Kërko

TOPSHOT-UAE-UN-CLIMATE-COP28 TOPSHOT-UAE-UN-CLIMATE-COP28  (AFP or licensors)

Kardinali Parolin do të çojë në Dubai “kontributin” e Papës në Cop28

Kardinali do të kryesojë delegacionin e Vatikanit tashmë të pranishëm në Konferencën e Palëve. Bruni: 2 dhjetori do të sjellë “kontributin që do të jepte Ati i Shenjtë”. E diel 3, përurimi, së bashku me prefektin e Dialogut Ndërfetar, Kardinalin Ayuso Guixot, i "Pavijonit të Fesë"

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, kryeson delegacionin e Selisë së Shenjtë, tashmë të pranishëm në Dubai me rastin e Cop28. E pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Në Konferencën e Palëve, organizuar nga Kombet e Bashkuara, nisur që dje, më 30 nëntor, Kard. Parolin do të çojë nesër, e shtunë, 2 dhjetor, “kontributin që do të kishte dashur të jepte Ati i Shenjtë”, shpjegon Bruni.

Udhëtimi i Papës u anulua

Siç dihet, Papës Françesku iu desh ta anulonte udhëtimin e planifikuar për  1 deri më 3 dhjetor, për shkak të inflamacionit të mushkërive, nga i cili po mjekohet me terapi antibiotike. Pikërisht dje, në një audiencë me pjesëmarrës në një seminar mbi etikën shëndetësore, Papa kujtoi dëshirën për të ndërmarrë udhëtimin në Dubai, duke nënvizuar edhe se iu desh të hiqte dorë, me kërkesën e mjekëve, sepse kjo do të mund të sillte rreziqe për shkak "të të nxehtës së atjeshme", me kalime "nga e nxehta, në ajër të kondicionuar", gjë që "në këtë gjendje bronkiale, nuk ishte e përshtatshme". Françesku përsëriti interesimin ndaj ngjarjes së Dubait përmes faqes së tij të internetit @Pontifex në nëntë gjuhë, ku shprehu shqetësimin e thellë për shtëpinë e përbashkët: “Shpresojmë se ata që do të flasin në Cop28 do të jenë të aftë të mendojnë për të mirën e përbashkët dhe për të ardhmen e fëmijëve, e jo për interesat e veçanta të një vendi apo të një ndërrmarrjeje. Që të tregojnë kështu fisnikërinë e politikës, jo turpin e saj”.

Përurimi i Pavijonit të Fesë

Prandaj shpreson se do të jetë Kardinali Parolin, si në takimet e mëparshme të Cop - nga Parisi deri në Glasgow vitin e kaluar - që do të flasë nesër në emër të Papës dhe Selisë së Shenjtë, duke theksuar thirrjen e Françeskut, të shprehur në Laudato Si' dhe më pas, në Laudate Deum, për veprime konkrete kundër krizës klimatike.

Të dielën, më 3 dhjetor, Sekretari i Shtetit, së bashku me Prefektin e Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, Kardinalin Angél Ayuso Guixot, do të marrin pjesë në përurimin e planifikuar të "Faith Pavillion", Pavijonit të Fesë në Expo City, që ka gjashtë objektiva kyçe: të frymëzojë fuqinë e feve dhe liderëve fetarë si faktorë të ndryshimit klimatik; të vërë në dukje veprimet konkrete nga ana e institucioneve dhe bashkësive fetare për të frenuar ndryshimet klimatike me tregues të matshëm dhe një mekanizëm monitorues; të nxisë një koalicion global të liderëve fetarë që të punojnë së bashku për veprimin klimatik; të inkurajojë liderët fetarë që të përfshihen në dialog politik dhe të frymëzojnë ambiciet klimatike ndërmjet delegacioneve politike; të arrijë një shtrirje historike pas thirrjes për veprim klimatik; të unifikojë dhe të maksimizojë veprimin kolektiv të aktorëve fetarë të pranishëm në Cop28.

Ditët e fundit, vetë kardinali Parolin dha njoftimin për praninë e tij në Dubai gjatë takimit me një grup gazetarësh, në përfundim të një aktiviteti në Dhomën e Deputetëve. Duke konfirmuar se Papa, "në rrugën e rimëkëmbjes", e kishte anuluar udhëtimin për "të shmangur përkeqësimin", kardinali shpjegoi se "modalitetet" e pjesëmarrjes së Selisë së Shenjtë në ngjarjen e madhe në qytetin e Emirateve po studioheshin: "Zakonisht kam marrë pjesë në të gjitha takimet, duke nisur nga COP në Paris dhe të gjitha COP-të, kështu që mendoj se do të shkoj edhe këtë herë, por padyshim duke shkurtuar qëndrimin tim. Më pas - vazhdoi ai - është delegacioni që do të vijojë të qëndrojë gjatë dy javëve të punimeve, ndërsa unë do të marr pjesë vetëm në pjesën e tyre të parë”.

01 dhjetor 2023, 11:09