Kërko

 Kardinali Krajevski në Betlehem Kardinali Krajevski në Betlehem 

Kard. Krajewski çon përqafimin e Papës në Betlehem e në Gaza

Misioni i kardinalit lëmoshtar në Tokën e Shenjtë ku ai kaloi Krishtlindjen arrin kulmin. Dje, në Meshën e natës dhe sot, në mëngjes, Kardinali ishte sërish përkrah Patriarkut Pizzaballa për liturgjinë e Krishtlindjes në Bazilikën e Lindjes: “Ishin të paktën dy mijë vetë, shumica të rinj, që erdhën me shpresën se lufta do të përfundojë. Ai solli përshëndetjet e Papës dhe shumë e falënderuan për ndihmën." Në drekë u takua me familjet në Rrip.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Konrad Krajewski u çoi në Tokën Shenjte "urimin" nga Papa, së bashku me sigurinë se Françesku "lutet për banorët, organizon mbledhje ndihmash, sensibilizon politikanët për të ndaluar luftën", rreth 2000 besimtarëve mbledhur për kremtimin e Krishtlindjes në Bazilikën e Lindjes, në Betlehem. Së bashku me patriarkun e Jeruzalemit Pierbattista Pizzaballa, lëmoshtari papnor takoi edhe 20 anëtarë familjesh, që po i kalojnë këto festa nën bomba dhe raketa në Rripin e Gazës e që kërkuan siguri për të ardhmen e tyre dhe të të afërmve të tyre.

Krishtlindje shprese

Misioni i kardinalit në Tokën e Shenjtë arriti kulmin, kur shkoi për të çuar afërsinë dhe ndihmën e Papës për të gjithë ata besimtarë që, për shkak të luftës, festojnë Krishtlindje morti e dhimbjeje. Në Betlehem, pikërisht në vendin e lindjes së Shëlbuesit, kardinali polak gjeti njerëz të veshur për festë, burra me kostume dhe kravata e gra me rroba të bardha, gati për të kënduar "me zë të lartë, deri në kupë të qiellit", për të falënderuar Zotin pavarësisht nga ngjarjet tragjike dhe për të shprehur besimin e madh se “kjo luftë do të përfundojë së shpejti”.

Takimi me të afërmit e njerëzve në Gaza

Skena që mahnitën vetë kardinalin, i cili - në kontakt me mediat e Vatikanit - kujtoi se ishte prekur thellë nga feja e këtyre të krishterëve, si dhe nga  besimi në të ardhmen i grupit të të afërmve të tyre në Gaza, të takuar disa orë më parë nga Patriarku Pizzaballa, para drekës së Krishtlindjes, organizuar nga françeskanët. “Ata i bënë pyetje për periudhën e pasluftës. Në Rrip, pak a shumë 900 njerëz nuk kanë asgjë, shtëpitë e tyre janë shkatërruar” - tregon Krajewski. “Kur të përfundojë kjo luftë e mallkuar, ne duhet të jemi të gatshëm për t’i ndihmuar ata që duan të qëndrojnë e edhe ata, që duan të ikin. Për shembull, ne duhet të mendojmë për ndërtesat parafabrikate, për rregullimin e shkollave, sepse si mund të mbeten fëmijët pa shkollë?”. Këta njerëz - komenton Kardinali - "jetojnë me shpresën se kjo luftë duhet të përfundojë". E mishërojnë Ungjillin, në të cilin "Jezusi na fton të vendosim Zotin në radhë të parë, e pastaj të afërmin".

Ndihma nga Jordania, bekim

Lëmoshtari i Papës, përfaqësues i Atit të Shenjtë edhe mes rrënojave fizike dhe shpirtërore të Ukrainës, shprehu kënaqësinë për ndihmën e marrë dje nga Jordania, falë mbretit Abdullah II, i cili dërgoi, me anë të një helikopteri, ilaçe dhe ndihma për popullin e Gazës: "Shumë vende nuk kanë arritur të bëjnë asgjë, por mbreti i një vendi të vogël ia ka dalë ta bëjë". Lajmi për mbërritjen e ilaçeve arriti  mbrëmë vonë, teksa kardinali po darkonte me Imzot Pizzaballën, disa anëtarë të bashkësisë vendase françeskane, disa autoritete palestineze dhe bashkëpunëtorë të Shenjtërores, të cilët menjëherë  pas morën pjesë në një procesion mbrëmësor nga selia e Patriarkanës, deri në Bazilikën e Shpellës së Lindjes ("Një procesion i çrregullt, njerëzit dolën nga shtëpitë dhe dyqanet për të përshëndetur patriarkun që erdhi në emër të Jezusit. Ishte e vështirë të lëvizje, dukej si Porta Portese ..."). Ardhja e ndihmave u mirëprit si “bekim” Krishtlindjesh, duke pasur parasysh numrin në rritje të të sëmurëve dhe të lënduarve. “Zëvendës famullitari i famullisë së Familjes së Shenjtë në Gaza – kujton Kardinali Krajewski – më tha se vetëm në zonën e Kishës vuajnë 50 të sëmurë, pa asnjë ilaç. Pra, këto ilaçe janë një bekim për Krishtlindje, sjellë nga njerëz të guximshëm të cilët, pavarësisht gjithçkaje që ndodh, kërkojnë shtigje të hapura për të sjellë ndihma”.

Afërsia e Papës

Ndihma i shtohet asaj të dërguar nga Papa, "që mbërriti direkt në Gaza, veçanërisht për fëmijët dhe të plagosurit dhe për të blerë ushqime dhe gjëra të nevojshme". Kardinali po përfiton nga këto çaste festive për të kuptuar se si mund të organizohet ndihma nga Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë, që drejtohet prej tij: “Ne duhet të kuptojmë se si mund të lëvizim për t'i ndihmuar këta njerëz, të organizojmë diçka në nivel ndërkombëtar për t'i mbështetur. Kjo tashmë sjell shpresë për Krishtlindje”.

Kardinali Krajewski foli për shpresën edhe në urimin e tij në fund të meshës së Krishtlindjes, kremtuar në arabisht, sot në mëngjes, në orën 10, nga Pizzaballa në Bazilikë: "Kisha ishte plot. Ishin të paktën 2 mijë njerëz, të gjithë banorët e Betlehemit. Këtu rreth 150 mijë njerëz kanë humbur punën sepse Betlehemi është i rrethuar, njerëzit nuk mund të dalin jashtë dhe, për rrjedhojë, ata që kanë punuar jashtë, e kanë humbur punën. Pavarësisht nga kjo,  erdhën për të festuar lindjen e Jezusit, me shpresën se e gjithë kjo do të marrë fund. Kishte shumë të rinj, të veshur mirë, gra me petka të bardha, burra me xhaketa dhe kravata. Kjo tashmë fliste vetë, thoshte: ja çfarë festë të madhe po festojmë! Dhe më pas këngët, këngët me zëra shumë të lartë, dukej se arrinin deri në qiell, deri te froni i Zotit. Në Romë nuk gjen famulli ku këndohet kështu, ndoshta ndër male... Të gjithëve u solla një përshëndetje nga Ati i Shenjtë, u solla një përqafim të fortë, thashë se nuk i braktis, se lutet për ta, se organizon ndihma, sensibilizon politikanët të ndalojnë luftën, të lënë armët, t’i shkëmbejnë me paqen ndërkombëtare, aq të nevojshme".

Mirënjohje për Françeskun

Menjëherë pas Meshës - vazhdon lëmoshtari papnor, “u larguam nga Bazilika me patriarkun, pasi përshëndetëm të gjithë njerëzit që erdhën për të festuar lindjen e Jezusit. Gjithësejt 2000! Përshëndeta 2 mijë vetë në emër të Atit të Shenjtë!”. Edhe me këtë rast, shumë “e falënderuan  Papën, kur u solla përshëndetjet e tij. Pati duartrokitje për Françeskun, që nuk i ka braktisur kurrë, që u afrohet gjithmonë, që vuan, siç vuajnë ata”.

25 dhjetor 2023, 16:27