Mediat e Vatikanit shtojnë mongolishten në 51 gjuhët e transmetimit
R.SH. – Vatikan
T’u flasë periferive të botës e bashkësive më të largëta bën pjesë në ADN-në e Radio Vatikanit që nga mesazhi i parë radiofonik i Papës Piu XI, në vitin 1931. Gjatë viteve të fundit, në faqen e internetit Vatican News janë shtuar gjuha koreane, hebraike dhe maqedonase, duke e çuar në 51 numrin e të folmeve në mediat e Papës. Që sot, faqja ka një gjuhë të re, atë mongole, pra, që sot, 31 janar 2024, gjuhët me të cilat flet radioja dhe faqja e internetit e mediave vatikanase janë 52.
“Jemi të lumtur me këtë mundësi të re për t’i lexuar fjalët e Atit të Shenjtë në mongolisht – nënvizon kardinali Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulanbatorit. - Është një nga frytet e vizitës së tij të fundit në tokën e Qiellit përjetësisht blu, që u preku zemrat katolikëve mongolë, por edhe shumë njerëzve të besimeve të tjera fetare, të cilëve u bëri përshtypje pozitivisht dëshmia e madhe njerëzore dhe shpirtërore e Papës Françesku”. “Fjalët e tij na hynë në shpirt”, rithekson kardinali, pasi “nxorrën në pah vlerat e traditave tona”. Tani, magjisteri i zakonshëm i Pasardhësit të Shën Pjetrit mund të ndiqet edhe në gjuhën mongole. “Një mjet i ri në shërbim të ungjillëzimit”.
“Është gjë e vogël - pohon prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini - por neve na duket dhe është aq e madhe sa Mongolia. T’i flasim të gjitha gjuhët, sa më shumë gjuhë që të jetë e mundur, është misioni ynë, shërbimi ynë. Kur e bëjmë këtë jo të vetëm, por me ata që jetojnë në territoret, ku arrin fjala jonë, mësojmë rëndësinë e përballimit të sfidave së bashku, të udhës së përbashkët, të realizimit të “gjërave të mëdha” në luftën e përditshme për të bërë gjëra, në dukje të vogla. Hap pas hapi. Në Kishë - vëren Ruffini - nuk ka as të mëdhenj e as të vegjël. Të folurit në mongolisht do të ndihmojë edhe Kishën në tërësi për të rizbuluar rëndësinë e vogëlsisë, të farave të vogla. Çka do të marrim është më shumë se çka do të japim. Siç e përsërit shpesh Papa Françesku, zbulesa e Zotit ndodh në gjërat e vogla: Shpirti Shenjt zgjedh të vegjlit, gjithmonë; sepse Ai nuk mund të hyjë në të mëdhenjtë, në krenarët, në ata, që i mjaftojnë vetvetes”.
“Udhëtimi në Mongoli, në shtator të vitit 2023, ishte i jashtëzakonshëm – saktëson drejtori editorial i mediave të Vatikanit, Andrea Tornielli – për dëshminë që morëm të gjithë nga ajo Kishë e vogël dhe e sapolindur, kushtuar shërbimit për të afërmit. Ka mbetur në histori, fotografia e bërë me dron, ku shihet Pasardhësi i Shën Pjetrit së bashku me të gjithë katolikët e vendit, gjithsej 1500 vetë. Në shenjë vëmendjeje ndaj kësaj bashkësie të vogël, falë bashkëpunimit të kardinalit Marengo, vendosëm të hapim një faqe Vatican News në gjuhën mongole, duke i çuar kështu në 52 gjuhët e përdorura nga sistemi mediatik i Vatikanit. Është nderim për këta vëllezërit tanë dhe për dëshminë e tyre ungjillore në Mongoli”.
“Misioni ynë është të përhapim Ungjillin në gjithë botën, t'u japim zë Kishave lokale, të interpretojmë faktet përmes lentes së doktrinës shoqërore kishtare, të mos e lëmë kurrë askënd vetëm - thekson Massimiliano Menichetti, përgjegjës për Radio Vatikanin / Vatican News. - Punën për këtë projekt e filluam gjatë udhëtimit të Papës në Mongoli, të frymëzuar nga mbështetja e tij për këtë bashkësi të vogël. Fillojmë me publikimin në portalin e Vatican News, por më vonë mund të ketë edhe transmetime audio. Po punojmë në sinergji me Kishat lokale, pikërisht për t'i dhënë gjithnjë e më shumë zë asaj shprese, që ndryshon botën”.