Kërko

2023.02.04 Viaggio Apostolico nella Repubblica Democratica del Congo e in Sud Sudan - Incontro con i Vescovi, i Sacerdoti e i Diaconi presso la Cattedrale di S. Teresa 2023.02.04 Viaggio Apostolico nella Repubblica Democratica del Congo e in Sud Sudan - Incontro con i Vescovi, i Sacerdoti e i Diaconi presso la Cattedrale di S. Teresa
Editorial

Barinj që ndërmjetësojnë mes njerëzve, jo menaxherë a prijës fisesh

Papa Françesku takohet me ipeshkvijtë dhe klerikët e Sudanit të Jugut në katedralen e Shën Terezës, në Juba. Rast për të vënë në dukje rolin e Kishës universale dhe të ndërmjetësimit, si ikonë e sinodalitetit.

R.SH. / Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Kujtdo që ushtron një shërbesë në Kishë i kërkohet t'i bëjë vend Zotit dhe të ndërmjetësojë në mes të popullit. Fjalimi i Papës Françesku në katedralen e Jubës, në takimin me ipeshkvijtë e vendit, klerikët, besimtarët dhe besimtaret, është i thellë dhe plot ide, që shkojnë shumë përtej kufijve të Sudanit të Jugut dhe të Afrikës. Pasardhësi i Pjetrit fillimisht kujtoi nevojën për të mos menduar "se ne jemi në qendër", për të mos ia besuar veten "aftësisë sonë", sepse "vepra jonë vjen nga Hyji: Ai është Zoti e ne jemi thirrur për të qenë mjete në duart e Tij”. U kërkoi, kështu, barinjve të jenë të dhimbshëm e të mëshirshëm, "jo pronarë njerëzish" a "prijës fisesh". Më pas kujtoi tiparin kryesor të sjelljes së atyre, që thirren për t'u shërbyer vëllezërve dhe motrave: ndërmjetësimin.

Si bëri Biri i Zotit, duke u mishëruar dhe duke vdekur në kryq: zbriti, për t’u ringritur. Si bëri Moisiu, që ndërmjetëson për popullin, që hyn brenda historisë së tij, për ta afruar me Zotin. E të ndërmjetësosh, shpjegoi Françesku duke i bërë jehonë fjalëve të kardinalit Martini, nuk do të thotë thjesht "të lutesh për dikë", siç mendohet shpesh. Etimologjikisht do të thotë "të hedhësh një hap në mes", të hedhësh një hap për të hyrë në mes të një situate. “Shumë herë kjo nuk shkon aq mirë, por duhet ta bëjmë”, komentoi Papa.

Dukej e qartë, duke e dëgjuar, se ipeshkvi i Romës po fliste në vetën e tretë, por nga zemra e përvojës së tij si bari që lutet, që bërtet, që ndërmjetëson, për ta ndihmuar popullin e tij. Sepse, siç shpjegoi ai, barinjve u kërkohet pikërisht kjo, "të ecin në mes": në mes të vuajtjeve, në mes lotëve, në mes të urisë për Zotin dhe etjes për dashurinë e vëllezërve dhe të motrave. "Detyra jonë e parë - kujtoi përsëri Françesku - nuk është të jemi Kishë e organizuar në mënyrë të përsosur: këtë mund ta bëjë çdo shoqëri".

Kisha e Krishtit "ndodhet në mes të jetës së vuajtur të njerëzve dhe i ndot duart për njerëzit"; e barinjtë e saj ushtrojnë shërbesën e tyre, "duke ecur në mes dhe së bashku, duke mësuar të dëgjojnë dhe të dialogojnë, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre e edhe me laikët”. Së bashku, jo si të privilegjuar, që i përkasin një kaste. Së bashku, duke ndjekur Mjeshtrin dhe duke i bërë vend Atij, jo si menaxherë që u besojnë strukturave dhe strategjive. A s’ është kjo, ndoshta, ikona më e përshtatshme për të përshkruar sinodalitetin?

 

04 shkurt 2023, 16:25