Kërko

 Benedetto XVI e il matematico Piergiorgio Odifreddi Benedetto XVI e il matematico Piergiorgio Odifreddi

Benedikti XVI, Odifreddi: unë ateist, ai Papë, përvojë e madhe dialogu

Matematikani italian, i cili qe takuar me Papën Ratzinger, vijonte ta frekuentonte edhe pas dorëheqjes. Me të nënshkroi dy vëllime kushtuar fesë dhe shkencës e, nga dy qëndrimet e ndryshme, lindi edhe ballafaqimi nga dy pozicione të kundërta: "Ai ishte njeri jashtëzakonisht i dashur, shumë delikat, i sjellshëm, i qetë, me një ironi të rafinuar"

R.SH. / Vatikan

Besimtarët dhe jobesimtarët që të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin: “Agnostiku nuk mund të jetë i kënaqur, kur nuk e di nëse Zoti ekziston apo jo. Duhet të jetë në kërkim dhe të ndjejë trashëgiminë e madhe të fesë; katoliku nuk duhet të kënaqet vetëm me mendimin se e ka fenë, por duhet të jetë në kërkim të Zotit, edhe më shumë e, në dialog me të tjerët, ta rinjohë edhe më thellë Zotin". Fjalët e Benediktit XVI drejtuar gazetarëve më 26 shtator 2009 gjatë fluturimit për në Çeki, e dëshmojnë qartë sa rëndësi i dha gjithmonë Papa i Nderit dialogut me botën e jobesimtarëve.

Nga kjo vëmendje lindi në vitin 2011 intuita e “Oborrit të Johebrenjve” për të nxitur takimin dhe dialogun ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve dhe lindjen e marrëdhënieve personale me intelektualë që nuk kanë lidhje me krishterimin e botën e fesë. Ndërmjet tyre është matematikani Piergiorgio Odifreddi, ish-profesor i logjikës në Universitetin e Torinos dhe eseist, i cili me Benediktin XVI botoi dy libra me nënshkrim të dyfishtë “I dashur Papa teolog, i dashur matematikan ateist. Dialog  i besimit me arsyen” në vitin 2013 dhe “Për rrugë, në kërkim të së vërtetës. Letra dhe biseda me Benediktin XVI”, në vitin 2022.

Profesor, si lindi miqësia juaj me Benediktin XVI?

“Lindi disi rastësisht. Siç dihet, unë nuk besoj dhe, rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, në vitin 2007, shkrova një libër mbi krishterimin, a më mirë të themi, kundër krishterimit. Titullohej "Pse nuk mund të jemi të krishterë". Ai libër shkandulloi shumëkënd, sepse tonet e tij nuk ishin aq të përshtatshme për dialog. Shtëpia botuese donte ta korrigjonte këtë në një farë mënyre dhe Mondadori më këshilloi të zhvilloja një dialog me një besimtar për të folur për këto çështje, megjithatë, në një mënyrë më pak "thumbuese", siç do të më thoshte më vonë kardinali Ravasi. Pasi kisha mbajtur atë qëndrim, e kisha vështirë të flisja me besimtarët.  Për këtë arsye shkrova një dialog fiktiv, duke komentuar "Hyrje në Krishterim" të Ratzinger-it, libër tejet interesant, që më kishte bërë shumë përshtypje. E shkrova këtë libër me një lloj truku letrar. E komentova librin si  një lloj mashtrimi letrar e ai foli përmes tekstit të tij - gjë që Ratzinger e kishte bërë gjithmonë, domethënë duke folur me shkrim, përveçse me zë. Ishte viti 2011 kur doli ai libër me titull “I dashur Papë, po të shkruaj”.

Në vitin 2013, pas dorëheqjes së tij, takova një ipeshkëv në kurie, mik i Imzot Georg Gänswein dhe e pyeta nëse libri mund t'i jepej Papës, i cili tani ndoshta kishte më shumë kohë të lirë. Nuk më kish shkuar kurrë nëpër mend t'ia dërgoja atij kur ishte Papë, sepse një Papë në fuqi ka gjëra të tjera për të bërë përveçse të dëgjojë komentet e një ateisti. Në të vërtetë ai e mori, e lexoi dhe u përgjigj me një letër të gjatë prej një duzine faqesh. Në atë çast pyeta nëse ishte e mundur të botohej letra si shtojcë e një botimi të ri të librit dhe, si u informova, mora përgjigjen se libri duhej të firmosej nga të dyja duart, me dy emra. Ishte libri ynë i parë, në vitin 2013.

Në këtë pikë ishte krejt e natyrshme të kërkoja t'i çoja librin dhe të mund të shkoja ta takoja, por mendova se do të ishte hera e fundit. Në realitet, atëhere shkrepi "shkëndija", si të thuash,  e ne nisëm bisedën për fenë përtej polemikave apo diskutimn e pyetjeve teorike, ndoshta edhe sepse ishim të ngjashëm në njëfarë kuptimi: të dy profesorë universiteti, të dy seminaristë - në kuptimin që e pata ndjekur seminarin që fëmijë por u largova në moshën 12-vjeçare - pikërisht në moshën kur kishte hyrë Ratzinger në kohën e tij. Ishte ai që ma shkroi letrën e parë pas atij takimi, duke më dhënë referenca për Pseudo-Dionisin, për të cilin kishim folur. Në atë çast  nisi korrispondenca dhe unë fillova ta vizitoj pothuajse çdo vit, para Covid-it. Më pas ishte e vështirë.

Si ishte për një ateist ballafaqimi me Papën?

Ishte shumë interesant. Së pari, krahasimi ishte shumë i lehtë. Tashmë këto ditë është përsëritur disa herë se pavarësisht nga çfarë mund të mendohet për qëndrimet e tij teologjike, filozofike, madje edhe politike e fetare, ai ishte njeri jashtëzakonisht i dashur, tejet delikat, i sjellshëm, i qetë, me një ndjenjë të rafinuar ironie. Prandaj ishte shumë e këndshme të flisje me një person të tillë. Është e qartë edhe se ishte dashuronjës i madh i librave. Një herë pata mundësinë të shihja bibliotekën e tij të madhe, në manastirin Mater Ecclesiae. Në biseda, shpesh më rekomandonte libra për të lexuar, jo vetëm për fenë. Në fillim shkëmbimi ishte kryesisht mbi tema fetare - e qartë - por më vonë nisëm të prekim pakëz gjithçka, egjiptologjinë për shembull. Ishte ai që më rekomandoi, në mënyrë paradoksale, një libër nga Ian Assman, egjiptologu që argumentoi se dhuna në monoteizëm ishte e natyrshme. Vetë ideja për të thënë "Unë kam vetëm një Zot", të bënte të mendoje se perënditë "tuaja" ishin të gabuara, "të rreme, gënjeshtare" siç thoshin dikur, dhe për këtë arsye kjo sillte me vete dhunën. Është e çuditshme që një Papë e këshillon të lexojë një libër të tillë dikë që, në një farë kuptimi mendon pikërisht në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se lexonte shumë, pa masë! Natyrisht nuk ishte dakord me këtë tezë, por pikërisht kjo e bënte bisedën tejet interesante. Se interesante bëhet kur njeriu nuk është dakord, por megjithatë flet, diskuton dhe përpiqet të sjellë idetë dhe mendimet e tij.

Në këtë kuptim, çfarë mesazhi jep marrëdhënia juaj epistolare dhe miqësia juaj intelektuale për dialogun ndërmjet botës së besimtarëve dhe asaj të jobesimtarëve?

“Ideja është pikërisht ajo: biseda mund të bëhet pavarësisht se është në pozicione krejtësisht të kundërta. Është e vështirë të imagjinosh pa u nxehur dy pozicione të largëta si ato që mund të ketë një Papë – i cili nuk është vetëm besimtar, por kryetar i një Kishe me një miliard e qindra miliona besimtarë – e nga ana tjetër, një ateist. Dy qëndrime krejtësisht të kundërta, por që nuk pengojnë diskutimin, pra, në rastin tonë, për fenë dhe ateizmin dhe më pas, nuk na pengojnë të merremi vesh personalisht. Nuk po them se ky është një mësim - nuk mund ta krahasoj veten me të, që ishte Papë dhe teolog – por ama tregon se mund të merresh vesh me tjetrin, edhe nëse nuk mendon në të njëjtën mënyrë, në vend që të zihesh njëri-me-tjetrin ose të shuplakohesh me njëri-tjetrin”.

Papa Benedikti fliste shpesh në fjalimet e tij për marrëdhëniet ndërmjet fesë e shkencës. Kishte një shkrim shumë interesant, të përqendruar tek matematika, parë si shpikje njerëzore, që më pas përkonte me krijimin...

“Duke folur me të rinjtë, ai arsyetoi se ekziston një lloj harmonie e paravendosur në mënyrë lajbniziane ndërmjet sendeve objektive të natyrës dhe atyre subjektive, si kultura dhe matematika e, prej këndej, se po të ekzistojë kjo harmoni e parathemeluar, dikush duhet ta ketë krijuar, e ky “dikush” është pikërisht Zoti. Në atë kohë, mendoj se ishte viti 2007 ose 2008, shumë kohë përpara se të fillonte shkëmbimi ynë, unë u përpoqa ta ftoja në një festival matematike që e patëm organizuar për tre vjet në Auditorin e Romës. Ishte ide disi e çuditshme të ftoje Papën në një festival matematike, por jo e pavend për këtë arsye. Sigurisht që nuk e imagjinoja se do të vinte për të bërë një debat publik, nuk ishte roli i tij, por ndoshta një audiencë, pasi me ne ishin disa nobelistë. E pata pyetur Atë Lombardin, i cili përveçse ka qenë zëdhënës i Ratzingerit dhe Bergoglios, është edhe i diplomuar për matematikë. Jo vetëm kaq, ai u diplomua për matematikë në Torino për logjikën matematikore, në të njëjtin universitet ku u diplomova unë, pak a shumë në të njëjtat vite dhe kështu u morëm vesh. Kur shkrova "I dashur Papë, po të shkruaj", i kushtova një kapitull pikërisht kësaj teme, domethënë sesi matematika mund të konsiderohet shkenca më e afërt me fenë - jo vetëm nga Ratzinger, por edhe nga Pitagora, thjesht për të kapërcyer mijëvjeçarë dhe qytetërime, ai  ishte njëmendje me mua. Ka pasur kaq shumë mistikë matematikanë, ndërsa për shembull biologjia është më e largët. Edhe nga këndvështrimi i besimtarëve, kam lexuar një herë në Avvenire se 15% e matematikanëve janë besimtarë, por vetëm 4% e biologëve. Kjo tregon se matematika mund të jetë një derë më e hapur për fenë ose për një lloj të caktuar të menduari, sesa shkencat e tjera. Ratzinger ka qenë gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj kësaj. I çova disa nga librat e mi të matematikës. Folëm për Shën Augustinin, i cili përdor shumë metafora matematikore në Qytetin e Zotit, folëm shumë edhe për Gödelin, logjikun më të madh të shekullit të njëzetë, i cili kishte bërë një demonstrim matematikor të provës ontologjike të Shën Anselmit për ekzistencën e Zotit. Ne iu rikthyem shumë herë kësaj teme. Madje Papa, me shaka, më tha: “Ti do të bëhesh teolog i madh!”. Pra, një pjesë e mirë e marrëdhënies sonë u bazua në teologji dhe matematikë”.

03 janar 2023, 16:37