Kërko

Kard. Silvestrini: kard. Parolin, "luajti një rol të rëndësishëm në Kishë dhe për Kishën"

Sekretari i Shtetit të Vatikanit mori pjesë sot paradite në konferencën kushtuar 100 -vjetorit të lindjes së kard. Silvestrini, organizuar nga Villa Nazareth në Campidoglio në Romë: “Ai e interpretoi diplomacinë si një mjet për të ndërthurur pritshmëritë e shpirtit me ato të realitetit të njerëzve"

R.SH. / Vatikan

“Dom Achille ishte një figurë që luajti një rol të rëndësishëm në Kishë dhe për Kishën, së bashku me shtatë Papë, duke jetuar momente veçanërisht domethënëse për jetën kishtare dhe për stinët e historisë, madje edhe ato që përfshinin dhe e shihnin Selinë e Shenjtë si një protagoniste në skenën ndërkombëtare”. Ky portreti i kardinalit Achille Silvestrini që u kujtua nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, gjatë aktivitetit "Kardinali Achille Silvestrini, njeriu i dialogut", që u zhvillua sot në Sala della Protomoteca në Campidoglio, në Romë.

“Puna e tij nisi nga njohja se veprimtaria diplomatike është nga natyra e saj e vëmendshme ndaj çdo aspekti dhe prandaj kërkon që protagonistët e saj të jenë në gjendje t’i lexojnë faktet dhe jo vetëm njohjen e ngjarjeve; veprimtaria diplomatike kërkon diskrecion, por edhe vendime të qarta dhe aftësi për të parashikuar pasojat dhe efektet”, vazhdoi kardinali Parolin, sipas të cilit “ky është terreni në të cilin ky personalitet i veçantë kishtar, kardinali Silvestrini ka mundur të japë kontributin e tij, të tregojë intuitën e tij dhe të veprojë për të mirën”, me një vullnet të vendosur, edhe përballë vështirësive dhe mundimeve që janë gjithmonë të pranishme kur dikush thirret të vendosë në punën e tij. E kjo edhe përballë atyre synimeve që dukeshin të paarritshme për shumicën e njerëzve ose që nuk gjetën bashkëndarje dhe vlerësim”.

Kompleksiteti i punës që kam mundësi të kryej çdo ditë më bën të mendoj me admirim për angazhimin, në shumë mënyra, madje edhe të mundimshme, që don Akilit iu desh të ndërmerrte në kohë që nuk i mungonin mundimet dhe vështirësitë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit tha se: “megjithatë, nëse lexojmë me kujdes ngjarjet e asaj periudhe, mund të shohim qartë, edhe një herë, se si me të vërtetë është Zoti ai që i drejton njerëzit të bëjnë histori”.

“Kardinali Silvestrini ishte arkitekt i frymës së Helsinkit dhe i kontributit të dhënë nga Selia e Shenjtë”, nënvizoi kardinali Parolin, duke përshkuar biografinë e tij: “Një protagonist konkret dhe i nderuar, i cili në angazhimin e tij të gjithanshëm e interpretoi diplomacinë si një mjet për të ndërthurur pritjet e shpirtit me ato të realitetit të njerëzve, duke parë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) një veprim të aftë për të kapërcyer përçarjen që ndau dy Evropat, por edhe mbi bazën e "rrënjëve të përbashkëta të krishtera" për të arritur një takim dhe një unitet të vërtetë të Kontinentit të Vjetër.

Sot, pas dyzet e tetë vjetësh, mund të themi se, po të shihet nga këndvështrimi specifik i ostpolitikës, veprimtaria e kardinalit Silvestrini është një kontribut i painteresuar, por i thellë; i lidhur me realitetin konkret, pra me kauzën e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, duke privilegjuar çdo element të aftë për të ndërtuar unitet të plotë ndërmjet qytetarit dhe besimtarit. Kardinali Silvestrini ishte sigurisht një diplomat i nderuar që në analet e historisë kishtare mbetet mbi të gjitha një shërbëtor i vërtetë i Pasardhësit të Pjetrit dhe një klerik i mbrujtur nga një fe autentike dhe një jetë e thellë e brendshme. Kështu na pëlqen ta kujtojmë atë 100 vjet pas lindjes së tij”.

27 tetor 2023, 17:53