BENEDETTO XVI BENEDETTO XVI

Jeruzalemi dhe Stambolli kujtojnë Benediktin XVI

Patriarku Pizzaballa kremtoi dje një Meshë përkujtimore përpara Varrit të Krishtit, në prani të përfaqësuesve të të gjitha Kishave të krishtera të Tokës së Shenjtë. Ditët e fundit - lexojmë në L'Osservatore Romano - pati një çast lutjeje edhe në katedralen latine, në Turqi, për të kujtuar Papën e nderit. Ndërmjet të tjerëve, i pranishëm edhe Patriarku Bartolomeu

R.SH. / Vatikan

“Të mbledhur në lutje, në këtë qytet të shenjtë dhe unik në botë, ne duhet të kujtojmë me mirënjohje të thellë Papën Benedikti dhe të falënderojmë Zotin që ia dhuroi jo vetëm Kishës Katolike, por mbarë njerëzimit”. Me këto fjalë, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, në Jeruzalem, Atë Patton, Rojtar i Tokës së Shenjtë, kujtoi Papën e Nderit, duke bashkuar zërin me lutjet që po naltohen ditët e fundit drejt qiellit nga mbarë bota.

Në meshën e kremtuar dje, 10 janar, nga patriarku i Jeruzalemit të latinëve, Imzot Pierbattista Pizzaballa, para Edikolës - a Varrit të zbrazët të Krishtit, morën pjesë edhe përfaqësues të të gjitha Kishave të Krishtera të Tokës së Shenjtë, si dhe anëtarë të trupit diplomatik të disa vendeve. Shenjë bashkimi, në kujtim të Papës së Nderit, i cili punoi aq shumë për ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar.

Kujtimi i Patton, për udhëtimin e vitit 2009

"Vdekja, e dimë, është pjesë e jetës - tha At Patton në predikimin e tij - Por vetë vendi ku po kremtojmë na kujton se çdo besimtar duhet ta jetojë vdekjen si kalim, si pjesë e Pashkëve".  Rojtari i Tokës së Shenjtë theksoi, më pas, dëshminë e dashurisë për Zotin që pati lënë Benedikti XVI dhe rikujtoi disa nga çastet domethënëse të vizitës së tij në tokën e Jezusit, në vitin 2009. Ishte "shtegtim i vërtetë", në të cilin Papa pati mundësinë të shprehë afërsinë me bashkësinë e vogël të të krishterëve dhe të takojë përfaqësues të besimeve dhe të feve të tjera. "Me butësinë, që e dalloi gjithmonë - tha Atë Patton - ai u përpoq të mbillte paqen dhe t’i ftonte të gjithë për dialog". Benedikti XVI, në këtë rast, kujtoi edhe se Jeruzalemi "duhet të jetë vend që u mëson të gjithëve universalitetin, respektin për të tjerët, dialogun", vend ku paragjykimet, injoranca dhe frika "mposhten nga ndershmëria, integriteti dhe kërkimi i paqes". Thirrje, kjo, tejet aktuale!

Meshë për shpirt, edhe në Stamboll

Ditët e fundit Kisha u mblodh me të njëjtën mirënjohje edhe në katedralen latine të Stambollit, në Turqi, ku u kremtua një Meshë për Shpirtin e Benediktit XVI. Në çastin e lutjes për Papën e ndjerë të nderit morën pjesë edhe Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, patriarku armen i Kostandinopojës Sahak II Maşalyan, metropoliti ortodoks sirian Yusuf Cetin, përfaqësues të tjerë të kishave të krishtera në Turqi, si edhe autoritetet e qytetarët vendas. "Përballë shkretimit shpirtëror, që ndjehet veçanërisht në Perëndimin pas-kristian - kujtoi vikari apostolik i Stambollit, Massimiliano Palinuro - ai e inkurajoi Kishën të kthehej në vetë burimet e Ungjillit: te Vetja e gjallë e Jezusit. “E gjithë jeta e Benediktit qe këngë dashurie për Zotin Jezus dhe për Kishën”.

Në predikimin e tij, Nunci Apostolik në Turqi, Kryeipeshkvi Marek Solczynski, shprehu besimin se Papa i Nderit Benedikti XVI tashmë i ka takuar paraardhësit e tij të mëdhenj dhe "është përshkuar nga një gëzimi aq i lumnueshëm, sa nuk mund të përshkruhet". "Ashtu si njerëzit besnikë të Zotit në mbarë botën - kujtoi akoma nunci Solczynski - edhe ne kemi ardhur këtu me aromën e mirënjohjes dhe balsamin e shpresës, për të kujtuar edhe një herë dashurinë, që nuk vdes. Duam ta bëjmë këtë me të njëjtën mençuri, të njëjtën butësi dhe të njëjtin përkushtim që Papa Benedikti na e dhuroi në rrjedhë vitesh, duke na e lënë si trashëgim të çmuar”.

11 janar 2023, 13:24