Kërko

 James Tissot (1886 -1894) “Ciò che Nostro Signore vide dalla croce” James Tissot (1886 -1894) “Ciò che Nostro Signore vide dalla croce”

Çka pa Jezusi nga kryqi?

Në një akuarel nga James Tissot, artist i famshëm i Belle Époque, kryqëzimi paraqitet në mënyrë tejet origjinale. Është Jezusi ai që sheh, nga maja e kryqit, Nënën e tij, Gjonin dhe spektatorët, gjithë njerëzimin. Një vepër që frymëzoi vargjet prekëse të Anna Ahmatova, poete e famshme ruso-ukrainase e shekullit të kaluar

R.SH. - Vatikan

Në një akuarel nga James Tissot, artist i famshëm i Belle Époque, kryqëzimi paraqitet në mënyrë tejet origjinale. Është Jezusi ai që sheh, nga maja e kryqit, Nënën e tij, Gjonin dhe spektatorët, gjithë njerëzimin. Një vepër që frymëzoi vargjet prekëse të Anna Ahmatova, poete e famshme ruso-ukrainase e shekullit të kaluar

Çka pa Jezusi nga kryqi?

Në art, kryqëzimi është padyshim një nga skenat më në shenjë. Ikonografia normalisht përsërit një model të mirënjohur. Në qendër është Krishti, ndërsa tek këmbët e Zotit shpalosen figurat themelore të përmendura në Ungjij, secila pothuajse gjithmonë në të njëjtin vend, djathtas dhe majtas: Maria, Gjoni, Magdalena, gratë, centurioni. Por është edhe një pikturë  me akuarel a bojëra uji e piktorit francez Jacques-Joseph ose James Tissot (1836-1902) që e përmbys këtë këndvështrim: nuk jemi ne, që shikojmë Krishtin, por Ai, që na shikon, në pozicionin e torturës.

Një paraqitje e vetme

Peizazhi përreth është tejet i njohur nga piktori, pasi pas një krize mistike,   jetoi në Palestinë për rreth dhjetë vjet në kërkim të gjurmëve të Krishtit. Peizazh i populluar nga një turmë figurash me fytyrat e karikaturizuara, të shndërruara nga urrejtja. Njerëz që qeshin, spërdridhen, dëgjojnë më shumë britmat e tyre, sesa ato të të Kryqëzuarit. Në qendër, pikërisht përballë, varri pret. Bosh. I ruajtur nga dy figura, të vetmet me kokë të zbuluar, ndoshta engjëj të veshur me të bardha. Ka edhe disa ushtarë romakë të shtrirë në tokë, me shtiza gati për sulm, që zgërdhihen. Pastaj, një centurion, me përkrenare dhe mantel të kuq. Ai qëndron me këmbët e hapura, të ngulura mirë në tokë, por shprehja e fytyrës së tij tregon një lloj dorëzimi dhe në të njëjtën kohë, pajtimi. Me fytyrë serioze, e shikon Krishtin drejt në fytyrë. Me sa duket është centurioni i Ungjijve (krh. Mateu 27, 54; Marku 15,39; Lluka 23,47), ndërsa në të po ndodh ai ndryshim, që menjëherë pas vdekjes së Zotit, do ta bëjë të pohojë: "Vërtet ky njeri ishte Biri i Zotit!". Me kokën ulur, Jezusi shikon këmbët e veta të gjakosura dhe Magdalenën e kapur pas kryqit, me fytyrën e shpërfytyruar nga dëshpërimi.

Në qendër të dhimbjes, Nëna, me sy ngulur mbi kryq

Jezusi, në qendër të pikturës, shikon te këmbët e kryqit gratë, Gjonin dhe, të shkëputur nga të gjithë, të zhytur në heshtje, Nënën. Maria i mban duart kryqëzuar në gjoks, për të përmbajtur dhimbjen e shpatës së padukshme, që ia çan më dysh kraharorin. Sytë e saj ngulen mbi të Birin e fytyra  i duket si ajo e një vajze të vogël.

Sa shumë ndryshon portreti i Nënës së Zotit, nga portretet e grave të bukura franceze, pikturuar nga Tissot, para se t'i kushtohej krijimit të një serie të njohur skenash nga Bibla dhe nga jeta e Krishtit. Femrat e tij dikur ishin shumë elegante, me qerpikë të gjatë, modele të rafinuara flokësh dhe veshje të modës së fundit. Artisti ishte i famshëm për paraqitjet e një mjedisi të pasur borgjez. Më vonë, gjithçka do të ndryshonte! Sytë e piktorit do të nguleshin te Kryqi. Si sytë e Nënës! Sa zemërthyese është për një nënë të jetë spektatore e vdekjes së birit të saj... Dhe çfarë dhimbjeje të papërfytyrueshme duhet të ndiejë një bir, që jep shpirt duke shikuar lotët e nënës?

Vargjet e një nëne

Anna Achmàtova (1889 -1966), poet i madh - siç donte ta përkufizonte veten, në gjininë mashkullore - me origjinë ruso-ukrainase, pati një jetë plot me mundime e trazira. Duke i ngjarë Marisë. Për shtatëmbëdhjetë muaj, me shumë nëna të tjera, qëndroi në radhë përpara burgut të kryqeve në Leningrad, për të marrë lajme nga i biri, Levi, i burgosur nga viti 1935 deri më 1940. Ishin vitet dramatike të Stalinit dhe terrorit të tij. Vite Kalvari e kryqash!

Ana e jetoi atë periudhë dhe deshi të jepte dëshmi poetike për vuajtjet e veta dhe të njerëzve. Disa nga vargjet e saj duket se janë pasqyruar përsosurisht në veprën e Tissot, pothuajse si në pasqyrë:

Kryqëzimi

Krishti- Nënës

Mos qaj për mua, e mekur,

kur në kryq t’më shikosh

t’ gjakosur e të vdekur!

Kori i Engjëjve

Engjëjt lumnuan orën tragjike

e qiejt u shkrinë në zjarr.

Atit i tha: "Pse më braktise?"

E nënës:

"mos dënes, kur të zbres në varr!”.

II.

Idhtas Madalena vajtonte

Pranë Gjonit vet e dytë,

Po aty ku Nëna shikonte,

Askush s’ guxoi t’i ngulë sytë!”.

(nga Requiem, 1941-1943)

07 prill 2023, 09:40