Barbara Jatta: Barka e Pjetrit mirëpret vizitorët në Muzetë e Vatikanit
R.SH. - Vatikan
“Një simbol i Kishës sonë dhe i ne të gjithëve: i frikës, por edhe i shpresave tona”. Drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, e përshkruan kështu riprodhimin impozant të Barkës së Pjetrit, që tashmë është ekspozuar përgjithmonë në hyrje të Muzeut të Vatikanit. Objekti, me një vlerë të lartë simbolike, u vendos në bazën e shkallës spirale, të quajtur Udha e Detit, përgjatë së cilës janë ekspozuar modele të ndryshme varkash nga e gjithë bota, dhuruar Papëve.
Origjinali, i gjetur në Galile
E realizuar nga Aprea-t, mjeshtrit e anijeve të gadishullit Sorrento, kjo kopje besnike e barkës së lashtë dhe origjinale të Pjetrit, e gjetur në vitin 1986 në fund të liqenit të Tiberiades, ruhet edhe sot në muzeun Yigal Allon të Gennèsaret, në Galile. Iu dhurua Papës Françesku më 15 marsin e kaluar nga familja Aponte, pronare e NLG-Navigazione Libera del Golfo, me bashkëpunimin e mbështetjen e Institutit Diplomatik Ndërkombëtar të Romës.
Papa e pranoi, si dhuratë për të gjithë
“Është një objekt i bukur dhe simbolik, që Papa Françesku dëshironte ta sodisnin sa më shumë njerëz”, vazhdon Barbara Jatta. “Ndaj lindi natyrshëm dëshira për ta vendosur në hyrje të Muzeut të Papës, në një vend ku mund ta shihnin të gjithë por, mbi të gjitha, vend që përfaqësonte simbolikisht mesazhin e fortë që përmban: “Via del Mare”. “Riprodhon një varkë të gjetur në brigjet e liqenit të Tiberias në vitin 1986, gjatë një uljeje të papritur të ujërave, ruajtur mirë falë baltës në shtratin e detit, që e mbuloi. Datohet në gjysmën e dytë të shek I para Krishtit, ndërsa nga ekzaminimi i karbonit, në vitet 14 -50 para Krishtit – e 50 pas Krishtit, bazuar edhe në provat e siguruara nga materiali qeramik i gjetur në bord. Është, pra, një anije e madhe me vela, që sipas të gjitha gjasave, “lundron” drejt kohëve tona që nga koha e predikimit të Jezusit.
Barka e Ungjillit
Është një varkë e madhe, 8.8 metra, me një dyrek 8 metra, e përdorur për peshkim, që mund të strehojë katër vozitës dhe rreth një duzinë njerëz. Me sa duket i përket të njëjtit lloj varke për të cilën flitet në fragmentin ungjillor të peshkimit të mrekullueshëm dhe stuhisë së paqëtuar nga një gjest i Krishtit!
Barka e barkave
“Është varka e varkave” - vijon drejtoresha e Muzeut të Vatikanit. “Na flet për origjinën tonë, është simbol i Kishës, i asaj së cilës vijojmë t’i përkasim edhe sot e kësaj dite. Varka e Pjetrit përfaqëson vështirësitë, që duhet t’i përballojmë në në jetën tonë të përditshme, por edhe ftesën e Jezusit për të besuar në Zotin, drejtuar Pjetrit dhe dishepujve, ngurrues dhe dyshues, kur u flitet për një lundrim të ri. Pra është një mesazh simbolik mahnitës”.
Toka e Shenjtë, nga dhimbja në shpresë
Mendimet tona kthehen në mënyrë të pashmangshme në dramën e përjetuar në këto orë të trazuara në Tokën e Shenjtë. “Është një moment i vështirë”, por ftesa e Krishtit për të mos u frikësuar dhe për t'u nisur në thellësi, që sugjeron Barka e Pjetrit, “na hap shikimin drejt shpresës”.
Ekspozita e re u përurua në Cortile delle Corazze të Muzeve të Vatikanit me fjalimet e Maurizio Aponte, drejtor i përgjithshëm i Navigazione Libera del Golfo; Paolo Giordanit, kryetar i Institutit Diplomatik Ndërkombëtar dhe Silvio Screpantit, zëvendësdrejtor teknik i Drejtorisë së Infrastrukturës dhe Shërbimeve të Guvernatorit të Shtetit të Vatikanit. Tani pret aty vizitorët, të cilëve u tregon, me praninë e vet pa fjalë, historinë e peshkatarëve të peshqve, të cilët Krishti i shndërroi në peshkatarë njerëzish!