Kërko

Baldakini i Shën Pjetrit Baldakini i Shën Pjetrit

Dhjetë muaj për restaurimin e Baldakinit të Shën Pjetrit, gjigant i artit

U paraqitën sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, punimet e ardhshme për restaurimin e kryeveprës së Berninit. Do të përfundojnë në fillim të Jubileut dhe nuk do të ndikojnë në kremtimet liturgjike. Ndërhyrjet e fundit janë bërë në shekullin XVIII

R.SH. – Vatikan

Një punë e madhe, por e nevojshme. Kardinali Mauro Gambetti, kryeprifti i Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit në Vatikan, vikar i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit dhe president i Fabrikës së Shën Pjetrit, i quajti kështu punimet e ardhshme për restaurimin e Altarit kryesor të Shën Pjetrit, më saktësisht të Baldakinit, pra të strukturës madhështore në formë tende që ngrihet mbi të, realizuar nga arkitekti i famshëm i epokës baroke Gianlorenzo Bernini.

Kardinali  Gambetti i paraqiti punimet para gazetarëve, sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke nënvizuar se kjo ndërhyrje bëhet në përgatitje të Jubileut të vitit 2025 dhe të 400-vjetorit të kushtimit të Bazilikës së re të Vatikanit, që zëvendësoi bazilikën e mëparshme kostandiniane në vitin 1626, kur Papë ishte Urbani VIII Barberini. Me një lartësi prej 28,74 metrash dhe me peshë prej 63 tonësh, Baldakini, me të drejtë, shihet si një gjigant i artit të të gjitha kohërave, vepër unike në llojin e vet. Kardinali Gambetti vuri në dukje se ishte pikërisht Papa Urbani VIII, i cili “në verën e vitit 1624, ia besoi veprën 26-vjeçarit Gianlorenzo Bernini, arkitekt dhe skulptor i tij i besuar, që, gjithsesi, nuk punoi i vetëm në këtë sipërmarrje: u ndihmua nga Francesco Borromini dhe nga një aradhe e madhe skulptorësh, shkrirësish, marangozësh dhe mjeshtrash të tjerë me vlerë”.

Në Baldakin, bletët e stemës së Papës Barberini
Në Baldakin, bletët e stemës së Papës Barberini

10 muaj punë, drejt Jubileut

Restaurimi do të zgjasë 10 muaj, nga gjysma e dytë e shkurtit deri në dhjetor 2024, pak para hapjes së Portës Shenjte. Është "restaurim me vlerë të madhe simbolike, sepse Baldakini, që ngrihet solemnisht mbi altarin kryesor", "i lartë sa një ndërtesë dhjetëkatëshe", shpjegoi kardinali, "është vatra e Bazilikës" dhe “me madhështinë e tij, shënon vendvarrosjen e Shën Pjetrit Apostull”, të cilit i kushtohet kisha më e rëndësishme e krishterimit.

Ndërhyrja, që i është besuar një ekipi profesionistësh me përvojë të konsoliduar, bëhet 250 vjet pas restaurimeve të tjera të shekullit XVIII dhe 400 vjet pas fillimit të punimeve për vetë Baldakinin.

Detaj nga Baldakini i Shën Pjetrit
Detaj nga Baldakini i Shën Pjetrit

Tri fazat e ndërhyrjes

 Restaurimi do të bëhet në tri faza: hapja e kantierit me projektimin e skelave të punës; diagnostifikimi paraprak dhe i vazhdueshëm përmes dokumentimit grafik dhe fotografik; restaurimi i sipërfaqeve prej metali, prej guri dhe prej druri. Natyrisht, do të respektohet vepra dhe procedurat do të bëhen në siguri të plotë. Nuk do të pengohen kremtimet papnore në altarin kryesor, siç shpjegoi kardinali Gambetti. Skelat do ta përfshijnë në brendësi të tyre Baldakinin, pa e prekur. Ndërhyrja do të kushtojë 700 mijë euro, financuar nga Urdhri i Kalorësve të Kolombos.

Detaj nga Baldakini i Shën Pjetrit
Detaj nga Baldakini i Shën Pjetrit
11 janar 2024, 16:20