E Mërkura e Përhime: Papa kryeson procesionin dhe Meshën në Aventin
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku do të kryesojë, nesër të Mërkurën e Përhime, më 22 shkurt, në ora 17.00,, procesionin tradicional që shënon fillimin e kohës liturgjike të Kreshmëve që paraprinë e përgatit Pashkët e Jezu Krishtit. Riti do të fillojë, në formën e “Stacioneve romake”, në Kishën e Shën Anselimit në Aventin, në Romë, e do të pasohet nga procesioni pendestar drejt Bazilikës romake të Shën Sabinës, gjithnjë në Aventin, ku do të kremtohet edhe Mesha e fillimit të Krezhmëve të këtij.
Në procesion, së bashku me Papën Françesku, do të marrin pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjërit benediktinë të Shën Anselmit dhe etërit domenikanë të Shën Sabinës, të ndjekur nga besimtarët. Në përfundim të procesionit pendestar në fillimin e Krezhmëve, në Bazilikën e Shën Sabinës, do të kremtohet Mesha Shenjte me bekimin e hirit dhe me ritin e të përhimjes, me fjalët që e shoqërojnë simbolin krezhmor “Kthehuni dhe besoni Ungjillit” (Mk 1,15). Gjatë ritit, edhe vetë Papa Françesku do të përhihet si besimtar i thjeshtë.
Po kujtojmë se tradita e stacioneve kreshmore romake, shumë e lashtë, kremtohet çdo vit në një nga bazilikat ku ruhen reliket e martirëve, që përbëjnë themelet e Kishës së Romës e që, pavarësisht nga kalimi i viteve, nuk i humbasin kurrë vlerat. Kujtohen, kështu, ata që e dëshmuan Jezu Krishtin duke derdhur gjakun e tyre për Të, kujtesë që e nxit çdo të krishterë të përtërijë lidhjen e tij shpirtërore me Ungjillin e Krishtit. Natyrisht në qendër të kremtimit të së Mërkurës së Përhime është riti simbolik i kësaj dite, Përhimja, dhe fjalët që e shoqërojnë. Rijehon, kështu, në të gjitha Kishat e botës, ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit dhe për t’i besuar Ungjillit, gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Krezhmët janë kohë e përshtashme për shtegtimin shpirtëror drejt Atij, që është burim i mëshirës.