Sinodi: gratë janë element dinamik i misionit të Kishës
R.SH. – Vatikan
Nuk është çështje njohjeje dhe promovimi në kuptimin, që i jep bota, por është çështje e shëndetit të Kishës. Nuk bëhet fjalë për të drejta, por për dhuratat e marra nga Zoti. Mbi këtë bazë promovohet misioni i gruas brenda bashkësisë kishtare, sipas Nënë Maria Ignazia Angelini-t, rregulltares benediktine, që shoqëron reflektimin shpirtëror të Sinodit mbi sinodalitetin në Vatikan. Murgesha nënvizoi forcën e dëshmisë në konfrontimin sinodal, në një kohë kur bota është përfshirë nga spiralja e dhunës.
Jo vetëm figurante
Gratë nuk janë thjesht figurante, por krijojnë hapësira të reja për misionin, ku detyrat mund të jenë nga më të ndryshmet. Një kishë sinodale “në dalje” e sheh menjëherë praninë e grave, që nga zanafilla e deri më sot. Nënë Angelini kujtoi se kur Shën Pali zbarkoi në Evropë, i gjeti “gratë të bashkuara në lutje, në qiell të hapur" dhe e pranoi menjëherë mënyrën e tyre të të qenit Kishë. "Tregtarja e përvuajtur e purpurit, Lidia, është besimtarja e parë në tokën evropiane. Dëgjon Fjalën e Zotit" dhe u ofron një shtëpi apostujve.
Udha e grave në Kishë, plot plagë
Po sot paradite, për rolin e grave në Kishë foli edhe motër Gloria Liliana Franco Echeverri. “Udha e grave në Kishë është plot plagë”, nënvizoi ajo. Përmendi shembuj grash, që mbahen mënjanë në famulli, pavarësisht se Kisha ka “fytyrën e gruas”, parë në veprën e shumë katekisteve e të shumë grave, që asistojnë të sëmurë, pleq e nevojtarë. “Kisha, që është nënë dhe mësuese – tha rregulltarja – është edhe motër e dishepulle, është femërore e kjo nuk i përjashton burrat, sepse tek të gjithë, burra e gra, jeton forca e femërores, e urtisë, e butësisë, e dashamirësisë, e krijimtarisë, e parrezisë dhe e aftësisë për të dhuruar jetën e për t’u bërë ballë me guxim situatave të ndryshme”. “Të gjithë ne, burra e gra, jemi të thirrur të jemi prehër, shtëpi, përkëdhelje, përqafim, fjalë e mirë… Një Kishë femërore ka forcën e frytshmërisë”, përfundoi motër Gloria.