Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Pietro Parolin

Kard. Parolin: Evropa duhet të jetë e bashkuar përballë sfidave në Mesdhe

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin ilustron për mediat e Vatikanit domethënien e udhëtimit të Papës në Marsejë me rastin e mbylljes të "Rencontres Méditerranéennes": një rast për të promovuar një frymë kohezioni dhe konkretësie ndërmjet vendeve evropiane, veçanërisht në temën e migrimit

R.SH. / Vatikan

Massimiliano Menichetti

Është e nevojshme që Evropa të gjejë një konsensus për Paktin e Ri për Migracionin dhe Azilin sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin në një intervistë për mediat e Vatikanit, në pragun e udhëtimit apostolik të Papa Françeskut në Marsejë sot më 22 dhe nesër më 23 shtator me rastin e mbylljes së “Rencontres Méditerranéennes” “Takimeve Mesdhetare”. Të gjitha vendet evropiane - nënvizon kardinali Parolin - duhet të marrin përgjegjësinë për situatën në Mesdhe, larg parullave dhe konflikteve, duke pasur parasysh fytyrat e njerëzve dhe jo shifrat e një çështjeje komplekse dhe dramatike.

Shkëlqesia juaj, Papa do të jetë në Marsejë për "Takimet mesdhetare", ku do të takohen peshkopët katolikë të 30 vendeve mesdhetare, së bashku me disa kryetarë bashkie dhe të rinjsh. Çfarë do të sjellë Papa?

Ati i Shenjtë e pranoi ftesën për të marrë pjesë në këtë edicion të tretë të “Takimeve Mesdhetare”, që pason ato të Barit dhe Firences, duke e parë atë si një rast të çmuar për të bashkëndarë dhe ndërtuar të mirën e përbashkët. “Takimet mesdhetare”, në fakt, në një kontekst që bashkon territore, popuj, histori dhe fe të ndryshme në një mënyrë thuajse unike, nxisin unitetin në përballjen e sfidave të përbashkëta dhe vendimtare për një të ardhme që, desha apo jo, do të jetë së bashku apo nuk do të jetë, siç e ka kujtuar vazhdimisht Papa. Besoj se Ati i Shenjtë dëshiron ta dëshmojë këtë frymë kohezioni dhe konkretësie në Marsejë. Në Mesdhe debati mbizotërues për momentin është i lidhur me çështjen e migracionit, ku përtej vështirësive lind nevoja për t'i trajtuar problemet së bashku dhe me vizione largpamëse, jo vetëm si emergjenca aktuale që secili përpiqet t'u qaset duke ndjekur interesat e veta të veçanta.

Si ndërtohet pranimin, dialogu dhe paqja në një botë që me vështirësi arrin të njohë fytyrat e atyre që janë në nevojë?

Do të thosha të fillosh të besosh seriozisht dhe aktivisht në dialog, i cili nuk është një mjet i dobishëm për të afirmuar pozicionet e dikujt, por është një rrugë e hapur për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Ju thatë se bota përpiqet të njohë fytyrat e atyre që janë në nevojë, dhe është e vërtetë: për fat të keq shumë çështje trajtohen duke filluar nga "numrat" dhe jo nga "fytyrat". Kur mendojmë për gjendjen e rëndë të emigrantëve, duhet të nisemi nga përparësia e dinjitetit njerëzor mbi çdo konsideratë tjetër legjitime, duke shmangur atë mendim ideologjik, kundër të cilit Papa na tërheq vëmendjen të ruhemi, i cili vë teoritë, shpesh propagandistike, përpara realitetit të fakteve. Çështja e migracionit është një fenomen kompleks, i cili nuk ka zgjidhje të thjeshta e të menjëhershme dhe që nuk duhet trajtuar me slogane e premtime, por, siç kujtoi pak ditë më parë edhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, përmes “veprimeve të bashkuara” që me të vërtetë impenjojnë burime për të garantuar kushte më të mira pritjeje, paqeje dhe stabiliteti.

Luftërat, varfëria, dhuna shpesh përcaktojnë nevojën për t'u larguar nga vendlindja. Hirësia Juaj, cilët janë hapat konkretë që duhet të ndërmerren për të zgjuar komunitetin ndërkombëtar?

Megjithëse luftërat, varfëria dhe dhuna përcaktojnë vendimin për t'u larguar nga vendlindja, nuk mund të harrojmë se ato shkaktohen nga ata që kryejnë akte dhune, nga ata që shkaktojnë konflikte, nga ata që marrin vendime politike që nuk kërkojnë e nuk synojnë të mirën e përbashkët. Hapi i parë, pra, është të marrim përgjegjësi për vendimet që marrim çdo ditë në shtëpitë tona, në familjet tona, midis miqve, në punë, në shkollë, në shoqëritë tona dhe në qeveritë tona. Pra, krizat nuk janë të rastësishme, por çështje zgjedhjesh personale dhe kolektive. Do të thosha se ka nevojë për konvertim, si pikënisje për propozime pozitive politike, investime dhe projekte sociale që vërtet synojnë ndërtimin e një kulture dashurie dhe të një shoqërie vëllazërore, ku njeriu nuk detyrohet të ikë, por mund të jetojë në paqe, siguri dhe prosperitet.

Ditët e fundit zbarkimet e emigrantëve në brigjet italiane janë intensifikuar, veçanërisht në Lampedusa. Çfarë t'u thuash banorëve të ishullit që gjithmonë kanë pritur, por prej vitesh kanë kërkuar të mos mbeten vetëm?

Para së gjithash, asnjë vepër e mirë nuk është e kotë, asnjë gjest dashurie dhe bamirësie nuk shkon kot. Krishti është i pranishëm në përpjekjet tona për të dashur dhe për t'u kujdesur për më të voglin mes nesh dhe në çdo akt bujarie e takojmë dhe përjetojmë praninë e tij. Megjithatë, ata që janë të përkushtuar për t'u kujdesur për migrantët dhe refugjatët nuk mund të lihen vetëm për t'u përballur me këto sfida pa mbështetjen e qeverisë. Ata kanë nevojë për solidaritet kombëtar dhe ndërkombëtar. Aktualisht më shumë se një plan veprimi është duke u diskutuar në nivelin politik. Jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë. Po vijnë në mendje projektet e ndryshme të zhvillimit në Afrikë dhe Pakti i Ri për Migracionin e Azilin. Është e nevojshme që sa më shpejt të arrihet një konsensus për Paktin. Të gjitha vendet evropiane,së bashku, duhet të marrin përgjegjësinë për situatën në Mesdhe.

Çfarë pritet nga takimi i Marsejës?

Do të thosha se vetë titulli i takimit, që është “Mozaiku i shpresës”, i përmbledh mirë pritshmëritë. Në fakt, bëhet fjalë për të ringjallur shpresën dhe për ta bërë atë - në një periudhë ku ne perceptojmë një klimë të intolerancës dhe indiferencës së madhe - së bashku, duke konverguar në çështje themelore, rreth të cilave nuk janë palët e ndryshme dhe opozita që ndihmojnë, por bashkëpunimi e vullneti i mirë. Mendoj, pikërisht, për fenomenin migrator, por edhe për sfidat e paqes, ndryshimet klimatike, luftën kundër urisë... Në këtë kuptim, takimi i Marsejës përfaqëson, përmes punës së përbashkët të liderëve kishtarë dhe civilë, një mundësi për të nxitur shpresën në mënyrë konkrete.

22 shtator 2023, 10:22