Muzetë e Vatikanit, roja e historisë
R.SH. - Vatikan
Rrezet e para të diellit nuk i kanë ndriçuar ende qiejt blu të errët të Qytetit të Përjetshëm. Gjurmët në dyshemenë e mermertë dhe zhurma e rreth treqind çelësave thyejnë heshtjen e natës. Është pak pas orës 5 të mëngjesit. Dita në Muzetë e Vatikanit tashmë ka filluar.
Bunkeri dhe 2798 çelësat
Këlthitja e pulëbardhave jehon brenda katër mureve të Oborrit të Pishës. Përballë kafenesë, e cila së shpejti do të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota, rojtari i çelësave hap një derë: të çon në bunkerin ku ruhen, të mbrojtur nga një sistem klimatizimi krijuar për të parandaluar ndryshkun, 2798 çelësat që hapin 11 sektorët e Muzeve të Papës. Ato kontrollohen çdo javë, një nga një, për të verifikuar funksionimin e bravave dhe për t’u bindur për përdorimin e saktë të tyre. Çdo çelës ka një deri në pesë kopje.
Tre çelësat
“Tre çelësa janë më të rëndësishëm se të tjerët: numri “1” hap derën monumentale në dalje të Muzeut të Vatikanit; "401" peshon rreth gjysmë kilogrami. I punuar në vitin 1700, është më i vjetri dhe hap derën e hyrjes së Muzeut Pio Clementino, bërthama e parë e Muzeve të Vatikanit; e, më në fund, edhe më i çmuari, çelësi pa numër, i farkëtuar në 1870-tën, hap derën e Kapelës Sistine, selia e Konklavit që nga viti 1492”, shpjegon Gianni Crea, çelsarojtës që nga viti 1999.
Çelësi pa numër
Ruhet në kasafortë, në një zarf të mbyllur, i rifirmosur nga drejtoria e Muzeut të Vatikanit. Çdo mëngjes rituali me të cilin nxirret, ngjall magjepsjen e shekujve të largët dhe lidhjen historike ndërmjet çelësrojtësve - në shumës sepse sot janë njëmbëdhjetë prej tyre që kryejnë këtë shërbim - dhe Marshallit të lashtë të Konklavit, Ruajtës i Kishës së Shenjtë Romake: ai, të cilit deri në vitin 1966 iu besua detyra për të vulosur të gjitha hyrjet në kapelën e vogël, ku kardinajtë mblidheshin për të zgjedhur Papën.
Pesëqind dyer dhe dritare
Është agim. Rojtari i çelësave nis udhën, të cilën do ta përsërisë duke u kthyer mbrapsht në perëndim të diellit. Ai hap, njëra pas tjetrës, pesëqind dyert dhe dritaret e gjithë itinerarit të vizitave të koleksioneve papnore, duke përshkuar pesë shekuj histori në rreth një orë. Rrotullon çelësin dhe hap portën e rëndë të Muzeut Pio Clementino.
Sizmografët e fshehur
Kalon nëpër bërthamën më të vjetër të koleksionit të Vatikanit, duke ecur nëpër Bibliotekë derisa arrin në Dhomat e Raphael-it. Ai njeh çdo sekret të Muzeut të Vatikanit, si p.sh. sizmografët rudimentalë, të fshehur në muret e Sallës të së Papërlyerës, pikturuar në shekullin e 19-të nga Francesco Podesti: ata u përdorën për të kontrolluar qëndrueshmërinë e ndërtesës pas çdo tërmeti.
Frymëzimi i Mikelanxhelos
Drita e pishtarit, me të cilin inspekton çdo dhomë në errësirënxjerr në pah bukurinë e pavdekshme të afreskeve dhe skulpturave, duke zbuluar sekrete dhe hollësi, që syri vështirë se mund t'i kuptojë në mes të ditës, kur muzeu është i mbushur plot, si lëvizjen e krahut të përkulur të Laocoont-it, nga i cili, në vitin 1506, lindën koleksionet papnore, të pasqyruara pothuajse plotësisht nga Michelangelo në figurën e Krishtit Gjykatës, në Kapelën Sistine.
Dhoma e ndenjes e Leonardos
Udhëtimi vazhdon. Nga përsosmëria e Apoxiomenos deri te dhomat ku qëndroi Leonardo da Vinci. Një marramendje emocionale, gati hipnotizuese, shoqëron ngjitjen përgjatë spirales së Scala del Bramante, një kryevepër e padiskutueshme e arkitekturës, nga maja e së cilës soditet i gjithë shteti i Vatikanit me Fontana della Galera, nga topat e së cilës nuk del më zjarr, por ujë, simbol i paqes. Kyçruajtësi mbërrin në Galeritë Candelabra dhe Tapestery. Mbërrin e hap dritaret, që zbulojnë bukuritë e artit botanik të Kopshteve të Vatikanit.
Italia, parë nga Roma
Përgjatë "korridorit" të lashtë të hartave gjeografike, paraqitja e pazakontë me kokë poshtë e Sicilisë dhe Kalabrisë e vë në pikëpyetje vëzhguesin. Paraqiten kështu sepse, vëzhgohen në dy nga 40 hartat gjigante, që ndjekin njëra-tjetrën për 120 metra përgjatë paraqitjes topografike më të madhe të bërë ndonjëherë të Italisë, nga veriu në jug, me një pasuri marramendëse detajesh. Iu porositën nga Gregorio XIII Boncompagni piktorëve më të mirë peizazhistë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë.
Një copë hënë
Duke lënë dyert dhe kangjellat e hapura përpas, hapi i kyçruajtësit për një çast rikujton "hapin gjigant për njerëzimin" të 20 korrikut 1969. Rikujtim që buron nga fragmentet e shkëmbinjve hënorë nga ekspedita Apollo 11, ekspozuar në galeritë e poshtme, dhuruar nga Presidenti i SHBA Richard Nixon për qytetarët e Vatikanit, së bashku me flamurin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit të mbajtur në hapësirë nga astronautët në atë datë të paharrueshme.
Bodrume dhe papafingo
Të lashtë dhe modernë, prej hekuri ose alumini, të farkëtuar me dorë, të konsumuar nga koha, madje sot edhe elektronikë, çelësat hapin gjithashtu hapësira të paarritshme për publikun, të cilat çelësambajtësi ka për detyrë t'i inspektojë çdo ditë: magazina nëntokësore ku ruhen, mbuluar me mister, portrete anonime nga epoka romake, nga të cilat të ngulën dy sy, të cilët i sfidojnë ata, që e kryqëzojnë; më pas, depozitat dhe papafingot, në muret e të cilëve kujdestarët e lashtë gjatë shekujve lanë gjurmët e kalimit të tyre me grafite e mbishkrime me laps.
Dera e fundit
Ora është rreth 7 e mëngjesit. Dera e fundit që hapet është më e pritura. E bërë prej druri, me një dorezë bronzi në formë "S". "S" si "sekret", pra e rezervuar, e mbyllur; është dhoma ku bëhet shqyrtimi dhe zgjedhja e Pasardhësit të Pjetrit: Kapela Sikstine.
Në pritje të tymit të bardhë
Gianni Crea ka përjetuar dy Konklave dhe kujton me emocion të veçantë pritjen e tymit, që shihet çdo mbrëmje nga tarraca e Nicchione, një nga vendet më të larta në Vatikan, nga ku mund të shijohet pamja e pashoqe e Qytetit të Amshuar dhe ku, në ditët e festave, Brigada e Zjarrfikësve ngre flamurin bardh e zi, i cili mbahet i mbyllur në një kabinet të posaçëm.
Roje e historisë
“Të jesh çelësaruajtës është detyrë që të krijon ndjesinë e ruajtjes së historisë. Kur zgjidhet Papa, 12 çelësa e lejojnë çalësambajtësin ta mbyllë të gjithë zonën përreth Kapelës Sikstine. E më pas, duke respektuar me përpikëri një protokoll të lashtë, është detyra e tij të ndjekë, së bashku me autoritetet kompetente, punën e farkëtarit që vendos vulat për të ruajtur sekretin e gjithçkaje që ndodh brenda Kishës më të famshme në botë; më pas i vendos çelësat në një kuti metalike: ata do të jenë aty, të ruajtura nga Xhandarmëria, derisa të zgjidhet Papa i ri”.
Klauzura e kardinajve zgjedhës
Deri në papninë e Shën Gjon Palit II, pasi kishin hyrë në Konklav, kardinajtë mund të largoheshin nga zona përreth Kapelës Sikstine vetëm pas zgjedhjes: strehoheshin, të izoluar, në dhoma të ndryshme të pallateve të Vatikanit, përshtatur për dhoma gjumi me këtë rast. Menjëherë pas "extra omnes", ishte detyrë e Marshallit të Konklavit të sigurohej që të gjitha dyert, dritaret dhe vrimat në zonën ku qëndronin kardinajtë ishin të mbyllura mirë. Në fund të kontrollit, ky oficer sigurie i vendoste çelësat brenda një çante të kuqe. Këtu qëndronin derisa të dilte tymi i bardhë.
Marshalli dhe çelësat në pritje
Laiku, që i përkiste aristokracisë romake, Marshall i Konklavit, luante rolin kryesor gjatë selisë vakante. Fillimisht ishte familja romake e Savelli që e kishte këtë detyrë, të trashëguar nga viti 1712 e deri në papninë e Palit VI, të kryer nga djali i madh i familjes Chiggi. Kujtojmë se flamuri i Marshallit ka stemën e familjes fisnike me origjinë sieneze, së bashku me simbolin e kamerlengut dhe dy çelësat, jo të kryqëzuar si në stemat papnore, por të ndarë dhe të varur anash.
Të hapësh qendrën e krishterimit
Kapela Sistine është vendi ku përfundon shtegtimi i kyçmbajtësit e ku, që nga viti 2017, mund të shkelni edhe ju, duke e rezervuar këtë hap të jashtëzakonshëm. Është e vështirë ta përshkruash emocionin e hyrjes në errësirëdhe, pasi janë ndezur dritat, të rrethohesh nga gjithë ajo bukuri. “Kur fillova, në vitin 1999”, thotë Gianni Crea, “ishim tre, por përpara se të hapja Kapelën Sikstine, më duhej të prisja tre vjet. E përfytyrova atë çast për një kohë të gjatë, aq sa e ndjej ende atë emocion të papërshkrueshëm: çdo ditë pothuajse druhem të besoj se kam nderin të hap qendrën e krishterimit, për vizitorët që vijnë nga e gjithë bota”.
Rojtari i çelësave të Qiellit
"Ty po t'i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithcka të lidhësh mbi tokë, do te jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka që do të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell (Mt 16, 17-20). Ky është mandati i Jezusit për Apostullin Pjetër, "çelësmbartës i qiellit”.