdhi në Romë nga Benevento për t'u kujdesur për të bijën, nuk ka asnjë zemërim apo polemikë, por kërkim të sinqertë të kuptimit të kësaj historie që ajo dhe familja e saj po përjetojnë prej vitesh. Sekretari i Shtetit afrohet dhe ul tonin: “Dhimbja e pafajshme nuk mund të kuptohet. Nuk justifikohet me arsye. Këto gjëra nuk ndodhin rastësisht, kanë kuptim… Ne e dimë se është dikush më i madh se ne”.

Kontribut për paqen

Është një moment intim dhe spontan, që shfaqet gjatë vizitës gati tre-orëshe që kardinali bën në spitalin pediatrik Bambino Gesù për të sjellë, si traditë, urimet e Krishtlindjes të Papës për të sëmurët e vegjël, por edhe për mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin. “Ju jeni bashkëpunëtorë me Papën”, u thotë ai, duke theksuar se puna e bërë për këta fëmijë nuk përfundon brenda mureve të spitalit, por është një hap drejt paqes globale. “Sot jemi të gjithë të shqetësuar për atë që po ndodh në botë, nuk shohim perspektivë për zgjidhjen e kësaj lufte që po vazhdon prej një viti në Ukrainë, por edhe të shumë konflikteve të tjera. Situata është shumë, shumë e pasigurt”, thotë kardinali. “E pra dikush pyet: çfarë mund të bëj për të ndryshuar situatën?”. Besoj se ajo që duhet të bëjmë është detyra jonë dhe ta bëjmë me shumë besnikëri e bujari. Më pas secili prej nesh do të japë kontributin e tij të vogël a të madh për ndërtimin e një bote më të mirë”- nënvizon.

Vizita tek fëmijët

Për këtë “kontribut të vogël - por të madh”, të kryer me përkushtim të përditshëm kardinali Parolin pati prova konkrete duke vëzhguar Departamentin e Sëmundjeve Metabolike në fillim të vizitës, i shoqëruar nga  presidentja Mariella Enoc; drejtori mjekësor, Massimiliano Raponi dhe shefi i departamentit, profesor Carlo Dionisi Vici. Në këto dhoma, të zbukuruara me dritat e Krishtlindjes dhe me një skenë prej druri të lindjes së Krishtit në korridor, kardinali takon Çeçilien, Sofien, Darianan, Victorien, Yassminen dhe Sofinë. “Thonë se këta fëmijë janë si Krishti në kryq, si Zoti, që vuan. Nuk e di nëse është e vërtetë, por kjo na ngushëllon...”, i thotë nënë Konçeta, duke shpjeguar se donte “absolutisht” të dilte më 28 dhjetor për t’u bashkuar me djalin tjetër 11-vjeçar dhe bashkëshortin e saj, i cili ka nevojë për vizita specialistike, pasi janë konstatuar vlera të ndryshuara. “Çfarë bën me këto telashe, lutesh?” - e pyet ajo. “Po, dhe ne ia besojmë veten Zotit” - përgjigjet Parolin - i cili pasi ka lëvizur gjithë kohën dorën mbi shpatullën e fëmijës së fjetur, i vendos një kartolinë për Krishtlindje nën jastëk. “Kartolinë me urimet e Papës”.

"Të njohurit e vjetër"

Në shtratin përballë është Yassmine: "Jasemina"- e quan nëna, që dëshiron të bjerë menjëherë në sy, e mbështjellë me një shami që ia mbulon përgjysëm fytyrën. “Vijnë nga larg”, shpjegon Dionisi. Vogëlushja e lindur në Itali, “ishte e sëmurë që në moshën 3-ditore. Ajo ra në koma, e kaloi shumë shpejt në dializë. Në një vit e 3 muaj iu nënshtrua një transplanti të mëlçisë. Flet me zor, por shkon në kopsht, pastaj përballet me terapi për një javë të tërë. Tani ajo është e lidhur me tuba, sepse ka pasur një avari në ditët e fundit. Kështu u rikthye në këtë spital, që e konsideron “mike të vjetër”.

Bashkëpunëtorët e Papës

“Kujtoni gjithmonë: ju jeni bashkëpunëtorë me Papën”, i siguron kardinali Parolin, duke marrë fjalën. “Këtu bamirësia e Papës ushtrohet ndaj të sëmurëve dhe mbi të gjitha, atyre që janë më në nevojë dhe ndaj të cilëve ndihemi veçanërisht në vështirësi”. “Cili është kuptimi i së keqes së fëmijëve, i dhimbjes së fëmijëve, dhimbjes së pafajshme?” - thotë Parolin, duke kujtuar fjalët e nënës Konçeta. “Një pyetje, që njerëzimi ia ka bërë vetes që kur filloi të reflektonte sadopak. E ne nuk jemi akoma në gjendje t’i japim përgjigje... Mbetet një mister i madh i jetës, megjithatë ajo që mund të bëjmë është të qëndrojmë pranë tyre, si samaritani në shëmbëlltyrë dhe t’i shërojmë”. Duhet ta ndjeni vërtet veten si bashkëpunëtorë me Papën në këtë mision”, inkurajon kardinali. "Dhe akoma më shumë - duke qenë se edhe Papa ka dikë sipër tij - ndjehuni si bashkëpunëtorë me Zotin kur duhet t’i mjekoni ata që kanë nevojë".

Famë universale

Prej këndej, një falënderim i ndjerë i Sekretarit të Shtetit për të gjithë stafin për një punë të shkëlqyer, fama e së cilës ka shkuar prej kohësh përtej kufijve të Romës: "Spitali Bambino Gesù është vërtet universal dhe unë mund ta konfirmoj këtë sepse shpesh, edhe kur më ndodh të shkoj nëpër botë, edhe në vendet më të largëta, gjithmonë përmendet ‘Krishti Fëmijë’. E kjo tregon se ka njerëz që vërtet punojnë seriozisht, duke dhënë ç’kanë më të mirë nga vetja”.

23 dhjetor 2022, 17:43