Kërko

Konferenca për shtyp e Sinodit Konferenca për shtyp e Sinodit

Sinodi, më 25 tetor, publikimi i “Letrës drejtuar Popullit të Zotit”

Njoftimi i kryetarit të Komisionit të Informacionit, Paolo Ruffini, në Sallën e Shtypit të Vatikanit: “Leximi i bocave u mirëprit me duartrokitje”. “Dokumenti përmbledhës” do të publikohet mbrëmjen e së shtunës. Schönborn: me këtë Sinod, Evropa nuk është më qendra e Kishës

R.SH. – Vatikan

Ndërsa Sinodi mbi Sinodalitetin e Kishës në Romë fillon në javën e tij të fundit me një kalendar të ndryshuar, të gjithë sytë janë te Letra e pritur drejtuar Popullit të Zotit, që pritet të shpallet. Tradita e shkrimit të një letre të tillë nga Sinodi - ose dhënies së një dokumenti apo mesazhi të ngjashëm për besimtarët - nuk është aspak e re. Megjithatë, dokumenti këtë vit synon një kthesë të re, të paktën në mënyrën se si është sjellë: ndryshe nga dokumenti përmbledhës i programuar për miratim në fund të Sinodit, ky mision shërben si busull, duke treguar rrugën për rrugëtimin sinodal. Siç tha Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin.

Leximi i bocave të “Letrës drejtuar Popullit të Zotit” u prit dje me duartrokitje nga pjesëmarrësit në Sinodin e Ipeshkvijve mbi sinodalitetin, në Vatikan, që ka hyrë në javën e fundit. Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të tij, kardinalit Mario Grech, “u propozuan dhe u pranuan sugjerime të vogla për ndryshimin dhe integrimin e tekstit, veçanërisht lidhur me përkthimet në gjuhë të ndryshme”. Deri në orën 18 të ditës së djeshme mund të paraqiteshin sugjerime të tjera e letra, siç nënvizoi prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, kreu i Komisionit të Informacionit, në konferencën e djeshme për shtyp, “do të miratohet dhe do të publikohet të mërkurën”.

Kardinali Schönborn: feja, shpresa dhe dashuria në bashkimin e Kishës

Kardinali domenikan Christoph Schönborn, kryeipeshkëv i Vjenës, anëtar i Këshillit të zakonshëm të Sekretarisë së Sinodit, duke folur për përvojën e tij në asambletë e kaluara, tregoi një kujtim nga viti 1965, fundi i Koncilit II të Vatikanit, kur ai vetë ishte student 20 vjeçar i teologjisë. Pati dëgjuar një konferencë të jezuitit e teologut gjerman, Karl Rahner, fjalia e fundit e të cilit i mbeti në zemër: "Nëse nga ky Koncil nuk dilet me fe, shpresë e dashuri më të madhe, gjithçka është e kotë".

Prandaj, shtoi kardinali, “të njëjtën gjë do të thoja edhe për Sinodin”. Si teolog, Schönborn pati marrë pjesë edhe në Sinodin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Papa shenjt Gjon Pali II, në vitin 1985, njëzet vjet pas përfundimit të Koncilit II të Vatikanit. Përsa i përket konceptit themelor të “communio”, pra, të bashkimit në Kishë, ai nënvizoi se edhe tani, pas 50 vjetësh nga Koncili, Kisha vazhdon ta pyesë veten si ta jetojë bashkimin. Ajo është bashkim feje; bashkim me Zotin njini e trini; bashkim ndërmjet besimtarëve dhe bashkim i hapur për të gjithë njerëzit”. Si duhet jetuar, pra, ky bashkim? “Sinodaliteti është mënyra më e mirë për këtë”: kjo, përgjigjja e kardinalit Schönborn. Duhet rimenduar vizioni i kushtetutës konciliare “Lumen gentium”, ku flitet për misterin e madh të Kishës. Prandaj, Kisha është mister, pastaj, është Popull i Zotit dhe, vetëm më pas mund të flitet për bazën themeltare hierarkike të anëtarëve të saj.

Prelati kritikoi Evropën "e cila nuk është më qendra kryesore e Kishës", siç shihet çdo ditë në Sinod. Amerika Latine, Azia, Afrika dhe Konferencat e tyre kontinentale janë protagoniste, ndërsa episkopati evropian nuk ka arritur të ketë potencialin, që kanë organizata si Federata e Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (FABC), ose Këshilli Ipeshkvnor Amerikanolatin (CELAM). Në kontinentin e vjetër, pranoi ai, “kemi mbetur pak prapa me sinodalitetin e jetuar. Kemi nevojë për stimuj". Kardinali përmendi faktin se Konferencat Ipeshkvnore Evropiane nuk kanë thënë kurrë një fjalë të përbashkët për gjendjen e vështirë të emigrantëve, për shembull. Së fundi, përvoja e Kishave Lindore, të cilat e kanë eksperimentuar gjithnjë se nuk ka sinodalitet pa liturgji. Schönborn i ftoi të gjithë të kenë për zemër fenë, që kremtohet, përpara se të diskutohet.

“Dokumenti përmbledhës” do të bëhet i njohur të shtunën

Nga pjesëmarrës të tjerë në Sinod u prekën temat e familjes e të brezave të rinj, të indigjenëve, të inkulturimit të Ungjillit në botën e sotme, të lutjes e të rolit të grave në Kishë. Nga ana e tij, prefekti Ruffini sqaroi se votimi dhe publikimi i “Dokumentit përmbledhës” të Sinodit parashikohet për të shtunën, 28 tetor. I pyetur nëse metoda e punës e përdorur në këtë Sinod mund të shtrihet në përvojën e çdo Kishe lokale, kardinali Schönborn vuri në dukje se kjo metodë përdoret në kryedioqezën e Vjenës prej kohësh dhe se të gjithë mund të ndjekin udhën e përcaktuar në Koncilin e Jeruzalemit, siç shihet nga Veprat e Apostujve. Ajo metodë karakterizohet nga tri etapa: dëgjimi, heshtja e diskutimi. U nënvizua se dëgjimi është etapa më e rëndësishme, e cila duhet rizbuluar në punë, në familje e në bashkësitë fetare.

Natyra e Sinodit nuk ka ndryshuar

Pavarësisht nga pjesëmarrja e laikëve, vërejti më tej kardinali Schönborn, natyra e Sinodit nuk ka ndryshuar, pasi ai mbetet sinod ipeshkvijsh për të ushtruar përgjegjësinë kolegjiale. Por, prania e laikëve, sidomos e ekspertëve në fusha të ndryshme të Kishës, e ndihmon sinodin. Përsa i përket ndryshimeve të mundshme në Katekizmin e Kishës Katolike, sidomos për raste të veçanta, kardinali nënvizoi se ato mund t’i bëjë vetëm Papa. Ndërsa për kontributin e teologëve në doktrinën kishtare, ai theksoi se ka zhvillime në kuptimin më të mirë të shumë temave, por thelbi i doktrinës mbetet i njëjtë, pasi është bazë e një Besojme të vlefshme në të gjithë botën, pavarësisht nga kulturat e ndryshme.

24 tetor 2023, 10:13