Parolin: Matteo Ricci e Xu Guangqi, dy shkëndija drite, bartës të paqes së Zotit
R.SH. – Vatikan
Át Matteo Ricci, jezuiti ungjillëzues i Kinës dhe Paolo Xu Guangqi, i kthyeri më i famshëm kinez në krishtërim dhe mik i madh i Át Ricci-t, në kohën e tyre, kanë qenë "shkëndijë drite, qendër dashurie, tharm jetëdhënës i masave", sepse jetonin "në bashkim me Zotin”. Tani na takon ne të kujtojmë se paqja e vërtetë vjen nga Zoti e do të thotë "të bëhemi një me Të, duke ditur si t’i falim të gjithë, madje, edhe armiqtë". Këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë homelisë së meshës së mbrëmshme në katedralen e Shën Gjonit në Macerata të Italisë, që i parapriu përurimit dhe bekimit të dy shtatoreve kushtuar “këtyre miqve”. Prelati përdori fjalët e enciklikës “Pacem in Terris” të Shën Gjonit XXIII, botuar 60 vjet më parë, "në një çast fatal për paqen në botë, të vështirë aq sa ai, që po jetojmë prej më se një viti". Shtatoret janë vendosur në dy kamare në fasadën e kishës së saporestauruar dhe janë dhuruar nga shoqata e katolikëve kinezë, miq të Át Ricci-t, i cili ka lindur në Macerata dhe, të Xu Guanqi, dishepullit të tij më të shquar kinez, themelor për rrënjosjen dhe përhapjen e katolicizmit në Kinë, sidomos në Shangai.
Nga kultura të ndryshme, ata krijuan një "miqësi shoqërore" të re
Kardinali Parolin theksoi se të dy, megjithëse “u përkisnin kulturave të largëta dhe shumë të ndryshme, u takuan si miq dhe krijuan miqësi shoqërore, jo duke bërë sikur ishin njëlloj, por duke u afruar, ndërsa e vlerësonin njëri-tjetrin”. Kështu, i bënë ballë së bashku sfidës ende aktuale edhe sot: "me respekt të thellë për madhështinë kulturore të Kinës, ndanë me popullin kinez dhuratën e çmuar të Ungjillit, ofruar si udhë urtie e dijeje nga Zoti për njerëzit, që dëshirojnë shëlbimin".
Paqja e Zotit nuk ka fund, paqja e kësaj bote "herët a vonë, përfundon"
Duke komentuar Ungjillin, kardinali Parolin foli për paqen e Zotit, të cilën bota nuk është në gjendje të na e dhurojë, pasi shpesh, paqja e kësaj bote është rezultat i forcës. Paqja e kësaj bote, siç kujton Papa Françesku, “herët a vonë përfundon dhe duhet kërkuar një tjetër. Nganjëherë, ajo bazohet në vuajtjet e të tjerëve dhe në shfrytëzimin e tyre". Ndërsa paqja e dhuruar nga Jezu Krishti “të nxjerr nga izolimi, të vë në lëvizje, të çon drejt të tjerëve”. Ashtu si Át Ricci dhe misioni i tij në Kinë, në kapërcyellin e shekujve XVI-XVII.
Ideja e një këshilltari të Xuhui-t, 12 vjet më parë
Historia e dy shtatoreve - ajo e Át Matteo Ricci-t, për të cilin ka filluar çështja e lumnimit dhe, ajo e doktor Paolos, siç e quanin jezuitët mandarinin funksionar, matematikan, agronom dhe përkthyes, që jetoi në përfundim të dinastisë Ming - fillon në vitin 2011 kur këshilltari i Xuhui-t (Shanghai), Song Haojie, gjatë një vizite në Macerata me disa studiues kinezë, shkon në katedralen e Shën Gjonit, mbyllur për restaurim. Duke ditur se është kisha, që ruan kujtimin e jezuitëve dhe të Át Ricci-t, kur pa dy kamaret bosh në fasadë, i tha famullitari aktual, don Giovanni Battista Sun, edhe ai kinez, se “do të ishte mirë të vendosen dy shtatore këtu: njëra e Át Ricci-t, tjetra e Xu Guangqi, në shenjë miqësie dhe shkëmbimi ndërkombëtar”. Ajo që dukej si ide e pamundur, u realizua pikërisht dje, më 9 maj.