60-vjetori “Sacrosanctum Concilium”, Kushtetutës së Koncilit mbi liturgjinë e shenjtë
R.SH. / Vatikan
Kushtetuta “Sacrosanctum Concilium” e Koncilit Dytë të Vatikanit, u botua më 4 dhjetor të vitit 1963. Me të, Etërit pjesëmarrës të Koncilit të Dytë kishtar të Vatikanit uronin pjesëmarrjen e plotë dhe të vetëdijshme të besimtarëve në liturgji të Meshës. Parashikonin që konferencat ipeshkvnore vendore mund të autorizonin përdorimin e gjuhës amtare në leximet biblike në kremtimet liturgjike, pavarësisht se gjuha zyrtare e kremtimit mbetet latinishtja, rregull, çka u ndryshua më vonë. Riti i Meshës, me këtë dokument të rëndësishëm të Koncilit Dytë të Vatikanit mbi liturgjinë, thjeshtohet e pranohet një lloj pluraliteti në formë përsa u përket procesioneve, kremtimit e dhënies së Sakramenteve dhe muzikës.
Liturgjia, thuhet në kushtetutën “Sacrosanctum Concilium”, kontribuon që besimtarët ta shprehin me jetë dhe t’u dëshmojnë të tjerëve misterin e Jezu Krishtit e natyrën më të pastër të Kishës së vërtetë, e cila është njëkohësisht njerëzore e hyjnore, e dukshme, por e mbrujtur me realitete të padukshme. Si vepër e Krishtit, meshtar e profet, dhe e Kishës, korpit të Tij, çdo akt liturgjik është i shenjtë në vetvete.
Njerëzit, para se të marrin pjesë në liturgji, duhet të kthehen e të besojnë në Zot. Barinjtë e shpirtrave, vazhdon akoma “Sacrosanctum Concilium”, duhet të vigjëlojnë me kujdes, që në aktet liturgjike të respektohen normat, të cilat sigurojnë vlefshmërinë dhe legjitimitetin e kremtimit. Besimtarët duhet të marrin pjesë me vetëdije, aktivisht e në mënyrë frytdhënëse.
Rregullat mbi liturgjinë shenjte, nënvizohet më tej, duhet t’i vendosë vetëm autoriteti kishtar. Kur nuk është çështje feje, Kisha nuk synon të imponojë uniformitetin e rreptë, por respekton dhe favorizon vetitë e dhuratat shpirtërore të racave e të popujve të ndryshëm. Kisha, thuhet në kushtetutë, kujdesohet që besimtarët të mos marrin pjesë sikur të ishin të huaj, ose si spektatorë të heshtur në Flijimin eukaristik, por që, përmes kuptimit të plotë të riteve dhe të lutjeve, të marrin pjesë me gjithë vetveten, aktivisht e me bindje, në aktin e shenjtë. Prandaj – e me këtë dispozitë “Sacrosanctum Concilium” i hap udhën përdorimit të gjuhës amtare në liturgji – i duhet dhënë hapësirë gjuhës së popullit.
Pra, me kushtetutën “Sacrosanctum Concilium”, Kisha shqetësohet për besimtarët, të cilët nuk duhet të marrin pjesë në Meshë e liturgji pasivisht, por aktivisht, me vetëdije të plotë. E ky shqetësim është i vlefshëm edhe në ditët tona, 60 vjet pas Koncilit II të Vatikanit. Sa herë na qëllon të shohim në meshë, njerëz, që i shqetësojnë të tjerët e vetë aktin liturgjik, duke biseduar? Sa herë dëgjojmë zilen e ndonjë celulari? Ose, kemi përkrah njerëz, që megjithëse nuk shqetësojnë askënd, nuk marrin pjesë në Meshë, qëndrojnë në heshtje e nuk këndojnë. Pjesëmarrja në liturgji, sidomos ditën e dielë e ditën e festës së urdhnueme, nuk do të thotë të plotësosh detyrën, ose ta kthesh këtë në zakon. Do të thotë të marrësh pjesë me vetëdije në një akt, që kremton e i thur lavde Zotit të Gjithëpushtetshëm. Është burimi, uji i të cilit, kthen çdo dele të humbur në vathën e grigjës së Zotit.