21 janar, e Diela e Fjalës së Zotit: "Mbani Fjalën time"
R.SH. / Vatikan
Më 21 janar 2024 do të kremtohet e Diela e pestë e Fjalës së Zotit, e caktuar nga Papa Françesku me motu proprio "Aperuit Illis" më 30 shtator 2019. Kremtimi i së "Dielës së Fjalës së Zotit" na ndihmon të rizbulojmë qendrën dhe përparësinë e Fjalës së Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës.
Sivjet e 'Diela kushtuar Fjalës së Zotit' ka si temë fjalët e Jezusit nga Ungjilli i Gjonit “Mbani Fjalën time” (Gjn 8,31). Është një e diele e veçantë. Synon t’i bëjë besimtarët ta kuptojnë sa rëndësi ka në jetën e përditshme të Kishës dhe të bashkësive tona qëndrimi në Fjalën e Zotit: Fjalë që nuk kufizohet në faqet e një libri, por që mbetet gjithnjë e gjallë dhe bëhet shenjë konkrete, e prekshme, kur pranohet dhe jetohet me dashuri e fe.
Çdo bashkësi e krishterë do të ftohet ta vlerësojë këtë ditë në kremtimet liturgjike të së dielës, për të përforcuar ftesën këmbëngulëse të Jezusit që të dëgjohet e të ruhet Fjala e tij, për t'i dhënë botës një dëshmi shprese.