Jubileu, Bazilia e Shën Pjetrit krah refugjatëve e të burgosurve
R.SH. – Vatikan
Dhurim, drejtësi, falje: këto janë tre drejtimet përgjatë të cilave do të ecë Jubileu i ardhshëm 2025, sipas kardinalit Mauro Gambetti, kryepriftit të Bazilikës së Shën Pjetrit, i cili më 5 dhjetor, paraqiti veprimtaritë shoqërore në përgatitje për këtë ngjarje të madhe. Është fjala për dy projekte në favor të më nevojtarëve, refugjatëve dhe të burgosurve. Njëri, "Rruzaret e detit", lindi nga bashkëpunimi me Fondacionin “Shtëpia e Shpirtit dhe e Arteve” për krijimin e rruzareve me drurin e barkave të emigrantëve, mbërritur në ishullin italian të Lampeduzës. Ndërkaq, me ndihmën e shoqatës “Shansi i dytë”, disa të burgosur do të fillojnë punën. “Ndër tre drejtimet, më e rëndësishmja është falja - shpjegoi kardinali - nëse praktikojmë faljen, do të dimë t’i presim edhe armiqtë, duke e mundur të keqen. Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojë shndërrimi i vërtetë dhe pikërisht nga ky këndvështrim jubilar lindin këto bashkëpunime".
“Rruzaret e detit”, përvojë feje
Rreth një vit e gjysmë më parë, Fondacioni “Shtëpia e Shpirtit dhe e Arteve” filloi të mblidhte drurin e barkave të trafikantëve, që mbërrinin në ishullin e Lampeduzës, duke bërë punime të ndryshme dhe duke e kthyer edhe në rruzare. Projekti quhet "Metamorfoza" dhe parashikon që druri të punohet nga rreth 30 të burgosur të institucioneve të ndryshme penale italiane, të punësuar rregullisht, të cilët do të prodhojnë kokrrat dhe kryqet, ndërsa rruzaret do t’i montojnë më pas dy refugjatë në fabrikën e Shën Pjetrit. Së shpejti, ato do të shiten në dyqanet e Bazilikës. “Është përvojë e madhe ungjillëzimi në burg – pohon presidenti i Fondacionit, Arnoldo Mosca Mondadori. – Të rinjtë e shkollavevijnë shpesh për të vizituar laboratorët e burgut, madje, edhe kur nuk besojnë në Zotin, u bëjnë përshtypje rruzaret tona, pyesin si t'i përdorin, çfarë kuptimi kanë gjithë ato kokrra e, kështu, të burgosurit fillojnë t'ua shpjegojnë. Nuk është projekt abstrakt pikërisht për këtë arsye: sepse mund t’ua shohësh fytyrat njerëzve, që duke punuar, dalëngadalë kthehen në jetë”. Sot, këto veprimtari koordinohen pikërisht nga njëra prej fytyrave, së cilës i është kthyer buzëqeshja: ajo e Erjugenit, njërit nga të burgosurve të parë të burgut “Milano Opera”, që filloi të mësojë në punishten e prodhimit të violinave në burg.
Një "Shans i dytë" për ata që nuk kanë pasur as të parin
Shoqata “Shansi i dytë” është themeluar prej pak kohësh, por ka nënshkruar një memorandum të rëndësishëm mirëkuptimi me Departamentin e Administrimit të Burgjeve në Ministrinë italiane të Drejtësisë. Objektivi është integrimi shoqëror i të burgosurve përmes punës, duke përdorur ligjin, që u lejon atyre të punojnë edhe jashtë mureve të burgut. Që nga shtatori, një elektricist i burgut Rebibbia të Romës është punësuar në mirëmbajtjen e Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërsa po vlerësohet mundësia për të marrë edhe të burgosur të tjerë. “Ka një bashkëpunim edhe me burgun Viterbo Mammagialla ku ka një rrobaqepësi për të burgosurit, që bëjnë çanta sportive - shpjegon presidentja dhe themeluesja e shoqatës “Shansi i dytë”, Flavia Filippi. - Tani ata do të prodhojnë një linjë çantash për Jubileun, të cilat do të tregtohen si suvenire”.
Drejtësi do të thotë dinjitet dhe humanizëm
Në paraqitjen e veprimtarive shoqërore të Bazilikës së Shën Pjetrit mori pjesë edhe Giovanni Russo, kreu i Departamentit të Administrimit të Burgjeve në Ministrinë italiane të Drejtësisë, i cili nënvizoi se puna është përparësi për të gjithë. “Puna e detyruar për të burgosurit konsiderohej dikur dënim, shtim i dënimit - shpjegoi ai - sot, ajo është mjet për ta rizbuluar veten, për t’u bërë edhe një herë njerëz të rinj në shoqërinë e lirë. Synimi është që deri në vitin 2024, numrit i të burgosurve të punësuar të dyfishohet”. Nuk është rastësi që drejtësia bën pjesë në tre drejtimet jubilare, pasi të jesh i drejtë do të thotë t’u njohësh njerëzve dinjitetin, përfshirë të burgosurve, si edhe të mos e humbasësh kurrë nga sytë humanizmin e tyre.