Sinodi, Kardinali Bo: udhë ndërmjet brezave, për një botë të drejtë e paqësore
R. SH. - Vatikan
Udha e nisur nga Kisha, është sinodale ndërbreznore, që përuron një rrugë të gjatë shprese për mbarë njerëzimin, edhe në mes të trazirave globale, siç dëshmohet nga ngjarjet e fundit në Azinë Perëndimore dhe rajone të tjera të botës". Në homelinë e Meshës, kryesuar sot, 23 tetor, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, përpara fillimit të Kongregacionit të gjashtëmbëdhjetë të Përgjithshëm të Sinodit, Kardinali Charles Bo, kryeipeshkëv i Yangon në Mianmar dhe kryetar i Federatës së Konferencave të Ipeshkvijve Aziatikë (FABC), e përshkroi qartë Sinodin mbi sinodalitetin: nuk është itinerar i përcaktuar, as "odise hapësinore e programuar paraprakisht me ekuacione matematikore fikse".
Shtegtim sinodal i besimit
“Ashtu si kur nisemi në shtigje të ndryshme në jetë e në fe” dhe “shpesh jemi të pasigurt për cakun” - edhe si kur jemi thirrur “të hyjmë në të panjohurën” me Zotin që “bëhet udhërrëfyesi ynë, harta jonë e rrugës dhe shoqëruesi ynë i udhëtimit”. " - kështu "Kisha është thirrur të jetë e drejtë, të mishërojë rrugën sinodale të besimit, me sigurinë se Zoti nuk të zhgënjen kurrë" - shpjegoi Kardinali. Feja - vijoi - ndriçon rrugën në çastet më të errëta dhe më të trazuara të jetës, duke na lejuar të shohim sesi hiri i Zotit depërton në hije". E nëse lindin dyshime e ankthe, ne mund të frymëzohemi "nga figura si Moisiu" e "edhe nëse nuk arrijmë në destinacionin e synuar, pjesëmarrja në udhëtimin do të jetë një bekim në vetvete”.
Industria e armëve grumbullon pasuri në kurriz të miliona njerëzve
Homelia e kryeipeshkvit të Yangon ishte edhe reflektim mbi Ungjillin e sotëm, në të cilin "Jezusi tregon shëmbëlltyrën e një pronari që nuk ngopet kurrë me toka, dëshirë që e çon në vetëshkatërrim". Kjo faqe ungjillore tregon se "lakmia e pangopur që banon në zemrat njerëzore” të çon “në egoizëm egocentrik”, në "mëkat origjinal”, që është në bazën e shumë vuajtjeve dhe konflikteve njerëzore" - vazhdoi presidenti i FABC, duke shtuar se "shëmbëlltyra e pronarit të pasur me depot e tij të tepërta është metaforë e botës së sotme, ku luftërat dhe industria e armëve grumbullojnë pasuri të mëdha në kurriz të vuajtjeve të miliona njerëzve”. Çfarë duhet bërë përballë gjithë kësaj? Shën Pali na jep një këshillë me vlerë - vijoi kardinali - të besojmë "në një Zot, që dëshiron shtegtimin njerëzor të shpresës dhe të shërimit" dhe përputhjen e ëndrrave tua me planin e Zotit. Sepse Zoti e ka një plan për secilin prej nesh, për Kishën tonë, për rrugët dhe projektet tona, që duhet të përputhen me vullnetin e Tij”.
Duke parë breznitë e ardhshme
Duke kujtuar çka ndodh në botën e sotme, kryeipeshkvi i Yangon-it vuri re më pas se lakmia njerëzore tashmë ka shkaktuar plagë të thella në planetin tonë duke i privuar miliona njerëz nga dinjiteti i tyre”. E gjithë kjo u nënvizua nga Papa Françesku në Evangelii Gaudium, në Laudato si' dhe në Fratelli tutti, që na ndihmojnë të pajtohemi me Zotin, me natyrën dhe me njëri-tjetrin, ndërsa "rruga jonë sinodale ka të bëjë me shërimin dhe pajtimin e botës në drejtësi dhe paqe". Mënyra e vetme për të shpëtuar njerëzimin dhe për të krijuar një botë me shpresë, paqe e drejtësi - vijoi kardinali - është sinodaliteti global i të gjithë njerëzve. Duke u ndërgjegjësuar për këtë, shqetësimi i këtij Sinodi “është trashëgimia që ne do t’i lëmë brezit të ardhshëm” - theksoi kardinali Bo, duke kujtuar ftesën e Papës Françesku” për të pasur mirë parasysh "konceptin e drejtësisë ndër breza" dhe reflektimin e tij mbi ngrohjen globale e cila "ka shkatërruar bashkësinë dhe mjetet e jetesës së miliona njerëzve, duke harruar se duhet të shpëtojë të gjithë brezin e ardhshëm".
Realiteti aziatik
"Si ipeshkvij të Azisë, jemi të vetëdijshëm për dëmet ambientale të shkaktuara në të gjitha rajonet tona nga shkaku i katastrofës klimatike - vazhdoi kryepeshkopi i Yangon - Ne kemi një popullsi të konsiderueshme të bashkësive indigjene të krishtera, veçanërisht në Detin e Kinës Jugore. në Indinë Qendrore, në Vietnam dhe në Mianmar. Janë bashkësi që "kanë mbrojtur natyrën, por që edhe kanë vuajtur nga ideologjitë moderne, kolonizimi dhe shfrytëzimi i burimeve". Prej këndej ftesa e kardinalit për të pasur në qendër të vëmendjes "shkatërrimin e hapësirave të mëdha të pyjeve, të mushkërive të planetit tonë në ato rajone dhe rritjen e dhunës kundër këtyre popullsive indigjene". Këtë theksoi presidenti i FABC, duke folur edhe për Kishën vendase, së cilës "iu desh të përballojë sfida të ndryshme gjatë gjithë historisë", por që megjithatë, "mbeti e gjallë dhe e re" pavarësisht vështirësive. "Ky takim sinodal na ka nxitur të kthehemi në ditët e mëdha të ungjillizimit nga apostujt", kujtoi në vijim kardinali Bo, duke na nxitur ta mirëpresim "me optimizëm ftesën drejtuar të gjithë Azisë për ta shpallur shekullin e njëzet, shekull i Krishtit, të frymëzuar nga udha sinodale e Kishës globale”.
Udha për shërimin e botës
Duke pasur parasysh sfidat që duhet të përballojnë të krishterët aziatikë, Kryeipeshkvi i Yangonit kujtoi Mianmarin, ku besimtarët janë shpërndarë "për shkak të fatkeqësive natyrore dhe krizave shumëdimensionale, shkaktuar nga dora e njeriut: vuajtje të pafundme, shtëpi dhe kisha të zhdukura, jetë të shkatërruara, që mbartën barrën e mizorisë.” Por "Kisha në Mianmar dhe Azi investon në shpresën e pajtimit" - përfundoi kardinali - duke na inkurajuar të vazhdojmë rrugën sinodale dhe të lutemi "që Kisha Katolike, nën drejtimin e Papës Françesku, t’i prijë gjithë familjes njerëzore në shtegtimin e gjatë për shërimin e botës dhe të planetit tonë e, përfundimisht, drejt një qielli të ri e një toke të re”.