Kërko

Editorial

Drita e vogël e sinodit, në orën e errët të botës

Për njerëzimin në buzë të humnerës, ajo që ndodhi katër javët e fundit në Romë, është shenjë shprese. Tregon rrugën për një Kishë misionare e cila, duke zbatuar më në fund Koncilin II të Vatikanit, nuk ka frikë nga risitë e sugjeruara nga Shpirti Shenjt

Andrea Tornielli

Në një botë që digjet e është në buzë të humnerës së një konflikti të ri botëror; në një botë të karakterizuar nga paaftësia për të dëgjuar dhe nga urrejtja që nxit luftërat dhe dhunën, duke i pasqyruar edhe në kontinentin dixhital, fakti që katërqind njerëz u mblodhën për një muaj larg shtëpisë për t'u lutur, për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të diskutuar është padyshim lajm. Kisha sinodale, mbi të cilën Papa Françesku këmbëngul, përfaqëson sot një farë të vogël shprese: është ende e mundur të dialogojmë, të mirëpresim njëri-tjetrin, të lëmë mënjanë protagonizmin e egos së dikujt për të kapërcyer polarizimet e për të arritur në një konsensus të përbashkët.

Jetojmë në një orë të errët, një kohë në të cilën luftërat dhe terrorizmi, që masakrojnë civilë e fëmijë, mbështeten nga dhuna verbale dhe mendimi unik. Një orë e errët, në të cilën edhe “paqja”, “dialogu”, “biseda” dhe “armëpushimi” janë bërë fjalë të pashqiptueshme. Një orë e errët e karakterizuar nga mungesa e guximit, largpamësisë dhe krijimtarisë diplomatike në të gjitha nivelet - duke nisur nga qeveritë dhe klasat sunduese. Ekziston vërtet nevoja për t'u kapur pas lutjes. Është vërtet e nevojshme të mbështetet dhe të ndiqet një zë profetik i aftë për t'u lartuar mbi interesat, ideologjitë, partishmërinë: ai i Ipeshkvit të Romës. Ndërsa bota është në flakë, sinodi i kremtuar këtë muaj tetori, përfaqëson një farë të vogël, e cila shpresojmë të jetë kuptimplote, me pasoja për të ardhmen e Kishës dhe të mbarë njerëzimit.

Duke parë Kishën dhe misionin e saj, po të analizojmë dokumentin përmbledhës të kësaj seance të parë të të vetmit sinod, që do ta ketë epilogun pas një viti - një tekst i votuar me një përqindje shumë të lartë konsensusi - zbulojmë mjaft veçori të reja. Para së gjithash, një ndërgjegjësim i mëtejshëm  duhet t’i zbatojë mësimet e Koncilit të fundit, Koncilit të II të Vatikanit në lidhje me të vetmen thirrje që na përfshin të gjithëve si të pagëzuar.

Në çdo faqe të Ungjillit, Jezusi, i cili i afronte të gjithë dhe u fliste të gjithëve, kundërshtohet dhe luftohet nga kastat. Klerikët e kohës, të mësuar të vendosin barra të rënda mbi supet e të tjerëve, skribët, mjekët e ligjit, mësuesit e doktrinës. Ekziston nevoja për ta parë Jezusin Nazarenas, për të rifituar në Kishë, në të gjitha nivelet, nga kuria romake, deri te famullitë më të vogla, ndërgjegjësimin se çdo shërbesë është shërbim, e jo pushtet, dhe se është vërtet "e dobishme" nëse bashkon, i bën njerëzit bashkëpërgjegjës, krijon vëllazëri, dëshmon për mëshirën e Zotit, nuk distancohet, nuk ngulitet në privilegje, nuk vë linja ndarjeje ndërmjet atyre që janë të shuguruar dhe atyre që nuk janë, nuk e konsideron (ndoshta më shumë me vepra sesa me fjalë) laikun si i pagëzuar i klasit të dytë. Në të njëjtën kohë, rreziku i dëshirës për t'u klerikalizuar dhe për ta lejuar veten të klerikalizohet, për të shkuar përtej kastave të vogla të "laikëve të përkushtuar".

Sinodi mbi sinodalitetin e Kishës do të jetë një farë shprese nëse koha e hirit e përjetuar nga burrat (shumica dhe kryesisht ipeshkvijtë) si dhe gratë e mbledhura në Romë dëshmohet si  metodë që duhet zbatuar me durim në çdo shprehje të bashkësive të krishtera. Nuk do të jetë farë shprese, nëse do të reduktohet në frymë burokratike, ndoshta duke  përfshirë në përzierjen e gjuhës "kishtare" dhe vetëreferuese një përzierje kategorish të vjetra klerikale. Ato të një Kishe që, me fjalë, dëshiron ta zbatojë këshillin, por me punë vijon të veprojë sipas kategorive parakonciliare nëpërmjet praktikave të konsoliduara, me ipeshkvij dhe priftërinj që vendosin dhe me të pagëzuarit e tjerë, që duhet të kufizohen në zbatimin e vendimeve të tyre.

Atëherë Relacioni përmbledhës i sapopublikuar i këtij Sinodi flet për nevojën e përbashkët për t'i dhënë hapësirë ​​më të madhe grave, gjeniut femëror, parimit Marian kaq të rëndësishëm në Kishë. Edhe në këtë rast do të mjaftonte të kishim guxim për të parë më shumë Ungjillin dhe për t'i besuar më shumë Jezusit. Nën kryq, kur apostujt dhe dishepujt (përveç Gjonit) ikën, kishte gra. Ndërsa Jezu Krishti vdiq, ata mbetën aty. E kjo, për shkak të intuitës së tyre dhe guximit të tyre për të lënë çenakullin e për të dhënë lajmërimin e parë të ngjalljes. Te varri i zbrazët i Krishtit të Ngjallur shkuan së pari gratë, jo burrat, jo apostujt e frikësuar që mbetën të mbyllur në shtëpi.

Njoftimin e parë të lajmit më tronditës në historinë e njerëzimit – atë të Zotit që bëhet njeri, vdes për ne dhe pastaj ngjallet duke na bërë pjesë të këtij fati - e dhanë gratë, jo burrat. Ata dëshmuan për atë që panë, varrin bosh, ata janë të parat që thonë se Jezusi është gjallë. Ata ua bëjnë predikimin e parë mbi kerygmën, mbi çka është themelore në fenë tonë, apostujve dhe dishepujve ende të tmerruar nga ajo që ndodhi të Premten e Madhe. 

Do të mjaftonte të niseshim prej këtu, që të gjithë të ndërgjegjësohen se gratë duhet të vlerësohen shumë më tepër në çdo nivel në Kishë, duke kapërcyer murtajën e klerikalizmit, sëmundje që, fatkeqësisht, është ende shumë e rrënjosur,  e edhe shumë e denoncuar nga Pasardhësi i Pjetrit. Duhet shpresuar se dokumenti përmbledhës i sinodit do të jetë një pikë pa kthim, në rikthimin e origjinës ungjillore edhe në këtë fushë.

Një tjetër element që del nga teksti i votuar nga anëtarët e sinodit është ai për pritjen e të lënduarve. Mirëpritja e të varfërve - afërsia me ta dhe zgjedhja preferenciale për ta është mësimi i Jezu Krishtit dhe tradita e Etërve të Kishës, jo kategori sociologjike apo zbulim i teologjive çlirimtare - dhe mirëpritja e emigrantëve, në të cilët i krishteri nuk mund të mos i shikojë të pasqyruara fytyrat e Familjes Shenjte të Nazaretit në arrati. Por edhe për mirëseardhjen e atyre që janë “të parregullt”, që janë të largët, që janë “të paparaqitshëm”. Edhe një herë, duhet t'i kthehemi Ungjillit dhe asaj sinteze shumë efektive që përmban fjalët të cilat Ipeshkvi të Romës ua besoi të rinjve të DBR-së në Lisbonë, duke përsëritur se në Kishë ka vërtet vend për të gjithë, "todos, todos, todos".

Në çdo faqe ungjillore shohim JezusinNazarenas që thyen tabutë dhe traditat e konsoliduara, duke çmontuar respektin e rremë dhe hipokrizinë, për të përqafuar mëkatarin, të plagosurin, të flakurin, të parregulltin, të korruptuarin, të largëtin, kë është i largët, që nuk është “një prej nesh”. Do të jetë mirë për të gjithë  të rikthehen tek dinamika e asaj që ndodhi në Jeriko, në mars të vitit 30, pak ditë para mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit, kur Mësuesi, duke kaluar poshtë fikut, çon sytë lart dhe e thërret tagrambledhësin e vogël të korruptuar dhe të urryer nga të gjithë, duke e vetëftuar në shtëpinë e tij. Zakeu e mirëpret Nazarenasin, dhe  e pranon mëkatin e tij dhe kthehet në fe. Por kjo kthesë është pasojë e shikimit me dashuri, e mirëpritjes, e mëshirës. Nuk është parakusht i domosdoshëm. Ndjehet nevoja për një Kishë të aftë ta shikojë kështu, me të njëjtin vështrim si Jezusi, çdo grua dhe çdo burrë, me mjerimin e tyre, me mëkatin e tyre, për t'i bërë të ndihen të mirëpritur dhe t'i shoqërojë me durim dhe butësi, duke besuar në vepren e hirit në  kohët dhe mënyrat e Zotit, në zemrat e njerëzve dhe në historitë e tyre.

Së fundi, si të mos kujtojmë, en passant, pikat në të cilat përmbledhja e Sinodit kërkon rishikimin e së drejtës kanonike të Kishës, për të vazhduar me bindje dhe konkretësi më të madhe rrugën e ekumenizmit e për të shfrytëzuar më shumë strukturat tashmë ekzistuese sinodale. E gjithashtu, për të ecur në rrugën, që e pati  treguar më kot Papa Shën Gjon Pali II që nga viti 1995,  lidhur me shërbesën e Papës, "për të gjetur një formë të ushtrimit të parisë e cila, ndonëse pa hequr dorë në asnjë mënyrë nga pjesa themelore e misionit të tij, hap rrugën për një situatë e re” (Ut unum sint).

29 tetor 2023, 09:06