Kinë, u shugurua ipeshkvi i ri i Zhengzhou
R.SH. - Vatikan
At Taddeo Wang Yuesheng është ipeshkvi i ri i Zhengzhou, Provinca Henan në Kinë: ai u shugurua ipeshkëv më 25 janar 2024. Emërimi episkopal nga Papa Françesku daton në 16 dhjetor, por tani është bërë i njohur në përkim me shugurimin ipeshkvor të bariut të ri dioqezan që u bë në kuadër të Marrëveshjes së Përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës.
Ipeshkvi i ri imzot Taddeo Wang Yuesheng lindi në Zhumadian (Henan) më 27 shkurt 1966 - njofton Buletini i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - dhe ndoqi kurse filozofie dhe teologjie në Seminarin Qendror Jugor (1987-1993). Ai u shugurua meshtar në Hankou më 17 tetor 1993. Deri më tani mbajti postin e famullitarit në Zhengzhou. Që nga dhjetori 2011ka qenë famullitar në rrethin Huiji, në Zhengzhou.
Agjencia e lajmeve Fides kujton se pas rifillimit të jetës kishtare që nisi në fund të viteve 1970, «dioqeza e Zhengzhou nuk kishte më ipeshkëv, por vetëm administratorë dioqezanë. Që nga vitet 1980, disa Kisha janë restauruar ose ndërtuar nga e para. Jeta kishtare vazhdoi të jetë mjaft aktive, por pa një intensitet e lulëzim që dukej se u shfaq në vitet 1950. Në atë kohë, nga një popullsi prej katër milionë banorësh, kishte më shumë se njëzet mijë katolikë të pagëzuar. Sot, nga një popullsi që është më shumë se dyfishuar, sipas vlerësimeve nga burime të ndryshme, numri i katolikëve varion nga dhjetë mijë në njëzet mijë të pagëzuar”.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së përkohshme midis Republikës Popullore të Kinës dhe Selisë së Shenjtë (22 shtator 2018) – kujton akoma agjencia e lajmeve e Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, kujton se - në Kinë «nuk ka pasur më asnjë shugurim ipeshkvnor të paligjshëm, ato të kremtuar pa pëlqimin e Papës, gjë që që nga fundi i viteve 1950 pati shkaktuar plagë të dhimbshme ndërmjet katolikëve kinezë.
Që nga ai nënshkrim, gjashtë shugurime të reja episkopale janë bërë në Kinë. Në të njëjtën periudhë kohore, gjashtë ipeshkvijë të ashtuquajtur “klandestinë”, të emëruar në të kaluarën pa marrë parasysh protokollet e shtetit, kërkuan dhe morën njohjen e rolit të tyre edhe nga autoritetet civile. Midis tyre është edhe imzot Peter Jin Lugang, ipeshkëv i Nanyang, nga e njëjta provincë e Henanit, i njohur zyrtarisht nga qeveria më 30 janar 2019”.