Kërko

 New Year 2024 New Year 2024

Ja, Viti i Ri

E drita jote, o Zot, të na ndrisë,/kur të bëhet natë. /Me ty do të ecim përsëri, /deri te drita e ditës së re, /e Vitit tjetër të Ri. /Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!

R.SH. / VATIKAN

Ja, Viti i Ri

shtigje të reja na hap përpara,

e ecim, pa ditur ku shkojmë,

e presim plot shpresë

ditët e reja.

Ç’na pret këtë vit, o Zot?

Si do t’i prijmë

karvanit të gjatë të ditëve

e grigjës së zezë të netëve?

Ç’do të na dhurojnë?

E sidomos çfarë kanë ndër mend të na mohojnë?

Veç ti e di, o Zot,

prandaj na fol, e  zemrat do t’i hapim

për të pritur Fjalën tënde,

si pritet drita në terr

e zjarri në vatër të fikun.

Na fol, sidomos,

në të ftohët e nëpër natë,

që shtigjeve të këtij viti të vështirë

të ecim me kujdes,

për të parë në to shenjat

që Ti na kumton,

për të shkelur mbi gjurmët e Tua:

për të gjetur shenjat e shpresës sate,

të mirësisë, të paqes, të dashurisë.

E drita jote të na ndrisë,

kur të bëhet natë.

Me ty do të ecim përsëri,

deri te drita e ditës së re,

e Vitit tjetër të Ri.

Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!

01 janar 2024, 14:26