Hollerich: përpara me sinodalitet, jo klerikalizmit, që e bllokon Kishën
R.SH. – Vatikan
“Jemi të lodhur” dhe “po i afrohemi fundit”, por ky “nuk duhet të kthehet në justifikim për të reduktuar impenjimin në punë, sikur të ishte java e fundit e shkollës”. Me ftesën për ta vazhduar punën "e bukur", "apasionuese", "sfiduese" të këtyre më se dy javëve të asamblesë, realatori i përgjithshëm, kardinali Jean-Claude Hollerich, hapi sot, 18 tetor, në Sallën Pali VI në Vatikan, kongregatën XII të përgjithshme të Sinodit mbi sinodalitetin. Nga dita e sotme, reflektimet dhe diskutimet përqendrohen rreth modulit të katërt, B3, i fundit i Instrumentum laboris. Tematika e tij ka të bëjë me “pjesëmarrjen, përgjegjësinë dhe autoritetin. Çfarë procesesh, strukturash dhe institucionesh duhet të ketë një Kishë sinodale misionare?”
Autoriteti, shoshitja, decentralizimi
Skedat për t’u diskutuar në grupe të vogla janë pesë: rinovimi i shërbimit të autoritetit, duke pasur parasysh atë "klerikalizëm", që mund të prekë edhe laikët dhe që e pengon Kishën të ecë përpara; "shoshitja e përbashkët", për një konsensus jopolarizues, i cili, njëkohësisht, respekton edhe autoritetin; krijimi i strukturave dhe i institucioneve “sinodale”; ndërtimi i "rrjeteve" ndërmjet Kishave lokale, në dritën e "decentralizimit të shëndoshë", shpresuar nga Papa. Së fundi, rruga që duhet të marrë vetë Sinodi, duke vlerësuar "eksperimentin" e shtrirjes së pjesëmarrjes edhe për një grup “jo ipeshkvijsh”. "Çështje delikate, që ndikojnë në traditë: një vendim i gabuar mund ta ndërpresë, ose ta bllokojë atë", nënvizoi Kardinali Hollerich, i cili kërkoi ndihmën e teologëve dhe të kanonistëve të ritit latin e të atij lindor. Kjo fazë sinodale, sqaroi më tej relatori i përgjithshëm, është hapi i parë për t’u bërë ballë këtyre temave, që do të vazhdojnë të trajtohen edhe vitin e ardhshëm, në fazën e fundit të Sinodit, pasi të mblidhen mendimet e Kishave lokale.
Çfarë do të ndryshojë?
“E dimë mirë se ky Sinod do të vlerësohet mbi bazën e ndryshimeve, që do të dalin prej tij”, pohoi relatori i përgjithshëm. Kjo vlen si për "mediat e mëdha, veçanërisht ato më të largëta nga Kisha", të interesuara për "ndryshimet në një numër shumë të kufizuar çështjesh", por vlen edhe për "bashkëpunëtorët tanë, anëtarët e këshillave baritore, për njerëzit që angazhohen në famulli”. Çështja e parë ka të bëjë me autoritetin, jo për të “vënë në dyshim” atë të njerëzve të shuguruar në Kishë, të cilët kanë mision të veçantë, por për të luftuar klerikalizmin dhe për të promovuar përgjegjësinë e përbashkët për misionin e Kishës. Klerikalistët, që mund të jetë të shuguruar a laikë, duan vetëm të ruajnë status quo-në, pasi ajo u jep pushtet, por kështu, e detyrojnë Kishën të jetojë në amulli, vërejti kardinali Hollerich. Sfida tjetër ka të bëjë me arritjen e një konsensusi në Kishë, pa e përçarë atë, nga njëra anë e, duke respektuar rolin e veçantë të autoriteteve të saj, nga ana tjetër, pa i izoluar nga bashkësia. Kardinali Hollerich nënvizoi më pas nevojën për krijimin e strukturave ku njerëzit të marrin pjesë në jetën e Kishës. Të tilla ekzistojnë, si për shembull, këshillat baritore, por u duhet vlerësuar niveli i sinodalitetit. Gjithashtu, duhet gjetur rruga për të krijuar rrjet ndërmjet Kishave lokale. Skeda e fundit e Modulit B3 fton, ndërkaq, të "reflektohet mbi potencialin e vetë institucionit të Sinodit si vend ku duhen eksperimentuar marrëdhëniet dinamike, që lidhin sinodalitetin, kolegjialitetin ipeshkvnor dhe primatin pjetrin".
Kujtimi i emigrantëve
Para fjalës së relatorit, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech kujtoi lutjen e kërkuar nga Papa për të përkujtuar emigrantët dhe refugjatët. Pjesëmarrësit e Sinodit do ta përjetojnë atë nesër në mbrëmje, në monumentin “Angel Unawares”, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Me këtë rast, ai u tregoi të pranishmëve lajmin, që i dha Luca Casarini, i ftuar i veçantë në Sinod, kryetar i organizatës “Mediterranea Saving Humans”, që shpëton emigrantë në det. “Luca Casarini më informoi për shpëtimin e dy barkave në Detin Mesdhe: - njoftoi kardinali Grech - e para me 47, tjetra me 69 vëllezër dhe motra emigrantë nga vende të ndryshme afrikane. Mes tyre një vajzë 7-vjeçare, Xhesika, ardhur nga Kameruni me të ëmën. Në barkën e dytë, pothuajse të gjithë ishin nga Sudani i Jugut: kishte shumë gra dhe fëmijë, më i vogli vetëm 2 muajsh”. "U shpëtuan të gjithë," njoftoi kardinali Grech. E duartrokitjet kumbuan në gjithë Sallën Pali VI.