Kërko

Il cardinale Pietro Parolin Il cardinale Pietro Parolin

Kard. Parolin: Paqja kalon përmes drejtësisë dhe respektit për të vërtetën

Në një letër drejtuar kardinalit Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve, Sekretari i Shtetit të Vatikanit e uron për emërimin e ipeshkvit të ri të Xhibutit, Imzot Jamal Boulos Sleiman Daibes. Në tekst ripohohet përpjekja e Selisë së Shenjtë për të hapur rrugët e pajtimit në rajonin e Lindjes së Mesme, në flakë nga "një luftë së cilës fatkeqësisht nuk i duket fundi e që nuk i kursen as civilët, madje as më të pambrojturit"

R.SH. / Vatikan

“U hapshin sa më shpejt  rrugët e pajtimit dhe të bashkëjetesës vëllazërore!”. Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin shpreh, në një letër drejtuar kardinalit Pierbattista Pizzaballa, urimet e tij për Tokën Shenjte e cila "i ofron Kishës universale një nga bijtë e saj të dashur": Imzot Jamal Boulos Sleiman Daibes, ish-vikar patriarkal i Amanit dhe ndihmës i dioqezës patriarkale të Jeruzalemit të Latinëve, tani udhërrëfyes i ri baritor i Xhibutit, i emëruar nga Papa Françeskut.

Vuajtjet e një lufte, që nuk i kursen as civilët e pambrojtur

Kard. Parolin përgëzon Imzotin Jamal për rolin e tij të ri dhe   gatishmërinë për ta "vënë talentin e tij në shërbim të një Kishe, e cila sigurisht është numerikisht e vogël - nënvizon - por pikërisht për këtë arsye quhet tharm i rëndësishëm, në një zonë strategjike të planetit, ndërmjet botës arabo-islamike dhe asaj afrikane”.

Emërimi i Imzot Daibes vë në dukje thirrjen misionare të Kishës së Jeruzalemit dhe ndodh, vëren Kardinali, "në një çast të veçantë për Patriarkanën, lodhur nga vuajtjet e mëdha të një lufte, fundi i së cilës fatkeqësisht nuk duket dhe nuk i kursen as civilët, edhe më të pambrojturit”.

Angazhimi i Selisë së Shenjtë

Kardinali kujton angazhimin e Selisë së Shenjtë që dënoi sulmin e 7 tetorit nga Hamasi e që "nuk pushon së kërkuari që të respektohet ligji humanitar i sanksionuar ndërkombëtarisht, që përfaqëson një kufi të pakapërcyeshëm për çdo veprim luftarak". Prandaj Kardinali Parolin përsërit se Vatikani "ka kërkuar vazhdimisht të nisin bisedimet diplomatike për të përballuar krizën aktuale dhe për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë çështjen palestineze".

Paqja kalon përmes drejtësisë dhe respektit për të vërtetën

Letra është shenjë e mëtejshme e afërsisë së Papës me të përfshirit në konfliktin e Lindjes së Mesme. “Mbrojtja e bashkësisë së krishterë të Tokës së Shenjtë, e cila gjithashtu kontribuon ndjeshëm në të mirën e të gjithë rajonit - vazhdon - është detyrë e dorës së parë për Selinë e Shenjtë, ndaj Kisha universale angazhohet ta mbështesë”. Janë fjalë, që shprehin përzemërsinë e Kard. Parolin për kardinalin Pizzaballa:

"Edhe në këtë situatë, Selia e Shenjtë po bën çdo përpjekje në këtë kuptim".

Dhe një theksim tjetër:

"Paqja kalon përmes kërkimit të drejtësisë dhe respektimit të së vërtetës, vlera të cilat njihen nga të gjitha fetë dhe duhet t’i bashkojnë të gjithë qeniet njerëzore mbi bazën e njerëzimit të vetëm".

14 janar 2024, 17:13