2023.10.28 Sinodo dei Vescovi - XX Congregazione Generale 2023.10.28 Sinodo dei Vescovi - XX Congregazione Generale

Relacioni i Sinodit: një Kishë që i përfshin të gjithë, përherë pranë plagëve të botës

Raporti përmbledhës u publikua në përfundim të Asamblesë së Përgjithshme të XVI mbi sinodalitetin e Kishës. Në funksion të sesionit të dytë të vitit 2024, ofrohen reflektime dhe propozime për tema të tilla si roli i grave dhe i laikëve, shërbesa e ipeshkvijve, meshtaria dhe diakonati, rëndësia e të varfërve dhe emigrantëve, misioni dixhital, ekumenizmi, abuzimi.

R.SH. / Vatikan

Gratë dhe laikët, meshtaria dhe diakonati, shërbesa dhe mësimi, paqja dhe klima, të varfërit dhe migrantët, ekumenizmi dhe identiteti, gjuhët e reja dhe strukturat e rinovuara, misionet e vjetra dhe të reja (përfshirë ato dixhitale), dëgjimi i të gjithëve dhe studimi - jo sipërfaqësisht - i gjithçkaje, madje edhe i çështjeve më "të diskutueshme". Në Raportin Përmbledhës të miratuar dhe të publikuar sot nga Asambleja e Përgjithshme e XVI e Sinodit për sinodalitetin, ka një vështrim të përtërirë mbi botën dhe Kishën si dhe kërkesat e tyre. Pas katër javësh pune, e cila filloi më 4 tetor në Sallën Pali VI, ngjarja kishtare përfundoi sot seancën e saj të parë në Vatikan.

Afërsisht dyzet faqet e dokumentit janë rezultat i punës së asamblesë "zhvilluar ndërsa në botë po shpërthejnë luftërat e vjetra e të reja, me dramën absurde të viktimave të panumërta". “Thirrja e të varfërve, e atyre që janë detyruar të emigrojnë, e atyre që vuajnë dhunën ose pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike vjen mes nesh jo vetëm përmes mediave, por edhe zërave të shumë njerëzve, që po i jetojnë personalisht me familjet dhe të afërmit e tyre këto ngjarje tragjike”, thuhet në dokument. Kisha universale është përpjekur t'i përgjigjet kësaj sfide dhe shumë të tjerave në qarqet më të vogla dhe në ndërhyrjet në Sallë. Gjithçka përmblidhet  Raportin Sintezë, të ndarë në tri pjesë, ku përvijohet rruga e punës që do të kryhet në seancën e dytë të Sinodit të vitit 2024.

Pjesa e parë

Pjesa e parë flet për nevojën e dëgjimit të të gjithëve, duke nisur nga viktimat e abuzimit, për fytyrën e një kishe sinodale, misionin, vënien e të varfërve në qendër, angazhimin e besimtarëve në politikë për të mirën e përbashkët, migrimet, luftën kundër racizmit dhe ksenofobisë, për Kishat Lindore dhe rrugën drejt unitetit të krishterë

Pjesa e dytë

Pjesa e dytë nis me laikët dhe familjet, për të vijuar me gratë, klerikalizmin dhe shovinizmin, diakonatin, fenë, diskriminimin dhe abuzimin, jetën e kushtuar, diakonët, çelibatin e meshtarëve, rolin dhe figurën e ipeshkvijve, rastet e abuzimit.

Pjesa e tretë

Pjesa e tretë trajton problemet e dëgjimit, të poligamisë, të kulturës dixhitale.

Trajtohen kështu, problemet më të mprehta të jetës së Kishës, me të cilët do të merremi më hollësisht përmes një analize të hollësishme, në emisionet e ardhshme.

29 tetor 2023, 16:35