Don Georg: Benedikti XVI jetoi duke e dashur Zotin deri në fund

Mediat e Vatikanit në bisedë me sekretarin e Papës së Nderit, që ndërroi jetë më 31 dhjetor: kujtimi prekës i orëve të fundit dhe i viteve të shumta të kaluara pranë tij.

R. SH. - Vatikan

I lodhur, i prekur thellë, por njëkohësisht në paqe. Kryeipeshkvi Georg Gänswein, prefekt i Shtëpisë Papnore, fillimisht sekretar privat i kardinalit Joseph Ratzinger, më pas i Papës Benediktit XVI, është në studiot e Radio Vatikanit. Ai flet për çastet e fundit të jetës tokësore të njeriut, ti cili i shërbeu Kishës si ipeshkëv i Romës nga viti 2005 - deri në vitin 2013 dhe më pas bëri një zgjedhje historike. Hoqi dorë nga papnia. Gati dhjetë vjet më parë.

Mijëra besimtarë po i bëjnë homazhe trupit të vdekur të Papës së Nderit. Ju keni kaluar një pjesë të madhe të jetës me të, si po i jetoni tani këto çaste kaq prekëse?

“Si njeri, duke vuajtur shumë. Më dhemb, vuaj… Po shpirtërisht, ndjehem shumë mirë. E di që Papa Benedikti është tani, atje ku donte të shkonte”.

Si i jetoi Benedikti XVI këto ditët e fundit? E cilat ishin fjalët e tij të fundit?

“Fjalët e tij të fundit nuk i dëgjova me veshët e mi, por një natë para vdekjes së tij i dëgjoi një nga infermieret, që e ruanin. Rreth orës tre pëshpëriti: "Zot, të dua". Infermierja më tha në mëngjes, sapo mbërrita në dhomën e gjumit, se këto ishin fjalët e fundit vërtet të kuptueshme. Zakonisht, thoshim Lavdet para shtratit të tij: edhe atë mëngjes i thashë Atit të Shenjtë: “Të bëjmë si dje: Unë lutem me zë të lartë dhe ju bashkohuni në shpirt”. Por e pashë se nuk ishte më e mundur që ai të lutej me zë të lartë. Ishte vërtet pa frymë. Atë çast mundi vetëm të hapë paksa sytë – e kuptoi pyetjen – dhe tundi kokën në shenjë pohimi. Kështu fillova. Rreth orës 8 frymëmarrja nisi t’i rëndohej gjithnjë e më shumë. Dy mjekët e pranishëm: Dr. Polisca dhe një reanimator - më thanë: “Kemi frikë se tani do të vijë çasti kur do t’i duhet të bëjë betejën e fundit mbi tokë”. U telefonova memoreve dhe motrës Brigida, u thashë të vinin se kishte arritur çasti i agonisë. Ai ishte i kthjellët në atë kohë. I kisha përgatitur me kohë lutjet shoqëruese për të vdekurin, ndaj u lutëm për rreth 15 minuta, të gjithë së bashku, ndërsa Benedikti XVI merrte frymë gjithnjë e më rëndë, gjithnjë e më me vështirësi. Kështu unë e shikova sy më sy njërin nga mjekët dhe e pyeta me zë tejet të ultë: "Është në agoni?". Më tha: “Po, filloi por nuk e dimë sa zgjat”.

Dhe pastaj, çfarë ndodhi?

“Ne ishim atje, të gjithë, pastaj u lutëm në heshtje. Në orën 9.34 dha frymën e fundit. Pastaj ne vazhduam lutjet tona jo më për njeriun që po vdiste, por për të vdekurin. Dhe i përfunduam duke kënduar “Alma Redemptoris Mater”. Ai vdiq në tetëditshen e Krishtlindjes, koha e tij e preferuar liturgjike, në ditën e paraardhësit të tij - San Silvestrit, Papës nën Perandorin Kostandin. Qe zgjedhur në datën, në të cilën kujtohet një Papë gjerman, Shën Leoni IX, i Alsasës; vdiq në ditën e një Pape romak, Shën Silvestrit. Atë çast u thashë të gjithëve: "Do t’i telefonoj menjëherë Papës Françesku, ai duhet ta marrë lajmin i pari”. E thirra, dhe ai tha vetëm: "Erdha!”. Dhe erdhi sakaq. E shoqërova në dhomën e gjumit ku vdiq Papa dhe u thashë të gjithëve: “Rrini”. Pasi Papa përshëndeti, i ofrova një karrige e ai u ul pranë shtratit dhe u lut, i dha bekimin dhe më pas u largua. Kjo ndodhi më 31 dhjetor 2022”.

Cilat fjalë të testamentit tuaj shpirtëror ju prekën më shumë?

“Testamendi, si i tillë, më preku shumë. Të zgjedhësh fjalët për këtë rast, më duket gjë e vështirë. Por ky testament ishte shkruar tashmë më 29 gusht 2006, në festën liturgjike të martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit. Është i shkruar me dorë, shumë i lexueshëm, shumë i vogël, por i lexueshëm, në vitin e dytë të papnisë. Në gjermanisht thuhet "O-Ton Benedikt", domethënë "ky është vërtet Benedikti". Edhe po të kisha pasur një tekst të tillë, pa emër autori, do ta kisha njohur menjëherë. Brenda ishte vetë shpirti i Benediktit. Duke e lexuar ose duke medituar mbi të, njeriu e sheh se është me të vërtetë testamendi i tij.  Këtu është i tërë shpirti i tij, i përmbledhur në dy faqe”.

Është një falënderim për Zotin dhe për familjen…

“Po, falënderim, por edhe inkurajim për besimtarët, që të mos devijojnë nga asnjë hipotezë, qoftë në fushën teologjike, atë filozofike apo në ndonjë fushë tjetër. Në fund të fundit, është Kisha ajo që komunikon, është Kisha, Trupi i gjallë i Krishtit, që ua komunikon besimin të gjithëve dhe është për të gjithë. Ndonjëherë edhe në teologji, nëse ka teori shumë të vështira ose që duken të tilla, mund të ndodhë që pas një ose dy vitesh ato të kenë kaluar tashmë. Vetëm feja e Kishës Katolike na çon me të vërtetë drejt çlirimit dhe na vë në lidhje me Zotin”.

Cili është mesazhi më i fortë i papnisë së Tij?

“Forca e tij qëndron në moton që zgjodhi kur u bë kryeipeshkëv i Munihut, duke cituar letrën e tretë të Shën Gjonit: "cooperatores veritatis", domethënë "bashkëpunëtorë të së vërtetës", që do të thotë se e vërteta nuk është diçka e menduar, por është një vetje, është Biri i Perëndisë. Zoti u mishërua në Jezu Krishtin, në Jezusin e Nazaretit dhe ky është mesazhi i tij: të mos ndjekësh një teori mbi të vërtetën, por të ndjekësh Zotin. “Unë jam rruga, e vërteta, jeta”. Ky është mesazhi i tij. Një mesazh që nuk është barrë e rëndë: përkundrazi është ndihmë për t’i mbajtur të gjitha barrët e çdo dite dhe kjo të mbush me gëzim. Ka probleme, por sa më e fortë të jetë feja, fjalën e fundit ajo do ta ketë!”.

Bota nuk do ta harrojë kurrë atë 11 shkurt 2013, shpalljen e heqjes dorë. Ka nga ata që vazhdojnë të thonë se nuk ishte një zgjedhje e lirë apo edhe se ai donte të mbetej papë në një farë mënyre. Ju si mendoni?

“Të njëjtën pyetje e kam bërë edhe unë në situata të ndryshme, duke i thënë: “O Atë i Shenjtë, po kërkojnë një komplot për shpalljen e 11 shkurtit pas koncistorit. Kërkojnë, kërkojnë, kërkojnë...”. Benedikti u përgjigj: "Kushdo që nuk beson se ajo që thashë është arsyeja e vërtetë e heqjes dorë, nuk do të më besojë edhe nëse e them tani. Më besoni, është kështu!". Kjo është dhe mbetet e vetmja arsye dhe nuk duhet ta harrojmë. Ma kishte treguar që më parë këtë vendim: “Duhet ta bëj”. Unë isha ndër të parët që u përpoqa t’ia davarisja. Po ai m’u përgjigj qartë: “Shiko, nuk po kërkoj mendimin tënd, por po komunikoj vendimin tim”. Vendim i marrë me lutje, i vuajtur i marrë “koram Deo” – Përpara Zotit. Ka nga ata që nuk besojnë a bëjnë teori, duke thënë se "mund të kishte lënë një pjesë, por të kishte mbajtur një pjesë tjetër" etj.: të gjithë ata që thonë këtë bëjnë vetëm teori për një fjalë apo një tjetër dhe në fund nuk kanë besim. E besoj, atë që tha. Kjo është thjesht një fyerje kundër tij. Sigurisht, secili ka vullnetin e vet, lirinë e vet dhe mund të thotë gjëra të arsyeshme ose më pak të arsyeshme. Por e vërteta lakuriqe është kjo: ai nuk kishte më forcë të drejtonte Kishën, siç thoshte në latinisht atë ditë. E pyeta: “Atë i Shenjtë, pse në latinisht?”. Ai m’u përgjigj: "Kjo është gjuha e Kishës". Kushdo që mendon se mund të gjejë ose duhet të gjejë ndonjë arsye tjetër, e ka gabim. Ai e ka treguar arsyen e vërtetë. Amen”.

Cili aspekt ju ka goditur më shumë kur keni qenë pranë Benediktit në periudhën e gjatë të kaluar si Papë Nderi?

“Kanë kaluar gati dhjetë vjet. Benedikti - si kardinal e si profesor - kishte një dhanti shumë të madhe. Shumë e quajnë përvujtëri: po, kjo është e vërtetë, por gjithashtu – e ndoshta kjo nuk u pa aq me sy të mirë – kishte edhe aftësi për të pranuar kur njerëzit nuk ishin dakord me atë që thoshte. Si profesor është normale: ka krahasime, diskutime, “ndeshje” ndërmjet temave të ndryshme. Në këto raste përdoren edhe fjalë të forta, por pa lënduar kënd dhe, nëse është e mundur, pa shkaktuar polemika. Tjetër gjë, kur dikush është ipeshkëv dhe pastaj Papë: ai predikon dhe shkruan jo si person privat, por si njeriu që ka marrë mandatin për të predikuar dhe për të qenë bari i një grigje. Papa është dëshmitari i parë i Ungjillit, i Zotit. Dhe aty pamë se fjalët e tij, fjalët e Pasardhësit të Pjetrit, nuk u pranuan. Por kjo na tregon se udhëheqja e Kishës nuk bëhet vetëm duke urdhëruar, duke vendosur por edhe duke vuajtur, dhe kjo pjesë e vuajtjes nuk ishte e vogël. Kur u bë Papë Nderi, sigurisht për të kishte përfunduar e gjithë përgjegjësia dhe e gjithë papnia!”.

A mendonte se do të jetonte kaq gjatë, pasi të hiqte dorë?

“Rreth tre muaj më parë i thashë: “Atë i Shenjtë, po i afrohemi dhjetëvjetorit të ipeshkvnisë sime: Epifania 2013, Epifania 2023. Duhet të festojmë”. Por kjo nënkuptonte edhe dhjetë vjet nga dorëheqja e tij. Disa më thonë: “Por si është e mundur që ai hoqi dorë duke thënë se nuk ka më forcë dhe tani ka dhjetë vjet që jeton? E ai u përgjigj: “Më duhet të them se jam i pari që habitem nga Zoti, që më dha më shumë kohë. Pata menduar se do të jetoja shumë-shumë një vit, po Ai më dha 10! Dhe 95-a është një moshë e mirë, por vitet dhe pleqëria kanë peshën e tyre, qoftë edhe për një Papë nderi”. E ai vazhdoi: “E pranova dhe u përpoqa të bëj atë që kisha premtuar: të lutem, të jem i pranishëm dhe, mbi të gjitha, ta shoqëroj pasardhësin tim me lutje”. Dhe kjo është shumë e bukur. Gjithashtu u rekomandoj disave që kanë probleme me këtë, të rilexojnë atë që tha Benedikti, duke falënderuar Papën Françesku në Sallën Klementine me rastin e 65-vjetorit të shugurimit të tij meshtarak. Më në fund, një herë me shaka i thashë, në një mënyrë jo shumë elegante: “Atë i Shenjtë, i bëre llogaritë pa hanxhiun”... Ai m’u përgjigj: “Nuk bëra asnjë llogari: e pranova atë që më dha Zoti. Ai ma dha këtë, e unë duhet ta falënderoj. Kjo është feja ime. Të tjerët mund të kenë ide, teori ose besime të tjera, por imja është kjo”.

Cili ishte mësimi më i madh për jetën tuaj dhe çfarë do t'ju mungojë më shumë nga Joseph Ratzinger?

“Mësimi më i madh është se besimi i shkruar, besimi i shprehur dhe i shpallur nuk është vetëm diçka që ai e tha dhe e predikoi, por që e jetoi. Domethënë, shembulli për mua është se besimi i mësuar, i mësuar dhe i shpallur, u bë besim i jetuar. Dhe kjo për mua – edhe në këtë çast kur vuaj - jo vetëm – është lehtësim i madh shpirtëror”.

Në testamentin e tij Benedekti shkruan: "Nëse në këtë orë të vonë të jetës sime shikoj prapa në dekadat që përshkova, gjëja e parë që vërej është sesa shumë arsye kam për të qenë mirënjohës". A ishte ai njeri i lumtur, i realizuar?

“Ishte njeri thellësisht i bindur se në dashurinë e Zotit njeriu nuk gabon kurrë, edhe pse bën shumë gabime. Kjo bindje i dha atij paqe dhe – mund të thuhet – këtë përvujtëri e këtë qartësi. Thoshte gjithnjë: “Feja duhet të jetë e thjeshtë, jo thjeshtuese, por e thjeshtë. Sepse të gjitha teoritë e mëdha, të gjitha teologjitë e mëdha bazohen në themelin e fesë. E ky është dhe mbetet ushqimi i vetëm për vetveten dhe për të tjerët”.

Faleminderit që ndenjët me ne

“Jam unë që ju falënderoj për këtë ftesë: erdha me shumë dëshirë dhe e di shumë mirë se Papa Benedikti ndjehej tejet i mbështetur nga ju dhe, gjithashtu - nëse mund ta them - i dashur, i dashur për atë që bëtë dhe gjithashtu i rrethuar nga dashuria juaj”.

 

04 janar 2023, 17:52