2023.01.05 Santa Messa per le Esequie del Sommo Pontefice Emerito Benedetto XVI 2023.01.05 Santa Messa per le Esequie del Sommo Pontefice Emerito Benedetto XVI

“Ta bëjmë të shndrisë dritën e Krishtit, jo tonën!

Në zemër të magjisterit të Papës Ratzinger është fytyra e një Kishe që nuk kërkon pushtet, sukses, numra. E ky është çelësi për "ungjillizimin e ri"

R.SH. / Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Benedikti XVI vdiq i nderuar dhe u varros si Papë. Një oqean lutjesh e shoqëroi ritin e varrimit, kryesuar nga Papa Françesku në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Lutje mirënjohjeje u lartuan nga të katër anët e botës, me sigurinë se Joseph Ratzinger mund të shijojë, më në fund, fytyrën e atij Zoti, të cilin e deshi dhe e ndoqi gjatë gjithë jetës e të cilit ia kushtoi edhe fjalët e tij të fundit, në prag të agonisë: “Zot, të dua!”. Një tipar dallues, që bashkon Benediktin XVI me Pasardhësin, mund ta gjejmë në fjalët, të cilat Papa Ratzinger i pati thënë që në mesazhin e tij të parë Urbi et Orbi, në mëngjesin e ditës pas zgjedhjeve: "Kur nis shërbesën, Papa i ri, e di se e ka për detyrë ta bëjë dritën e Krishtit të shkëlqejë përpara burrave dhe grave të sotme: jo dritën e vet, por atë të Krishtit”. Jo protagonizmin, idetë, shijet e dikujt, por dritën e Krishtit. Sepse, siç thoshte Benedikti XVI, "Kisha nuk është Kisha jonë, por Kisha e Tij, Kisha e Zotit. Shërbëtori duhet të japë llogari për përdorimin e pasurisë që iu besua. Ne nuk i lidhim njerëzit pas vetes, nuk kërkojmë pushtet, pozitë, vlerësim për veten tonë”. Interesant të vërehet se, si kardinal, për vite me radhë, Ratzinger e  paralajmëroi Kishën për një sëmundje që e kish prekur e vijon ta prekë: atë të besimit tek strukturat, tek organizimi. Atë të dëshirës për “t’u vlersuar” në skenën botërore, “për t’u dukur”.

Në maj 2010, në Fatima, Benedikti XVI u tha ipeshkvijve portugezë: "Kur, sipas mendimit të shumëkujt, feja katolike nuk është më trashëgimi e përbashkët e shoqërisë dhe, shpesh, shihet si një farë e minuar dhe e lënë në hije nga 'hyjnitë' dhe nga zotërinjtë e kësaj bote, tepër e vështirë që të prekë zemrat përmes fjalimeve të thjeshta e thirrjeve morale, e aq më pak përmes fjalëve të përgjithshme për vlerat e krishtera”. Sepse “shpallja e thjeshtë mesazhit nuk arrin në thellësi të zemrës së njeriut, nuk ia prek lirinë e tij, nuk ia ndryshon jetën. Çka të mahnit, është sidomos takimi me besimtarët që, me fenë e tyre, të tërheqin drejt hirit të Krishtit, duke dhënë dëshmi për Të”. Nuk janë fjalimet, arsyetimet e mëdha e as thirrjet për mbrojtjen e vlerave morale, ato që prekin zemrat e grave  dhe të burrave të sotëm. Misioni nuk ka nevojë për strategjitë e marketingut fetar dhe prozelit. As Kisha e sotme nuk mund të mendojë të jetojë me mallin e rëndësisë dhe të fuqisë, që kishte në të kaluarën. Krejt e kundërta: si Benedikti XVI, ashtu edhe pasardhësi i tij Françesku, predikuan dhe dëshmuan rëndësinë që ka kthimi tek themelorja, tek një Kishë e pasur vetëm me dritën, që e merr lirisht nga Zoti i saj.

E pikërisht ky rikthim në themeloren është çelës për misionin. Joseph Ratzinger e pati thënë këtë kur ishte ende prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, gjatë një katekizmi, mbajtur në dhjetor 2000, cituar së fundmi nga drejtori i Fides, Gianni Valente. Ratzinger filloi nga shëmbëlltyra ungjillore e Mbretërisë së Zotit, krahasuar nga Jezusi me farën e sinapit e cila "është më e vogla nga të gjitha farët, por pasi rritet, bëhet më e madhe se të tëra bimët e tjera të kopshtit, bëhet pemë". Ai shpjegoi se duke folur për "ungjillëzimin e ri" në shoqëritë e laicizuara, është e nevojshme të shmanget "tundimi i padurimit, tundimi për të kërkuar menjëherë sukses të madh, për të kërkuar numër të madh". Sepse kjo "nuk është metodë e Zotit". Ungjillizimi i ri - shtoi - "nuk mund të nënkuptojë tërheqjen e menjëhershme të masave të mëdha të larguara nga Kisha, me metoda të reja, më të rafinuara".

Vetë historia e Kishës, pati vënë në dukje kardinali Ratzinger, mëson se "gjërat e mëdha fillojnë gjithmonë nga fara e vogël e grurit dhe se lëvizjet masive janë gjithmonë kalimtare". Sepse Zoti “nuk bën llogari me numra të mëdhenj; fuqia e jashtme nuk është shenjë e pranisë së Tij”. Pjesa më e madhe e shëmbëlltyrave të Jezusit flasin për këtë mënyrë veprimi hyjnor dhe kështu i përgjigjen shqetësimeve të dishepujve, të cilët prisnin shumë më tepër suksese dhe shenja nga Mesia – “suksese të tipit që Shejtani ia pati premtuar Zotit". Të krishterët, kujtonte Benedikti i ardhshëm, “ishin bashkësi të vogla, të shpërndara në mbarë botën, të parëndësishme sipas kritereve të saj. Në të vërtetë ata ishin tharmi i brumit, që sillnin brenda vetes të ardhmen e botës”. Prandaj, nuk bëhet fjalë për "t’i zgjeruar hapësirat" e Kishës në botë: "Nuk duam të na dëgjojnë, nuk duam të rrisim fuqinë dhe shtrirjen e institucioneve tona, por duam t'i shërbejmë të mirës së njerëzve dhe të njerëzimit, duke i krijuar hapësirë ​​Atij, që është Jeta. Kjo zhveshje e vetvetes, duke ia ofruar Krishtit për shpëtimin e njerëzve, është kushti themelor i angazhimit të vërtetë ndaj Ungjillit”.

E kjo, vetëdija që e shoqëroi gjatë gjithë jetës të krishterin, teologun, ipeshkvin e papën Benedikti XVI.  Një vetëdije, që jehon fort në njërin nga citimet e pasardhësit të Tij – të cilin Ai e siguroi  “për nderimin dhe dëgjesën” -  e ai deshi ta theksonte në homelinë e salikimeve. Është shkëputur  nga “Rregulla baritore” e Shën Gregorit të Madh: "Në mes të stuhive të jetës sime, më ngushëllon besimi se do më mbash në tryezën e lutjeve tua dhe se, nëse pesha e gabimeve të mia më rrëzon dhe më poshtëron, do të më japësh ndihmën e meritave tua për të më lehtësuar”. “Është vetëdija e Bariut – komentoi Papa Françesku – që nuk mund  ta  sjellë i vetëm atë, të cilën nuk do të mund ta mbarte i vetëm e, prandaj di ta harrojë vetveten e të kujdeset për popullin që i besohet”. Sepse pa Të, pa Zotin, nuk mund të bëjmë asgjë!  

05 janar 2023, 14:11