Cop28, Czerny: Ati i Shenjtë në Dubai për të theksuar vlerat e “Laudate Deum”
R.SH. – Vatikan
Janë të paktën 70 mijë, pjesëmarrësit në Konferencën e Klimës në Dubai, quajtur teknikisht Cop28, ose konferenca e njëzet e tetë e Palëve. Ndër krerët e shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota spikat figura e Papës Françesku, i cili do t'i drejtohet Takimit me një fjalim. Papa do të qëndrojë në Dubai nga 1 deri më 3 dhjetor dhe përveç fjalimit të tij në Expo City, do të ketë një sërë takimesh dypalëshe, si edhe përurimin e Pavijonit të Feve.
Impenjimi i Papës në mbrojtjen e Krijimit
Lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre për njeriun e ambientin janë çështje themelore për Papën, i cili kohët e fundit botoi Nxitjen apostolike “Laudate Deum”, vazhdim i enciklikës “Laudato si'” të vitit 2015. Konferenca e Klimës në Dubai përfaqëson një mundësi vendimtare, nga e cila shpresohet se do të dalin marrëveshje të detyrueshme për palët, sidomos përsa u përket burimeve energjitike. Kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, shpjegon për Radio Vatikanin - Vatican News angazhimin e Selisë së Shenjtë në kuadrin e këtij Takimi të rëndësishëm botëror.
Cilat janë përparësitë klimatike sipas Selisë së Shenjtë?
Ato që Selia e Shenjtë i konsideron përparësi, duke pasur parasysh COP28 në Dubai, janë shprehur thellësisht në Nxitjen “Laudate Deum”. Në njëfarë kuptimi, ky tekst përfaqëson programin e Selisë së Shenjtë, është i detajuar dhe u botua dy muaj para Konferencës. Prandaj, Selia e Shenjtë është shprehur tashmë me autoritetin e saj. Mund të shtojmë se objektivi kryesor në Konferencën e Palëve në Dubai është zbatimi i Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, që do të thotë të vihet në jetë çdo gjë, për të cilën është rënë dakord, që të kufizohet ngrohja globale.
Papa Françesku nënvizon shpesh urgjencën e ndërhyrjes konkrete për mbrojtjen e Krijimit. Çfarë mund t'i bindë të pushtetshmit e botës të ndërhyjnë shpejt?
Koncepti kryesor, që duhet pasur parasysh, është ai i së mirës së përbashkët, i cili duhet t’i motivojë të gjithë të bëjnë shumë më tepër për të arritur një marrëveshje. Gjithashtu, në “Laudate Deum”, Ati i Shenjtë u flet drejtpërdrejt njerëzve të pushtetshëm të botës, duke i ftuar të mendojnë për fëmijët, për nipërit e mbesat e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjes: si mund t'u lini një botë të rrënuar fëmijëve dhe nipërve?
Ç’rëndësi merr prania e Papës Françesku në Cop28 në Dubai?
Ati i Shenjtë shkon në Cop28 për të nënvizuar, për të theksuar dhe për të komunikuar ç’ka thënë dhe ç’ka shpjeguar në “Laudate Deum”. Është gjest shumë i fuqishëm, që përforcon fjalë të fuqishme. Personalisht, shpresoj që familja njerëzore, sidomos më të pushtetshmit, të jetë në gjendje të pajisen me mjetet e duhura politike ndërkombëtare për të zgjidhur problemet e përbashkëta, të cilat shkaktohen nga ne vetë. Është sfidë shumë, shumë e mirëpërcaktuar: duhet të përballemi dhe të zgjidhim problemet, që ne vetë po shkaktojmë.