Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Gesù sale il calvario Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Gesù sale il calvario

E Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve

Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në ty, sepse presim përmbushjen e misterit, i cili që nga kohët e largëta vijon të na i trondisë zemrat, vijon të na shtyjë ndërmjet buzë greminave të asgjësë e horizonteve të pamasa të gjithësisë

R.SH. - Vatikan

E Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Me të Dielën e Larit, që kremtuam dje, kemi hyrë në Javën e Shenjtë dhe të Madhe të Pashkëve të mundimeve, kryqëzimit me vdekje mbi kryq dhe të Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Pra, dje, në rrëfimin e historisë së hyrjes së Jezusit në Jerusalem, për të plotësuar veprën e Tij të shëlbimit, jehonin ende britmat e turmës e të fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvujtërisht mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin e shenjtë, pyesnin banorët e Jerusalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia! Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”. 

Jeusi kishte sy të butë, që të hynin deri në zemër. Depërtonte vështrimi tij në thellësinë e shpirtrave, që prisnin zbulesën, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të panumërta, kahmot pa përgjigje. Shikimi i tij depërtonte në ditët që do të vinin së shpejti, kur “Hosanave” do t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote: “Kryqëzojeni!”. E u thoshte krerëve plot mllef të popullit, që s’mund t’i duronin më brohoritjet, se po t’i detyronin fëmijët të heshtnin, do të këlthisnin gurët e sokakëve!.

Po sot është një ditë e re. Jezusi e kaloi natën jashtë qytetit të Jerusalemit, drejt Betanisë, larg kurtheve. I mbështjellë me mantel, shtrirë poshtë një peme, kundron ndërmjet degëve hënën, që s’është ende e plotë.

Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen e misionit të shëlbimit? Edhe katër ditë e Qengji i Hyjit, do të flijohet. Qengji i flijes së re, që historia e njerëzimit e pret, e pavetëdijshme e që dielli e ka përgatitur në vitet e amshuara. Pas pak, në një kopsht tjetër, do të derdhë lot e gjak, i pushtuar nga angështia e vdekjes, e mijëra sfilitjeve, e mëkateve të botës...

E tani ka një shpresë të vetme: “O Atë, largoma nga buza e gojës këtë kelk!”. Për Ty s’ka asgjë të pamundur!”. Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një kthesë e orientim tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë  me mëshirë, sesa me drejtësi, që të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdëve, shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për Ty s’ka asgjë të pamundur, o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajësinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet e errëta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ ka gjë të pamundur! Ti mund ta fashitësh edhe zemrën  time. E kështu unë do të përsëris në amshim, i lëshuar megjithsejt në dorën tënde: “Atë. U bëftë vullneti yt, jo imi!”.

Po sot është një e re. Tekat e pranverës ngacmojnë erën, që fryn mbi shkretëtirë, duke e mbuluar qiellin me re të ulta, ngarkuar me shi. Njerëzit ikin me vrap nga udhët e strehohen në Tempull. Luten, bëjnë flijime (kurbane), sillen e përsillen në hapësirën vigane, duke shikuar me droje, por edhe me një ndjesi sigurie, krerët që ecin të krekosur e dyshimtarë. E pastaj, në turmë, dëgjohet një zë:

“Si ju duket ju? Një njeri kishte dy djem: duke iu drejtuar të parit, i tha: Bir-o, shko sot e puno në vresht. E ai u përgjigj: ‘Po, zotëri; por nuk shkoi.

Duke iu drejtuar të dytit, i tha të njëjtën gjë. E ai u përgjigj: ’S’po jam në terezi; por mbrapa, i penduar, shkoi.

Kush nga këta të dy e çoi në vend vullnetin e të atit?”.

I thanë: “Ky i fundit”.

E Jezusi u tha atyre: “Me të vërtetë po ju them: publikanët e gratë e përdala do të kalojnë para jush në mbretëri të Hyjit”.

Njerëzit dëgjojnë e shikojnë, të çakërdisur, si zbehen fytyrat e krerëve, ndërsa ndjejnë në shpirt shpërthimin e një ujërave të ylbertë me premtime, një paqe të panjohur, dhuratë e një lirie të re, e cila s’pyet për atë që është në krye, s’pyet për ligjin, nuk pyet cilit popull a tradite i përket, nuk pyet për fjalë, por për vepra shenjte. I jep vlerë të re pendimit, pranimit të përvujtë të gabimeve e dëshirës për të ndërruar rrugë. E kush nga ne nuk është sadopak publikan, njeri që flijon ndershmërinë për përfitime materiale, për para të rrëmbyera; që shkel drejtësinë, i shtyrë nga etja për pasuri e s’pyet fare për urinë e shumicës, pa shpresë për të nesërmen? Kush nuk e shiti sadopak, si gratë e përdala, dinjitetin e vet për favore, për privilegje, për vlerësime, për pushtet?

Turma është gjithnjë aty; e heshtur, e fyer, e penduar, por edhe plot me shpresa: nuk arrin dot ta dallojë fundin e kësaj ndeshjeje misterioze e pa mëshirë. Por zëri vijon e thotë: “Guri i lënë mbanësh nga ndërtuesit, u kthye në gurë themeli”.

Tani e dinë të gjithë: krerët e popullit tashmë e kanë dënuar. Ai nuk ka më vend në këtë ndërtesë e duhet lënë mbanësh, duhet flakur jashtë me turp. Duan ta kapin, por druhen. I ngrenë kurthe. E pyesin, prandaj: “A lejohet, a jo, t’i paguhen të dhjetat Qesarit? Pushtuesit të kombit tonë, zotërisë së botës? Ne duhet t’i japim, apo jo?”. Sa dëshirë do të kishin të përgjigjej ‘jo’, për ta paditur pastaj tek romakët! Por sa dëshironin edhe të thoshte ‘po’, që  njerëzit të mos i besonin më, të mos e ndiqnin më, të mos e mbronin më! Por ai diti t’i ndajë përgjegjësitë e qiellit nga ato të tokës. E shikoi, i lirë, duke pritur orën në të cilën, në përkim të plotë me vullnetin e Atit Hyjnor, do të ngadhënjejë mbi furinë e terrinave!

Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në ty, sepse presim përmbushjen e misterit, i cili që nga kohët e largëta vijon të na i trondisë zemrat, vijon të na shtyjë ndërmjet buzë greminave të asgjësë e horizonteve të pamasa të gjithësisë. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas Jezus.....

Duam të të ndjekim pas Jezus

03 prill 2023, 09:37