Kard. Parolin, "pak perspektiva paqeje në Ukrainë e në Lindjen e Mesme, duhet vëllazëria"
R. SH. - Vatikan
Duke folur për konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, si dhe për rifillimin e dhunës, Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, nxit për të jetuar atë qëndrim, që Shën Pali e quante 'shpresë kundër çdo shprese': "Vërtet, në këndvështrimin njerëzor, më duket se ka pak perspektiva për paqe” - theksoi në përfundim të paraqitjes, në Montecitorio, të Dignitas Curae - Manifesto per la sanità del futuro” (Dinjiteti i Kujdesit” - Manifest për shëndetin e së ardhmes). Kardinali u dha përgjigje kërkesave të gazetarëve për komente lidhur me luftërat e vazhdueshme dhe pohoi se në këto çaste “qëndrimet janë aq të largëta e aq të kundërta, sa nuk mund të shihen udhë të përbashkëta, që mund të çojnë në paqe. Paqja duhet të vijë një ditë, sepse çdo luftë mbaron, apo jo? Varet se sa do të zgjasë e edhe sa jetë njerëzore shkatërron, sa infrastruktura rrënon, sa dëme shkakton. Sigurisht, sa më shumë të zgjasë lufta, aq më i madh do të jetë edhe dëmi”.
Përtritja e organizmave ndërkombëtare
Lidhur me atë, që shumë e quajnë “impotencë” të organizmave ndërkombëtarë, Parolin vëren se brenda këtyre institucioneve “pasqyrohen interesat e secilës prej palëve. Askush nuk është i gatshëm të heqë dorë, për të gjetur zgjidhje të përbashkët. Ndoshta do të kishin nevojë për një reformë, siç e kemi thënë shumë herë si Seli e Shenjtë, sepse kanë lindur në një periudhë tjetër, menjëherë pas Luftës II Botërore, në klimën e luftës së ftohtë. Ndoshta do të duhej të gjenin lloje të reja shprehjeje. Ajo që thotë Papa është gjithmonë e vërtetë: nëse mungon ndjenja e vëllazërisë njerëzore, asgjë nuk mund të zgjidhet! Ndërsa është e mundur kur ndjehemi si familje e vetme, ku të gjithë kujdesen për njëri-tjetrin dhe veçanërisht për ata që janë më të ligshtë".
Përkim i autonomisë, kujdesit dhe të drejtave të të sëmurit
Në lidhje me temën e takimit, shëndetësinë, Kardinali i përgjigjet një pyetjeje mbi mënyrën e sesi Manifesti, i cili kërkon më shumë të drejta, më shumë kujdes dhe dinjitet, mund të lidhet me projektin e rajonalizmit dhe autonomisë së diferencuar në Itali, pas miratimit të projektligjit të Senatit: "Ne do të duhet të gjejmë një mënyrë, që i pajton të dyja gjërat " - shpjegoi Kardinali Parolin - “Është e qartë se kjo mënyrë, ky vizion duhet të drejtojë organizimin e shëndetësisë. Sepse dinjiteti i njeriut dhe mirëqenia e tij e plotë, fizike dhe shpirtërore, janë në rrezik. Çdo organizatë që mund të mendohet, duhet të ketë në bazë këto parime, përndryshe dështon”.
Përgjegjësia e të gjithëve
“Problemi i kujdesit për popullatën, veçanërisht për grupet më të ligshta dhe më të varfëra” duhet të jetë, pra, detyrë e dorës së parë. Për Sekretarin e Shtetit, institucionet publike, shteti para së gjithash, duhet t'u përgjigjen këtyre nevojave dhe të plotësojnë kërkesat e të gjithë njerëzve, që kanë të drejtë të barabartë për t'u njekuar e, mundësisht, edhe për t'u shëruar". Ftesa u drejtohet të gjithëve, jo vetëm qeverisë: “Duhet të bëjmë më shumë e të bëjmë më mirë, kjo është ftesa themelore që na vjen nga Manifesti” - theksoi Kardinali.
“Që qeveria të bëjë më pas pjesën e saj është logjike, por është e lehtë edhe të thuash ‘është në dorë të të tjerëve’ e kjo na përjashton nga përgjegjësia që kemi e që dallohet qartë në këtë drejtim, veçanërisht duke u kujdesur për ata që kanë më shumë nevojë”.