Sinodi, ndryshime në program. Në punë për “Letrën drejtuar Popullit të Zotit”
R.SH. – Vatikan
Ndryshime në kalendarin sinodal gjatë ditëve të ardhshme. Informacionin e dha dje pasdite (19 tetor), Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, në hapje të Kongregacionit XIII të Përgjithshëm të Asamblesë mbi sinodalitetin, e cila vijon në Vatikan. Kujtojmë se në të marrin pjesë edhe dy ipeshkvij shqiptarë: Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj.
Letra drejtuar popullit të Zotit
Komisioni për Raportin përfundimtar të Sinodit - lexohet në një deklaratë të Sekretarisë së Përgjithshme - ka vendosur kritere të reja për hartimin e tekstit. Para së gjithash, skeda nuk do të paraqitet në dy pjesë (A dhe B), siç tregohet në kalendar; përveç kësaj, Sekretaria e Përgjithshme dhe Kryesia do t’i japin asamblesë kohë për t’u prononcuar mbi metodat dhe etapat e fazës së mëpasme të procesit sinodal, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Së fundi, njoftohet se asambleja e ipeshkvijve e ka miratuar propozimin për të publikuar një Letër drejtuar Popullit të Zotit, në fund të këtij sesioni.
Ndryshimet e programit
Për këto tri arsye, u pa e nevojshme të bëhen disa ndryshime në program. Të hënën më 23 tetor, siç ishte planifikuar, pjesëmarrësit e Sinodit do të mblidhen në Bazilikën e Shën Pjetrit për kremtimin eukaristik në Altarin e Katedrës. Më pas, në Kongregacionin e Përgjithshëm, do të paraqitet dhe do të diskutohet Letra e Asamblesë drejtuar Popullit të Zotit - fillimisht në grupet e vogla e, pastaj, bashkërisht, për të përfunduar me votimin e saj.
Punimet do të ndërpriten pasditen e së hënës dhe gjatë gjithë ditës së 24 tetorit. Pjesëmarrësit e Sinodit do të takohen të mërkurën, më 25 tetor, për paraqitjen dhe dorëzimin e Raportit përmbledhës nga ana e relatorit të përgjithshëm. Teksti do t’i jepet secilit për reflektim e më pas, do të diskutohet në Kongregacionin e Përgjithshëm dhe në grupet e vogla, pasditen e së mërkurës dhe paraditen e së enjtes, 26 tetor.
Në lutje, në Shën Pjetër
Të enjten pasdite, në ndryshim nga parashikimet e mëparshme, anëtarët sinodalë do të mblidhen në Kongregacionin e Përgjithshëm për të diskutuar propozimet mbi metodat dhe etapat, që duhen ndjekur gjatë muajve ndërmjet kësaj seance të parë dhe seancës së dytë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve në vitin 2024. Të premten, 27 tetor, ditë pushimi sinodal, të gjithë pjesëmarrësit e Sinodit ftohen të marrin pjesë në lutjen për paqe, e cila do të mbahet në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit.