Welby dhe Greenshields: shpresë dhe paqe për Sudanin e Jugut
R. SH – Vatikan
Tre zëra për paqen, tre zëra shprese. Kjo është fryma me të cilën Papa Françesku, kryeipeshkvi i Canterbury-t, Justin Welby, primat i Bashkimit Anglikan dhe Pastori Presbiterian Iain Greenshields, moderator i Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë po përjetojnë shtegtimin ekumenik në Sudanin e Jugut. Paqja është fjala më e përmendur gjatë fjalimeve, në Sallën e Lirisë në Juba, pas atij të Papës.
Welby: "Këtu për të shërbyer dhe për t'u lutur me ju"
Kryeipeshkvi i Canterbury-t nënvizoi se është në Sudanin e Jugut " në shenjën e lutjes së përgjëruar". Ai kujtoi vizitën e tij në vend 9 vjet më parë dhe pasojat shkatërruese të luftës me vuajtje dhe dhimbje, por kujtoi edhe bukurinë e vendeve, shpresën e çdo njeriu dhe madje edhe praninë e Zotit. Primati i Kishës Anglikane foli për takimin mbajtur në Vatikan në vitin 2019 me krerët e shteteve të Sudanit të Jugut dhe puthjen e këmbëve të tyre nga Papa Françesku; një gjest i rëndësishëm për të promovuar paqen.
Pothuajse pesë vjet më vonë, ne vijmë përsëri tek ju: të gjunjëzuar për të larë këmbët, për të dëgjuar, për të shërbyer dhe për t'u lutur me ju.
Nga këtu inkurajimi për Kishën lokale të Sudanit të Jugut për të vazhduar punën për paqen. “Ne vijmë - tha Welby - për të dëgjuar të rinjtë dhe për t'u folur krerëve të qeverisë mbi shpresat e tyre për paqen dhe mbi mundësitë për një të ardhme më të mirë. Ne vijmë të nderojmë gratë që kanë njohur vuajtje kaq të tmerrshme dhe megjithatë kanë qenë shenja të rilindjes së vendit”. Pastaj apeli drejtuar botës që të mos e harrojë Sudanin e Jugut, përshkuar nga mundimi i thellë që mund të shihet në fytyrat e njerëzve. "Populli i Sudanit të Jugut duhet nga Zoti. Historitë tuaja janë të njohura nga Zoti. Lutjet tuaja dëgjohen nga Zoti. Së bashku, ne do të lutemi për paqen e Zotit". Një lutje, përfundoi kryeipeshkvi Welby , që shpresojmë të hyjë në zemrat e të gjithëve, por mbi të gjitha të atyre që kanë përgjegjësi të madhe.
Greenshields: "një vend i ri dhe optimist, i gatshëm për t'u angazhuar për të ardhmen"
Një shtegtim i karakterizuar nga "përvujtëria, uniteti, dashuria". Kështu tha pastori Ian Greenshieds, moderator i asamblesë së përgjithshme të Kishës së Skocisë. "Ne vijmë nga tradita të ndryshme si shërbëtorë të Krishtit dhe përpiqemi të ndajmë shpresën se të gjithë janë një gjë e vetme, se Kishat dhe njerëzit bashkëpunojnë dhe përkushtohen për një të ardhme më të mirë për popullin e Sudanit të Jugut dhe për të gjithë botën". Duke ardhur në këtë vend si “vëllezër në Krishtin”, moderatori Ian Greenshieds kujtoi se të gjithë kanë nevojë për paqe. Liderët duhet, prandaj, të jenë të aftë për t'u kujdesur për më të brishtët dhe më të mënjanuarit e shoqërisë.
Unë besoj se Presidenti, Zëvendës Presidentët, udhëheqësit dhe populli i Sudanit të Jugut mund ta rrisin vlerën e drejtësisë dhe të dhembshurisë në këtë vend të ri dhe optimist, plot me njerëz të gatshëm për t'u impenjuar e për të punuar për një të ardhme të ndritshme.
Së fundi, dëshira që me ndihmën e Shpirtit Shenjt të ndërmerret një rrugë, që ofron shpresë për paqen në Sudanin e Jugut.