Kërko

2023.09.19 CONFERENZA PACEM IN TERRIS pontificia accademia scienze sociali casina Pio IV Turkson 2023.09.19 CONFERENZA PACEM IN TERRIS pontificia accademia scienze sociali casina Pio IV Turkson

Kardinali Turkson në Davos: bizneset duhet të nxisin solidaritetin

Në përfundim të Forumit Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, Kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, reflekton mbi rëndësinë e angazhimit të sipërmarrësve për ndryshimin e praktikave dhe objektivave të biznesit, për t’i dhënë shtytje integrimit shoqëror dhe njerëzve që jetojnë në kushte të rënda varfërie.

R.SH. / Vatikan

Prijësit e botës duhet të përpiqen për ta transformuar ekonominë, në mënyrë që njerëzit, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike, të mund të shpëtojnë nga varfëria. Pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Kardinali Peter Turkson, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe Shkencave Shoqërore, nënvizoi këtë aspekt të mesazhit dërguar nga Papa Françesku, drejtuar liderëve botërorë, lexuar nga Hirësia e Tij dje në mëngjes. Në Vatican News, Kardinali Turkson theksoi se ndryshimi i qëllimeve të udhëheqjes brenda kompanive ka rëndësi të madhe, ashtu si edhe domosdoshmëria që bizneset të kontribuojnë për shoqërinë e të mos interesohen vetëm për fitimet e tyre.

Zhvillimi ka nevojë për një busull morale

Ndonëse kompanitë tradicionalisht ekzistojnë për të fituar - theksoi akoma Kardinali Turkson - ato duhet t’i përafrojnë objektivat e tyre të biznesit me vlerat që shkojnë në dobi të shoqërisë dhe të së mirës së përbashkët. Për këtë arsye, Kancelari propozoi të kalohet nga maksimizimi i fitimeve dhe i rendimenteve, në optimizimin e tyre, duke u kërkuar bizneseve të kenë parasysh ndikimin më të fuqishëm që kanë në shoqëri dhe jetën e njeriut. “Ne duam të shfrytëzojmë objektivat e bizneseve - tha Turkson - e jo vetëm  fitimin  e parave, por edhe vlerën transformuese që sjellin në shoqëri, për ta bërë jetën më të mirë, më të vlefshme, më të drejtë dhe më të lumtur për të gjithë”.

Rrugë të reja rritjeje për një të ardhme më të drejtë

Kardinali pranoi sfidën e ndryshimit të praktikave të biznesit, por duke u kërkuar të gjithëve të pranojnë mënyrën graduale në të cilën mund të arrihen ndryshimet. Edhe nëse ndryshimet vijnë ngadalë - vazhdoi ai - "Unë mbetem optimist për potencialin e transformimit pozitiv". Së fundi, Kard. Turkson u kërkoi pjesëmarrësve në Forumin e Davosit të hapin shtigje të reja të rritjes, që mund të sigurojnë një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të drejtë.

19 janar 2024, 13:14